Ne pritje te 100 vjetorit te Kongresit Kombetar te Lushnjes nje ngjarje historike per te gjithe shqiperine, nga Editori i gazetes Dielli ne SHBA Dalip Greca vjen nje fjalim i Fan Nolit ne vitin 1924 per kete Kongres.
Fan S Noli, në seancën e Parlamentit Shqiptar, më 11 shkurt 1924, duke mbajtur një fjalim të shkëlqyer në nderim të Presidentit Amerikan Wilson, ndër të tjera tha: Në Amerikë shqiptarët themeluan Kishën Kombëtare, një bimë të rritur me djersën e punëtorëve tanë të atjeshëm, e cila pastaj u transplatua në Shqipëri…
Atje u themelua Vatra, shërbimet e së cilës, sot për shkake të ndryshme nuk cmohen si e meritojnë, por do të vijë një ditë, që do të cmohen ashtu si duhet.
DHE KONGRESI I LUSHNJËS ka buruar indirekterisht prej VATRËS. Guvernën e Lushnjës e precedoi Guverna e Durrësit, së cilës koha do t’i japë një faqe të Historisë sonë, se pa të dytën nuk bëhej e para. E mirë, a e ligë, Guverna e Durrësit ka qënë Mëma e Guvernës së Lushnjës.
Që të gjithë e dini se Guverna e Durrësit u organizua nën kryesinë dhe me iniciativën e një delegacioni të “Vatrës”, të dërguar për këtë qëllim me para të Amerikës.
Në këtë, mund të shtojmë që, nga të paktat libra letrare që kemi, gjysmat, të paktën, janë shtypur me paratë e shqiptarëve të Amerikës. Pas fakteve të sipërme që numërova, është e tepërt të them që rilindja kombëtare do të ishte vonuar kushedi sa vjet, sikur të mos ekzistonte kurbeti i Amerikës.
Ndërsa në Boston, duke folë me rastin e 50 vjetorit të Vatrës, në nëntor 1962, Noli, ndër të tjera tha: Nuk ka ngjarje ku të mos ketë marrë pjesë VATRA. Edhe në Kongresin e Lushnjës ne kishim atje Dr. Mihal Turtullin, ish delegati i Vatrës, kishim Mehmet Konicën, ish ambasadori i vatrës për 4 vite në Evrope.
Në të vërtetë Fryma e Vatrës ishte atje, në Lushnjë, ndërsa Banda Kombëtare e Vatrës dhe Trupat e Vullnetare të Vatrës do t’i përgjigjeshin frymës së Kongresit dhe do të mbërrinin në Shqipëri, dy muaj pas kongresit, pas ftesës të Kryeministrit Sulejman Delvina.(Dalip Greca)