Reklame:

Investimi ne Ujesjellesin e Lushnjes/ Balluku: Furnizim 24 ore me uje te pijshem brenda vitit 2021

“Një nga pesë kolonat e strategjisë së qeverisë shqiptare është përmirësimi i shërbimit të ujit të pijshëm për të gjitha qytetet dhe zonat rurale”.

Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga Lushnja, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri, që garanton furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për mbi 50 mijë banorë.
“Fakti që sot, me këtë ndërhyrje ne do të arrijmë të ofrojmë ujë 24 orë për të gjithë qytetarët do të jetë një ndryshim i madh, që do të ndihet. T’u ofrosh 85% të qytetarëve shërbim të pandërprerë, për më tepër cilësor, me depo të kontrolluara, me kushte higjene të parametrave dhe kritereve europiane është mjaft e rëndësishme”, theksoi Balluku.
Investimi i ujësjellësit të ri, vjen si pjesë e Programit Infrastruktura Bashkiake IV, me financimin e KFW dhe SECO.
Ministrja garantoi angazhimin për të vijuar me investime të tilla edhe në zona të tjera të vendit, teksa solli në vëmendje edhe faktin se një ndër kriteret kryesore të investimeve të tilla është edhe performanca e vetë këtyre ndërmarrjeve.
“Ne jemi të angazhuar për të vazhduar me projekte të mëtejshme. Jemi të angazhuar për të mbështetur bashkitë dhe ajo që është më e rëndësishme është që ky lloj incentivimi përmes performancës, që të gjithë ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të performojnë që të mbështeten financiarisht, është shumë e rëndësishme, pasi ka dhënë rezultatet e para. Ne sot shikojmë sesi shumë nga këto ndërmarrje, deri pak kohë përpara të fjetura, sot janë incentivuar dhe ndihet ndryshimi dhe në ritmin e  tyre edhe në cilësinë e shërbimeve që ata ofrojnë”, nënvizoi Balluku.
Për deputetin Bashkim Fino, investimi për ndërtimin e ujësjellësit të Lushnjes është një ndër investimet më të mëdha që po i bëhen në këtë bashki. “Ky investim është nga investimet më të mëdhenj që Lushnja po merr. Brenda vitit 2021 do kemi ujë në 85 përqind të zonës urbane. Kjo është një punë e mirë e qeverisë shqiptare që ka bërë prej kohësh dhe po e bën realisht në shumë qytete kryesore të Shqipërisë”, tha Fino.
Björn Theis, drejtori i zyrës së KfW në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe AKUM, duke shtuar se ky investim është pjesë e një programi të madh që KfW ka me MIE për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve. “Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me ministrinë, me AKUM, me ujësjellësin e Lushnjes. Performanca e ndërmarrjes është çelësi për të siguruar shërbim të mirë për qytetarët, për të siguruar investime. Ky investim është pjesë e një programi të madh  që kemi së bashku me ministrinë tuaj për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne si KfW jemi shumë të lumtur që në emër të qeverisë gjermane jemi ngarkuar me zbatimin e këtyre programeve”, u shpreh Theis.
Brenda vitit 2020,  Qeveria Shqiptare nëpërmjet AKUM do të fillojë një investim tjetër të rëndësishëm në Bashkinë e Lushnjes duke rinovuar afro 6 kilometra linjë kryesore transmetimi nga rrethrrotullimi Grabianit deri në stacionin e pompimit, duke evituar kështu humbjet dhe abuzimet në rrjet.(ATA)