Reklame:

Instat: Kerkese e dobet nga konsumatoret – Ne Shqiperi eshte me e ulet se mesatarja e BE-se

Shqipëria regjistroi edhe për dhjetorin 2019 një rritje të çmimeve të konsumit më të dobët se mesatarja e Bashkimit Europian. Instat raporton se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në fund të vitit të kaluar rezultoi 1.4%, ndërsa mesatarja e Unionit ishte 1.6%.

Sipas Instat, rritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve, për dhjetorin dhe për gjithë vitin 2019 në përgjithësi, ka ardhur kryesisht nga grupi i ushqimeve. Për dhjetorin, ky grup kontribuoi me 1.2 pikë përqindje ose mbi 85% të rritjes totale të çmimeve.

Ecuria e indeksit të harmonizuar vitin e kaluar ka qenë në linjë me indeksin kombëtar të çmimeve të konsumit, që përfaqëson edhe normën zyrtare të inflacionit. Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga Instat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.

Rritja e dobët e çmimeve dhe struktura e rritjes, e dominuar kryesisht nga produktet ushqimore, tregojnë se përmirësimet e kërkesës së brendshme janë ende të pamjaftueshme për të mundësuar shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese dhe për të gjeneruar presione inflacioniste domethënëse. Pritet që kjo të përcaktojë një politikë monetare stimuluese edhe gjatë vitit 2020, me norma interesi që pritet të ngelen pranë niveleve më të ulëta historike. (SCAN)