Reklame:

Sfidat e prodhimit “Made in Albania”!

Është emri ai që shet. Kjo shprehje, jo rastësisht i ka rezistuar kohës, sepse faktet tregojnë që vendet apo firmat që kanë punuar për të ngritur emrin e tyre duke ofruar cilësinë më të mirë,  i kanë bërë ballë lehtësisht konkurrencës.

E tillë është Gjermania, Italia, Franca, për produkte të ndryshme që prodhojnë, e ndërsa brandi “Made in Albania” është nënvlerësuar gjerësisht. Prodhuesit shqiptarë përballen me sfida të panumërta, duke u nisur nga mungesa e tregjeve, problemet infastrukturore, kostot e larta, dhe mungesa e një emri të mirë, të cilat kanë si pasojë shitjen e produkteve me të paktën 30 për qind më pak se sa duhet si dhe një besim skeptik tek konsumatori i huaj.

Aktualisht prodhuesit shqiptarë mbeten të kiufizuar vetëm në tregun vendas prej 2.5 milionë konsumatorësh.

 Pa treg dhe  të zhvlerësuar

Të gjithë bashkë, në një zë, prodhuesit kërkojnë tregje, duke mos u kufizuar vetëm në tregun shqiptar i cili ka një potencial prej 2.5 milionë konsumatorësh.  Puna e dobët e instituciuoneve përgjegjëse, në drejtim të eleminimit të barrierave doganore me shtetet fqinje, ka bërë që produktet “Made in Albania” të jenë më së shumti të detsinuara për konsum të brendshëm.

“Kemi vetëm 2.5 milionë konsumatorë. Një kompani rumune, bullgare, sot, kur do të shesë, ngarkon produktin dhe e çon në Suedi, Slloven,  Gjermani, Spanjë, një kompani shqiptare nuk e çon sot, sepse duhet të ndalet në doganë, duhet të zhdoganojë. Një kompani rumune, bullgare kur krijohet ka një potencial tregu prej 513 milionë banorësh, një kompani shqiptare sot kur krijohet, e ka potencialin 2.5 milionë banorë. Një kompani shqiptare sot, kur do të eksportojë, qoftë deri në Kosovë,  duhet që ti dalë për zot dikush, një pritës malli atje, që të zhdoganojë produktet dhe më pas t’i çojë në supermarket”, shprehet Sokol KrajaKryetar i Bordit të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.  Sipas tij, nëse biznesi shqiptar vazhdon të ndjekë këtë trajektore, kompanitë e mëdha do të kenë fatin e keq të shndërrohen në kioska. “Në qoftëse do mendojmë të prodhohjmë vetëm për tregun shqiptar, atëherë ne do shndërrohemi në zejtarë dhe në kioska. Sfidat e sotme, janë treg, cilësi, shërbim dhe çmim konkurrues”, thekson Kraja.

Ndërsa brandet e njohura mbizotërojnë dukshëm mbi atë shqiptar, duke bërë që “Made in Albania” të zhvlerësohet me të paktën 30 për qind.  “Shpesh hasim konkurrencë gjermane në treg, italiane. Po të shikoni, të gjithë mallrat “Made in Germany”, janë 30 për qind më shtrenjtë se sa duhet. Pse, sepse ai thotë unë kam orgjinë gjermane.  Ose produktet italiane. Italia mban vendin numër 1 në Europë sot që ka vlerën më të shtuar të produkteve. Në si “Made in Albania”, jua garantoj se produktet i shesim -30 për qind, sepse nuk ka besueshmëri në treg. Shikoni çfarë  rëndësie ka vend ii origjinës nga vjen.

Vendi nga njëherë të ndihmon, po nganjëherë dhe të penalizon”, thekson Sokol Kraja.  E vetmja kërkesë e modeste që kanë prodhuesit shqiptarë, është zgjerimi i tregut të paktën me Kosovën. “Ne kërkojmë të paktën të bashkohemi në tregje me Kosovën,  ndoshta dhe me Maqedoninë e Veriut, që tregu nga 2.5 milionë banorë, të bëhet paktën 5 milionë, jo 500 milionë sa e ka Europa. Duhet që fatura shqiptare e TVSH-së, të njihet në Kosovë, që kamioni kur niset nga Tirana, të mos ndalet në doganë, të shkojë direkt në supërmaket, të shkojë direkt tek pritësi”,  shprehet Sokol Kraja, Kryetar Bordi i Shoqatës Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.

Materialet e ndërtimit rëndohen nga kosot

Prodhimi i materialeve të ndërtimit në vend, vuan peshën e rëndë të kostove, të cilat kufizojnë potencialin për prodhim e si rrjedhim ndikimin në ekonominë vendase, si dhe e bën më pak konkurrente në raport me shtetet e tjera. “Përsa i përket konkurrentëve tanë ndërkombëtare, pengesa qëndron pikërisht këtu, lidhur me eksportet tona.  Ndikimi i taksës së karburantit ka një impakt të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit i cili është rreth 15 për qind.  Të prodhosh një produkt si çimento dhe të kesh disavantazh  prej 15 për qind, është pak e vështirë për tu mbuluar”, shprehet Mario Braçi, Përfaqësues i “Titan Group”.

Sipas tij, kjo taksë e karburantit është një taksë jo e drejtpërdrejtë,  dhe në komunitetin europian nuk aplikohet si taksë për karburantin dhe për aktivitetet prodhuese. Ndërsa sugjeron, që të aplikohet për produktin final, në mënyrë të mos jetë kosto e prodhimit.  “Italia është një nga konkurrentet më të mëdha  dhe ata nuk e kanë këtë taksë, edhe vendet fqinje nuk e kanë këtë taksë që është penalizuese për prodhimin në vendin tonë.  Unë e kuptoj që kjo taksë ka ndikim në buxhet, por ajo çfarë mund të mendoj, është që kjo taksë të aplikohet në prodhuktin final dhe të mos na ndikojë ne në koston e prodhimit. Mund të aplikohet për importin, ne sot pëballemi me konkurrencën e produkteve të importuara dhe kjo mund të sulmojë prodhimin vendas”, thekson ai.

Agroushqimi i “ndaluar”

Nëse ka një industri që është më e penalizuar në drejtim të gjetjes së tregjeve të reja, është ajo e agroushqimit. Problemet me sigurinë ushqimore janë ngritur shpesh si shqetësim në vendin tonë, e teksa bëhet fjalë për eksport, janë edhe më shqetësuese. Ndërsa sa i takon produkteve blegtorale, ende nuk e kemi luksin që ato të jenë të ekspozuara në marketet me logo të huaja.

Dhe në “zemër” të problemit, pengesave e barrierave, shkon Luan Leka, si një ndër më veteranët e këtij tregu. Sipas tij,  problemi më i madh që pengon këtë industri për të dalë në tregjet rajonale, që në fakt ëshhtë domosdoshmëri, fillon që nga besueshmëria e brandit “Made in Albania”.  “Brandi “Made in Albania” për produktet tona nuk është i besueshëm, sepse ne nuk kemi një legjislacion të sigurisë ushqimore, konform legjislacionit europian. Kemi 15 vjet që flasim për një përpjekje për të përafruar legjislacionin, sipas meje e pamjaftueshme. Ne duhet të përputhim legjislacionin.  Duhet të fusim në fuqi rregulloret europiane, ashtu siç janë, pa ndryshime, pa shkurtime, pa shtesa. Është një mënyrë për të qenë të besueshëm, nuk mund të na besojë një konsumator i një vendi të huaj në rast se standardet tona të sigurisë ushqimore janë më të ulëta se standardët e tij”, thotë Luan Leka.

Duke qendruar në këtë linjë, Leka mendon që pika e dytë e domosdoshme është organizimi i një sistem inspektimi effiçient dhe të besushem. “Sot industritë e prodhimeve me origjinë shtazore nuk kanë të drejtën të eksportojnë as një gram në Europë. Ne nuk eksportojmë, as një litër qumësh, as një copë mish qingji, as një kg djathë, asnjë kg sallam. Për fat të keq kjo u ndodh edhe kompanive që kanë ceretfikime ndërkombëtare, nga certefikues ndërkombëtarë.  Sepse sistemi ynë i inspektimit, konsiderohet jo i besueshëm”, thekson ai.

Por problemet e industrisë agroushqimore, e cila është ndër më produktivet në vend, nuk ndalen me kaq.  Taksat dhe sistemi i rimbursimit të TVSH-së i ndryshuar në fillim të vitit, janë sërish kosto që ulin produktivitetin e fabrikave prodhuese në vend. “Kompanitë vendase të përpunimit të mishit, paguajnë  taksa për importin e lëndëve të para. Ndërkohë që produktet konkurruese hyjnë në Shqipëri, pa taksa. Më shumë padrejtësi se kaq, nuk mund t’u bësh kompanive vendase.   Sistemi i rimbursimit të TVSH-së, për produktet që vijnë nga ferma shqiptare, nuk bën të mundur rimbursimin e TVSH-së. Për produktin paguhet TVSH 20 për qind, për blerjen e lëndës së parë, rimbursohet një TVSH 6 për qind.  Pra 14 për qind, bëhet kosto.

Principi i TVSH-së është që të mos jetë kosto, kjo e çon të gjithë sistemin në informalitet,   dhe në mosprioritetin e përdorimit të lëndëve të para vendase. Të gjitha mundësitë janë që ky ligj të modifikohet pa kosto për shtetitnin”, argumenton Luan Leka.

Industria e prodhimit të metalit dhe riciklimit

Një tjetër vështirësi me të cilët përballen prodhuesit shqiptarë për daljen në tregjet globale është infrastruktura dhe kostot e larta, deri të papërballueshme të eksportit. Dhe një ndër shqetësimet që ngrihet, lidhet me tarifat e larta që aplikohen në Portin e Durrësit, i cili është edhe kryesori që përdoret për eksport.

“Si mund të dalim në tregjet botërore ku Shqipëria ka portin më të shtrenjtë në botë? Nga Belgjika ku ne marrim materialet, shkojnë kontenierët nga Belgjika në Indi me 300 dollarë, ndërsa mua nuk më mjaftojnë 300 dollarë për ta shkarkuar nga Porti i Durrësit dhe për ta çuar në ndërmarrjen time që është vetëm 7 km larg nga ky port. Ky fakt duhet ndryshuar. Lëvizja e mallrave nga portet e tjera, në portin e Durrësit është 2-3 herë më e shtrenjtë, qoftë në inport, qoftë në eksport” shprehet Reshat Mansaku, prodhues në industrinë e metalit. Sipas tij, aktualisht portit të Durrësit i mungon infrasruktura e nevojshme dhe ka qenë jashtë vëmendjes së qeverisë për ta përmirësuaratë.

Ndërsa një tjetër problematikë që shtron ai,  lidhur me punën e kompanive të prodhimit, është ajo e energjisë elektrike.  “Një element tjetër i infrastrukturës është energjia elektike.  Ne ende sot nuk kemi energji elektrike stabël. Ndërpritet energjia eleketike në një ndërmarrje prodhuese 7 herë në ditë, është e pafalshme sot, ndërkohë që ne kemi  energjinë elektrike ndër më të shtrenjtat në rajon”, thekson ai.

Ndërsa i kërkon qeverisë që ta bëjë biznesin palë në konsultime, teksa ndërmerr iniciativa ligjore, në mënyrë që ato të mos bëhen të njëanshme dhe në dëm të klimës së sipërmarrjet dhe ekonomisë në tërësi.

Sokol Kraja, Kryetar i Bordit, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

“Importojmë 4.5 miliardë euro mallra dhe eksportojmë 2.5 miliardë euro, bilanci tregtar aktualisht është minus 2 miliardë euro. Në strukturën e eksporteve që ekonomia shqiptare bën, 64 për qind e zë nafta krudo, fasoneria dhe mineralet. 

Pra vetëm 36 për qind, është industria tjetër që ne eksportojmë.  Jemi një ekonomi ku humbasim çdo vit, 2 miliardë euro, të cilat ikin jashtë për shkak të proteve, tregu varfërohet me 2 miliardë euro. Themi konkurrueshmëri. Konkurrueshmëria e kompanive shqiptare është e bazuar vetëm në tregun shqiptar. Një kamion sot që niset nga Greqia nuk ndalet kërrkund, mund të arrijë në Suedi, Finlandë e Gjermani.  Gjithë lufta sot bëhet për tregje.  Biznesi sot ka nevojë për treg. Asgjë më shumë, treg. Në ku shkojmë sot nga Shqipëria?

Ne ndalemi gjithandej. Jemi 28 mijë km katror, ndalemi, nuk dalim dot. Prandaj është e nevojshme vetëm fjala treg.  Evropa këtë e ka bërë për 28 shtete. 28 shtete qarkullojnë me njëri-tjetrin, fatura italiane njihet në Bullgari, fatura bullgare njihet në Spanjë, fatura greke, njihet në Maltë. Ne se kemi këtë. Kjo është ndihma që kërkohet, agjë më shumë.  Tregu të shkojë nga 2.5 milionë banorë, në 5 milionë”. 

Mario Braçi, Industria e materialeve të ndërtimit

“Ne prodhojmë një produkt si çimento, dhe kosto e prodhimit është një element kyç nëse do të duam që të konkurrojmë në tregun ndërkombëtar. Kemi një fabrikë që implementon teknologjinë më moderne në mënyrë që të rrisë efiçiencën dhe kostot tona të prodhimit për më shumë se 60 për qind, varen nga karburanti dhe kostot e karburantit. 

Kostot e karburantit në Shqipëri ndikohen kryesisht nga taksat lokale dhe po flas për taksën e karbonit dhe masën e vendosur të taksës.  Kjo taksë ka një impakt të madh dhe ndikon deri në 50 për qind të kostos.  Ne jemi përballë një pengese. Kemi një potencial shumë të madh përsa i përket prodhimit, i cili mund të përdoret për të rritur kontributin në ekonominë shqiptare. Por me këtë pengesë në koston e karburantit, e kemi të pamundur. Kemi disa kufizime dhe vështirësi të tjera përsa i përket eksportit, logjistika nuk është ideale, porti i Durrësit ka shumë kufizime. Duhen investime të mëdha në infrastrukturë dhe nuk është se kjo pritet të bëhet në afatshkurtër”. 

Luan Leka, Industria agrouishqimore

“Industritë ushqimore, të përpunimit të mishit, të qumshtit, industria e pijeve, përballen sot me konkurrencën e produkteve që vërshojnë në treg nga vendet rrotull dhe Europa, në pjesën dërrmuese pa taksa. Ndodhen përballë një përpjekje të vështirë për të jetuar në tregun vendas. Ne jemi përballur me investime të mëdha për të qendruar në treg, por një treg i vogël si Shqipëri nuk i justifikon, në mënyrë që ato të bëhen efiçiente. Çfarë duhet bërë? Duhet të dalim në tregjet ndërkombëtare.  Edhe brandi “Made in Albania” për produktet tona nuk ndihmon. 

Ka disa reformime në sistemin ligjor, që është shteti ai që duhet ti bëjë për të ndihmuar biznesin.  Duhet të organizojmë një sistem inspektimi eficient dhe të besushem. Edhe në këtë rast, implementimi i rregulloreve europiane për inspektimin, duhet implementuar, duhet respektuar pa të meta, pa shkurtime, pa shtesa dhe pa shpikje shqiptarshe. Investimet janë të rrezikuara nga ky treg i dobët në të cilin punojmë. Bëjmë ligje për t’iu dhënë gjobvave titull ekzekutiv. Inspektori me të drejtë, pa të drejtë, i vë biznesit një gjobë, që shumë herë është dhe e majme. Dhe sapo kalojmë një ligj të tillë që i heqim të drejtën biznesit që të ankohet. I themi ti ke të drejtë, por do paguash njëherë gjobën dhe pastaj ke të drejtë të ankohesh dhe ky është një rrisk për investimin, sepse ka që e paguan, ka që se paguan, ka që ia mban xhepi, ka që s’ia mban xhepi”.  

Reshat Mansaku, industria e prodhimit te metalit dhe riciklimit  

Unë mendoj që Shqipëria ka probleme serioze që i rëndojnë konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptarë.  Ne vazhdojmë të jemi të rënduar me procedura administrative të panevojshme.  Vazhdon të kërkohet leje për të eksportuar në vende të caktuara. Në kushtet kur ne kërkojmë që të shtohen eksportet, një ndërmarrje eksportuese, 25 vjet në treg, sot ka ende nëvojë të marrë leje ekspoeti.  Leje eksporti,  që nuk ekzistojnë në asnjë vend tjeter.

 Në anën tjetër,  nismat ligjore tek ne vazhdojnë të merren të pa studiuara. Shpesh herë në mënyrë jo profesionale dhe jo të nisura nga interesat e ekonomisë në tërësi, por nga interesa anësore, ose në rastin më të mirë të pastudiuara. Në këtë kuadër është shumë e nevojshme që nismat ligjore që kanë lidhje me biznesin,  të mos merren më pa konsultim të qenësishëm me biznesin. 

Konsultimet që bëhen, më së shumti janë formale, që bëhen në fund të procesit, pasi ka përfunduar gjithçka.  Duhet të ndryshoje ligji për konsultimin publik, që nismat ligjore per biznesin të mos merren pa u konsultuar që në procesin fillestar. Që një ekonomi të jetë konkurruese duhet të ekzistojë dhe një infrastrukturë efektive për levizjen e mallrave. Ne prodhojmë produkte cilësore, përpiqemi që kostot ti mbajmë në minimumet e mundshme, por ne nuk kemi një infrastrukturë efektive të transportit dhe eksportitr të mallrave nëpër tregjet globale”. (Nga Elisabeta Dosku/SCAN Magazine)