Java e ardhshme do të sjellë rënie drastike temperaturash dhe erë të fortë, thuajse në të gjithë vendin. Ky është parashikimi më i fundit nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, i cili paralajmëron edhe shoferët, pasi do të ketë ngrica në rrugë, në pjesën më të madhe të vendit.
Java e ardhshme, do të dominohet nga mot i kthjellët me vranësira kalimtare. Përgjatë luginave, do të shfaqet mjegulla lokale në orët e mëngjesit e të mbrëmjes. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, era, përgjithësisht do të ketë drejtim nga verilindja.
“Përkohësisht gjatë këtyre ditëve, do të fitojë shpejtësi. Zonat e erë më të fortë do të jenë ato bregdetare, lugina e Drinit dhe Alpet. Ndikimi i masave të ftohta, verilindore do të sjellë rënie temperaturash si dhe ngrica në rrugë në një pjesë të madhe të vendit” njofton Shërbimi.