Reklame:

Çmimet e sallameve u rriten me 10% me 1 janar, pritet shtrenjtim dhe i mishit vendas, ja arsyet

Me datën 1 janar 2020 të gjitha fabrikat e përpunimit të mishit në vend rriten në mënyrë të unifikuar çmimet me rreth 10 për qind për të gjithë prodhimet e tyre.

Një kilogram kremviçe e tymosur kushtoi pas 1 janarit me shumicë 690 lekë nga 640 lekë që ishte deri në ditën e fundit të dhjetorit 2019. Gjithashtu çmimet u rriten me 50-70 lekë për kilogram edhe për pancetën dhe proshuten, sipas listës bashkëngjitur. Për pasojë shitësit e pikat e pakicës e kanë reflektuar të gjithë rritjen e çmimit në konsumatorët fundor.

Administratoret e fabrikave të përpunimit të mishit në vend pohuan se, rritja e çmimeve erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të mishit të derrit me rreth 40 për qind në tregjet globale.

Luan Leka i cili zotëron fabrikën më të madhe të përpunimit të mishit në vend EHW, tha se prej vitit të kaluar kostot e industrisë janë rritur se tepërmi nga rritja e çmimeve të mishit të derrit në tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje, sipas Lekës, është nxitur nga sëmundja e murtajës së derrit në Kinë e cila ka çuar në eliminimin e rreth 200 milionë derrave vitin e kaluar. Kjo zhdukje masive e derrave në Kinë ishte e barabartë me të gjithë prodhimin vjetor të mishit të derrit në Europë.

Prej kësaj ngjarje çmimit e mishit të derrit në Kinë gjatë vitit të kaluar u rriten me 100%, ndërsa presioni i kërkesës së Kinës në furnizuesit e mëdhenj si Brazili etj e çuan çmimin në rang global me rreth 40%.

Leka tha se, çmimet e reja nuk reflektojnë të gjitha kostot që vijnë nga importi. Çmimet e importit përbëjnë 70 për qind të kostos, pasi fabrikat e përpunimit në vend kanë si lëndë të parë kryesisht mishin e derrit. Vitin e kaluar këto kosto për fabrikat shqiptare ishin 30 për qind më të larta, teksa çmimet janë rritur 10 %. Leka tha se çmimet do të vijojë të rriten edhe në dy vitet në vijim për të mbuluar në mënyrë graduale humbjet që po krijohen nga çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo rritje e nënprodukteve të mishit do të çojë në një rritje zinxhir në çmimet e të gjitha produkteve të mishit, që nga prodhimi vendas tek mishi i vicit, derrit, pulës dhe peshkut. Kjo tendencë është vënë re edhe herët e kaluara, ku çdo rritje në çmimet e mishit të importuar reflektohet edhe në prodhimin vendas dhe në llojet e tjera të mishit të importuar.(Monitor)

Lista e përditësuar e çmimeve të sallmrave me shumicë: