Reklame:

Konsumojme 2.5 here me pak se europianet – Eurostat: Sa 39% e nje europiani mesatar, te fundit ne kontinent

Të dhënat më të fundit të Eurostat, që i referohen vitit 2018, tregojnë se, shqiptarët kanë jo vetëm normën më të ulët në Europë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë por edhe normën më të ulët të konsumit për frymë. Ky i fundit fiksohet në vetëm 39% të mesatares europiane, çka do të thotë se, shqiptarët janë në gjendje të blejnë mallra konsumi 2.5 herë më pak se europianët.

Pavarësisht faktit që tregon një nivel mirëqenie që lë goxha për të dëshiruar, numrat tregojnë edhe  se krahasuar me vitin paraardhës, ka progres. Të dhënat e 2017-ës flisnin për një normë konsumi për frymë sa 38% e një europiani mesatar. Në krahasim me shtetet më të pasura ndërkohë, si Luksemburgu, konsumi i shqiptarëve është 3.4 herë më i vogël.

Në krahasim me rajonin, ku në analizën e Eurostat mungon vetëm Kosova, ndjekësja më e afërt është Maqedonia e veriut, me një konsum aktual në 41% të mesatares europiane së bashku me Bosnje Hercegovina.

Malazezët me një normë konsumi në  58% të mesatares europiane duket se janë ata me mirëqenien më të lartë në rajon, madje edhe mbi nivelin e bullgarëve. Edhe për PBB për frymë, shqiptarët janë të fundit në Europë e në rajon, me një normë sa 31% e mesatares europiane thotë Eurostat në të dhënat më të fundit, nga 29% që ishte vitin paraardhës.