“Një nga pesë kolonat e strategjisë së qeverisë shqiptare është përmirësimi i shërbimit të ujit të pijshëm për të gjitha qytetet dhe zonat rurale”.
Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Lushnja, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri, që garanton furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për mbi 50 mijë banorë.
“Fakti që sot, me këtë ndërhyrje ne do të arrijmë të ofrojmë ujë 24 orë për të gjithë qytetarët do të jetë një ndryshim i madh, që do të ndihet. T’u ofrosh 85% të qytetarëve shërbim të pandërprerë, për më tepër cilësor, me depo të kontrolluara, me kushte higjene të parametrave dhe kritereve europiane është mjaft e rëndësishme”, theksoi Balluku.
Investimi i ujësjellësit të ri, vjen si pjesë e Programit Infrastruktura Bashkiake IV, me financimin e KFW dhe SECO.

“Ne jemi të angazhuar për të vazhduar me projekte të mëtejshme. Jemi të angazhuar për të mbështetur bashkitë dhe ajo që është më e rëndësishme është që ky lloj incentivimi përmes performancës, që të gjithë ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të performojnë që të mbështeten financiarisht, është shumë e rëndësishme, pasi ka dhënë rezultatet e para. Ne sot shikojmë sesi shumë nga këto ndërmarrje, deri pak kohë përpara të fjetura, sot janë incentivuar dhe ndihet ndryshimi dhe në ritmin e tyre edhe në cilësinë e shërbimeve që ata ofrojnë”, nënvizoi Balluku.

Björn Theis, drejtori i zyrës së KfW në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe AKUM, duke shtuar se ky investim është pjesë e një programi të madh që KfW ka me MIE për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve. “Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me
ministrinë, me AKUM, me ujësjellësin e Lushnjes. Performanca e ndërmarrjes është çelësi për të siguruar shërbim të mirë për qytetarët, për të siguruar investime. Ky investim është pjesë e një programi të madh që kemi së bashku me ministrinë tuaj për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne si KfW jemi shumë të lumtur që në emër të qeverisë gjermane jemi ngarkuar me zbatimin e këtyre programeve”, u shpreh Theis.

Brenda vitit 2020, Qeveria Shqiptare nëpërmjet AKUM do të fillojë një investim tjetër të rëndësishëm në Bashkinë e Lushnjes duke rinovuar afro 6 kilometra linjë kryesore transmetimi nga rrethrrotullimi Grabianit deri në stacionin e pompimit, duke evituar kështu humbjet dhe abuzimet në rrjet.(ATA)