Reklame:

Permiresimi i bujqesise ne vendet ne zhvillim!

Kreu i ri i një organizate të rëndësishme studimesh thotë se çelësi i sigurisë ushqimore është që bujqësia të bëhet më efiçente, jo të punohet një hapësirë më e madhe toke. Vështirësitë për bujqësinë po shtohen ndërsa popullsia globale po rritet dhe ekonomitë në zhvillim kërkojnë më shumë lloje ushqimesh. Frank Rijsberman është presidenti i Grupit Konsultativ për Studime Ndërkombëtare Bujqësore.

“Për disa dekada me radhë, bujqësia është neglizhuar. Ne ishim mësuar që të kishim sasi të mëdha ushqimi jo të kushtueshëm. Që nga viti 2008, kambana e alarmit ra kur çmimet e ushqimeve u rritën jashtë mase. Njerëzit e kuptuan se duhet të prodhojmë më shumë ushqime për një popullsi në rritje”.Popullsia e botës pritet të arrijë në 9 miliardë në vitin 2050, një rritje prej 2 miliardësh nga niveli aktual. Por për të ushqyer aq shumë njerëz, a është thjesht çështja e mbjelljes së më shumë bimëve në sipërfaqe më të gjerë toke?

“Në fakt, ajo do të ishte rruga e gabuar, sepse sasia e të korrave që marrim për hektar ka arritur maksimumin. Nuk po rritet më. E vetmja gjë që mund të bëjnë bujqit është të punojnë më shumë tokë dhe po e bëjnë një gjë të tillë me një ritëm alarmant. Po e bëjnë një gjë të tillë edhe më shumë sesa gjatë revolucionit të gjelbër. Por nëse kjo vazhdon ata do të punojnë sipërfaqet anësore të tokave që janë zona jetike për mjedisin. Kjo do të ishte një katastrofë dhe jo një mënyrë afatgjatë dhe e qëndrueshme”.

Zoti Rijsberman thotë se kyçi tani është të studiohet sesi të merren më shumë të korra nga toka ekzistuese bujqësore. Ky është një nga synimet kryesore të organizatës së tij.

“Ka shumë studime për bujqësinë që bëhen nga sektori privat, por ato u shërbejnë kryesisht fermerëve të mëdhenj tregëtarë. Ne po u shërbejmë bujqve të vegjël, 500 milionë fermerëve që kanë më pak se dy hectare secili që sigurojnë pjesën më të madhe të ushqimit në vendet në zhvillim”.

Disa nga programet kryesore të studimit të organizatës përfshijnë përmirësimin e varieteteve të misrit, grurit, orizit, patateve, si edhe peshqve dhe kafshëve. Një synim i dytë është që përfundimet kërkimore më të reja të shkojnë në duart e fermerëve sa më shpejt të jetë e mundur. Bëhet fjalë për informacion për të përdorur sa më mire tregjet dhe për të pakësuar humbjet pas të korrave. Një tjetër rrugë është gjetja e rrugëve për përballimin e sfidave për çështje si ndryshimi i klimës, ushqimet dhe gjinia, pasi gratë përbëjnë gjysmën ose më shumë se gjysmën e forces punëtore të prodhimit bujqësor në gjithë botën.

Rijsberman thotë se rritja e fundit e çmimeve të ushqimeve mund të mos prekë shumë konsumatorët e vendeve të zhvilluara por mund të ketë një efekt dërrmues tek vendet në zhvillim.

“Për miliarda të varfrit në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, që shpenzojnë 80-90 për qind të të ardhurave për ushqime, nëse cmimet rriten 10, 20 për qind, efekti është i menjëhershëm. Këta njerëz janë më të ekspozuar. Vala e fundit e rritjes së cmimevenë vitet 2010-11 bëri 44 milionë vetë më të varfër”.

Grupi i Studimeve Bujqësore po bëhet gati për konferencën e Rios për Zhvillimin e Qendrueshëm që fillon më 20 qershor në Rio de Janeiro. Takimi shënon 20 vjetorin e Takimit të Parë të Tokës. Risjberman thotë se në takimin e parë, bujqësia dhe mjedisi ishin dy forca të kundërta. Por tani ai i përshkruan si “shokë të ngushtë”.

Rijsberman thotë se që Afrika të arrijë objektivat e sigurisë ushqimore, investimi në bujqësi duhet të rritet me 21 miliardë dollarë në vit. Pjesa më e madhe e kësaj shume duhet të vijë nga sektori privat.