Reklame:

Kultivimi i Lulediellit

Luledielli është bimë shumë e rëndësishme vajore. Farat e saj kanë 30-50% vaj. Në botë mbillen mbi 13 milionë hektar me luledielli. Mbillet kryesisht për vaj, por në sipërfaqe të kufizuara mbillet dhe për konsum të kokrrës ose për masë foragjere. Në vendin tonë mbilleshin 30000-35000ha.Sot sipërfaqja ka rënë në më pak se 1000ha.Luledielli bën pjesë në gjininë Helianthus annus.
– Rrënja është boshtore shumë e zhvilluar me një numër të madh degëzimesh.
– Kërcelli është i drejtë dhe i fuqishëm.Lartësia e kërcellit, në kultivarët për vaj shkon nga 60-220cm, ndërsa në kultivarët për masë foragjere arrinderi në 5m.
– Gjethet janë pëllëmbore, të mëdha dhe me bisht elastik që i bën të qëndrueshme ndaj erës.Numri i gjetheve lëviz nga 12-40.
– Lulesa e lulediellit është kulaç.Lulet në të vendosen në rrathë bashkëqendrorë.Lulet e dy rrathëve anësore janë shterpa, kurse të tjerat janë pjellore. Luledielli është bimë tipike me pjalmim të kryqëzuar.
– Fruti është i tipit aken në formë pyke të zgjatur, me gjatësi 8-14cm. Ai mbështillet nga një lëvozhgë e trashë, me ngjyrë të zezë ose laramane.Lëvozhga mbulon cipën, endospermën dhe embrionin. Masa e 1000 kokrrave ndryshon sipas kultivarëve ose hibrideve dhe lëviz nga 50-100-200g.

Periudha vegjetive e lulediellit zgjat nga 120-180 ditë. Ajo kalon nëpër këto faza: mbirja, formimi i gjetheve, rritja aktive, diferencimi i kulaçit, lulëzimi dhe pjekja. Luledielli nuk ka kërkesa të mëdha ndaj temperaturës. Fara mbin normalisht kur temperatura është 8-10ºC. Në fazat e para duron temperatura të ulëta 6-7ºC nën zero. Tempertaurat optimale për rritje e zhvillim janë 20-25ºC. Temperaturat e larta mbi 30ºC dëmtojnë bimën. Shuma e temperaturave aktive luhatet nga 1600-2800ºC.

Fara që të mbijë thith lagështirë sa 170% e masës së saj.Sistemi i fuqishëm rrënjor bën të mundur që luledielli të kultivohet edhe në toka kodrinore mbi ujë.Luledielli njihet si bima e ditës së shkurtër. Kjo bimë ka vetinë që kulaçi i saj të rrotullohet duke i kthyer gjithmonë faqen diellit. Kjo veti quhet heliotropizëm. Tokat më të mira për kultivim janë ato me përbërje grimcametrike të mesme, me taban të thellë dhe të pasura me lëndë organike.

Luledielli ka kërkesa të mëdha ndaj lëndëve minerale.Ritmet më të larta të marrjes së lëndëve minerale nga toka, bima i ka gjatë nxjerrjes së kulaçit deri në lulëzim. Deri në përfundim të kësaj faze bima ka plotësuar nga toka rreth 70% të nevojave të saj për lëndë minerale. Ndër elementet e ndryshme tërheq më tepër kalium, prandaj quhet bimë kaliumdashës. Meqenëse ka rrënjë të thella, pëlqen punimet e thella të tokës deri në 40-50 cm.

Para mbjelljes bëhet plugimi i dytë i tokës. Shkriftërimet janë të njëjta si për bimët e tjera. Plehërimi bazë bëhet me plehra organike në sasinë 200-300kv/ha, të cilat shpërndahen para plugimit. Shpërndarja e plehrave fosforike, të kaliumit dhe azotike është e njëjtë si për kulturat e tjera. Fara për mbjellje duhet të jetë e pastër dhe me aftësi mbirëse të lartë. Para mbjelljes ajo dezinfektohet me preparate kimike. Në zonën fushore luledielli mbillet në fund të shkurtit deri në fillim të marsit.

Largësia midis rreshtave është 60-70cm. Numri i bimëve luhatet nga 50-60000bimë/ha. Thellësia e mbjelljes është 3-5 cm. Sipas gjendjes së tokës pas mbjelljes mund të bëhet rulim ose thyerje e kores. Kur bimët kanë nxjerr çiftin e parë të gjetheve të vërteta, bëhet rrallimi i bimëve duke lënë numrin e caktuar të bimëve.Kur mbjellja bëhet me makina me preçzion rrallimi nuk është i nevojshëm. Lulediellit i bëhen 2-3 kultivim-prashitje. Kultivim-prashitja e parë bëhen në fazën e 2-3 gjetheve, në thellësinë 8-10 cm, të tjerat bëhen çdo 2-3 javë.
Me kultivimin e parë bëhet edhe shpërndarja e dorës së parë të plehut azotik. Zakonisht plehu azotik, në plehërimin plotësuese, shpërdahet në dy duar. Dora e dytë shpërndahet me kultivimin e fundit.Numri dhe koha e ujitjeve varet nga ecuria e reshjeve dhe tipi i tokës. Zakonisht lulediellit i bëhen 2-3 ujitje. Sëmundjet më të përhapura të lulediellit janë: vrugu, kalbëzimi i bardhë, ndryshku, kalbëzimi i thatë i kulaçit etj., ndërsa dëmtuesit nuk janë shumë të përhapur.