Reklame:

Fermeret qe perfitojne me shume subvencione nga taksapaguesit europiane!

Çuditërisht, nuk janë francezët, por europianolindorët

Gjatë verës që lamë pas, vendet anëtare të Bashkimit Europian u përleshën sa u takon pozicioneve më të rëndësishme të këtij kontinenti, shkruan The Economist.

Por ata nuk u treguan po kaq të zellshëm sa i takon përfundimit të diskutimeve mbi buxhetin shtatëvjeçar të BE-së, apo “kornizën financiare shumëvjeçare” (MFF), të cilat kanë filluar thuajse prej dy vjetësh. Zyrtarët shpresuan të bien dakord për një marrëveshje deri në fund të këtij viti. Edhe pse buxheti u diskutua përsëri më 19 nëntor, mundësitë për arritjen në marrjen e një vendimi final janë të pakta.

Komisioni Europian ka propozuar shpenzimin e 1.1 trilionë eurove (1.2 trilionë dollarë amerikanë), ose 1.1% të të ardhurave të kombinuara kombëtare të BE27 (pa përfshirë Britaninë) gjatë periudhës 2021-2027. Qeveritë kursimtare në veri duan të shpenzojnë jo më shumë se 1%. Disa të tjerë, ndërkohë, duan të bien dakord mbi listën e blerjeve përpara se të bien dakord për faturën që duhet të paguajnë. Një prej çështjeve që ka shkaktuar përherë diskutime është bujqësia, e cila zë 37% “të kornizës aktuale financiare shumëvjeçare”(MFF).

Pasi u kritikua për prodhimin e sasive të tepërta në gjalpë dhe verë, politika e përgjithshme bujqësore (CAP) ka vendosur të reduktojë një pjesë të shpenzimeve të përgjithshme. Komisioni dëshiron të transferojë një pjesë të fondeve nga bujqësia në drejtim të sektorit të kërkimeve dhe teknologjisë. “Kjo do të thotë, për herë të parë, një shkurtim në terma absolutë, rreth 5%, thotë Alan Matthews nga Trinity College, Dublin.

Vende si Franca dhe Irlanda, por edhe vendet e Europës Lindore, duan të mbajnë shpenzimet e bujqësisë në nivelin aktual. Në shkurt, Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, u tha fermerëve se shpenzimet nuk do të zvogëloheshin as edhe me një euro të vetëm. Por rishikimi i të dhënave, mund të bëjë që këto shtete të ndryshojnë mendim.

Franca shpesh akuzohet se nuk do të reduktojë me as edhe një euro të vetëm politikën e përgjithshme të bujqësisë, sepse ajo përfiton pjesën më të madhe të parave. Megjithatë, një masë më e mirë në këtë drejtim është që të shikohen faturat si një pjesë e të ardhurave të fermerëve. Kjo është ajo që bën OECD, një klub me vende kryesisht të pasura, megjithëse ajo llogarit shifrat vetëm për BE-në në tërësi.

Në një studim të kohëve të fundit, studiuesit e Qendrës për Zhvillim Global (CGD) e përpunuan atë për secilin anëtar dhe panë me shumë kujdes sesa subvencione përfitonin fermerët. E parë në këtë mënyrë, fluksi i parave duket mjaft i ndryshëm. Letonia funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme: një e treta e të ardhurave për fermat e saj vijnë nga mbështetja e BE-së.

Greqia dhe Estonia gjithashtu funksionojnë mirë. Edhe pse ato mbështesin subvencionet e fermave, Franca, Luksemburgu dhe Irlanda fitojnë mjaft mirë nga politika e përgjithshme e bujqësisë. Në fund renditen fermerët holandezë, që marrin vetëm 7% të të ardhurave të tyre nga mbështetja e BE-së. Këto ndryshime pasqyrojnë faktin se normat e subvencioneve shpeshherë lidheshin me vlerat historike të prodhimit, ose përcaktoheshin kur një vend i ishte bashkuar BE-së, thotë Ian Mitchell nga CGD.

Pikërisht kjo mund t’i bëjë politikanët dhe fermerët në disa shtete më të prekur nga reduktimet e politikës së përgjithshme të bujqësisë. Prandaj politikanëve do t’u duhej më shumë kohë për të vendosur mbi mënyrën sesi t’i shpenzojnë paratë. Një pyetje në këtë drejtim është nëse fondet duhet të lidhen më ngushtë me përpjekjet për të zvogëluar emetimet e gazit serë. John Springford i Qendrës për Reformën Europiane, vë në dukje se emetimet e fermave janë rritur nga viti 2012, pjesërisht për shkak të rritjes së bagëtive.

Në fillim të muajit nëntorit, një hetim nga “New York Times” zbuloi se politikanët në Hungari dhe vendet e tjera të Europës Qendrore po manipulonin shitjet e tokës për të marrë sa më shumë subvencione, ose duke tërhequr paratë e BE-së drejt vendeve të tyre. Kjo ngre pyetjen nëse BE-ja duhet t’i monitorojë më nga afër fondet e saj.

Pagesat gjithashtu kanë tendencë të lidhen me sipërfaqen e një ferme, që do të thotë që pronarët e mëdhenj të tokave marrin fondet më të mëdha. Komisioni dëshiron të shkurtojë masën e pagesave, por ish-vendet komuniste, ku fermat kanë tendencë të jenë të mëdha, e kundërshtojnë këtë gjë. Mesa duket, taksapaguesit e Europës, do të vazhdojnë “të milen” nga fermerët e Europës Lindore.