Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, qeveria adreson nga fonde buxhetore një shumë prej 3.9 miliardë lekë në mbështetje të zhvillimit rural duke nxitur rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, të bletarisë, agroindustrisë dhe tregjeve të shitjes.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2020 i ka dhënë prioritet mbështetjes së shtuar financiare për fermerët, përmes dy programeve të rëndësishme: Skema e Mbështetjes Kombëtare dhe IPARD II-it.
Sipas të dhënave statistikore, nga fondi 3.9 miliardë lekë , 149 milionë lekë janë financim i brendshëm, 1.9 miliardë lekë janë financim i huaj dhe rreth 2,6 miliardë lekë janë shpenzime kapitale në mbështetje të investime për vepra publike.
Gjatë vitit aktual, prodhimi bujqësor vendas është rritur në 13-15% dhe sot ky sektor ka mbështetjen më të madhe financiare si ndonjëherë nga buxheti i shtetit dhe donatorët.
Rritja e investimeve në bujqësi dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e fermerëve në këto vitet e fundit ka bërë që në harkun kohor 2017-2019, bujqësia të rrisë kontributin e saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto me mbi 2%.
Politikat për zhvillim eficient të bujqësisë kanë rikthyer vëmendjen e fermerit, por dhe të sipërmarrjes për investimeve të reja në bujqësi duke bërë që prodhimi të mos jetë më çështje, por të kërkohen tregje të reja shitje, për të marrë vlerë të shtuar nga bujqësia, blegtoria e agroturizmi.
Në fondet buxhetore për Ministrinë e Bujqësisë komponenti i zhvillimit rural adreson rritje të mbështetjes për prodhimin bujqësor vendas, por edhe për qendrat e grumbullimit dhe eksportet. Ndërkohë programi IPARD II në fazën e dytë të zbatimit të tij aktualisht garanton mbi 56 milionë euro mbështetje.