Programi IPARD II i bashkëfinancuar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian, mbështet me grante investimet në sektorin rural sipas standardeve të përcaktuara nga BE.
“Aplikantët në programin IPARD II, për të gjithë zërat e shpenzimeve të pranueshme duhet të dërgojnë tre (3) oferta nga ofertues të pavarur që pasqyrojnë një kërkim real dhe të pavarur të çmimeve të tregut. Paraqitja e ofertave jo-reale, ose nga shoqëri jo të pavarura sjell refuzimin e aplikimit”, njofton Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) zbatuese e këtij programi.
Sipas AZHBR-së, norma bazë e përfitimit nga Masa 1 është 60% për fermerët e rinj është 65% dhe për zonat malore 70% .
Brenda një mase lejohet vetëm një aplikim për subjekt. Për çdo investim të propozuar aplikantët duhet që t’i referohen Listës së Shpenzimeve të Pranueshme dhe në varësi të sektorit që do të aplikojnë do të gjejnë në këtë listë investimet e pranueshme.
Tarifat bankare, kostot e garancive dhe detyrime të tjera të ngjashme janë shpenzime të pa pranueshme në programin IPARD II, citon AZHBR.
Aplikimet për të përfituar grant nga ky program janë hapur deri më 15 janar 2020.(ATA)