Reklame:

Coca-Cola vendoset ne Shqiperi – Te gjitha investimet do jene ne Tirane

Kompania italiane e “Coca-Colës”, pas paralajmërimeve të shumta, tashmë ka vendosur; do të transferojë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit, nga Italia, në Shqipëri. “Që nga sot preferojmë të bëjmë investime në impiantin që kemi në Tiranë. Do të shfuqizojmë në maksimum impiantin tonë në Catania dhe do të zgjerojmë atë të Tiranës.

Gjithçka do të fillojë prej muajit Tetor, kur edhe do të rrisim çmimet ndërkohë që të ardhurat e kompanisë do të bien”-deklaroi Luca Busi, drejtues i “Sibeg” në Itali, kompanisë që ambalazhon “Coca-Colën” në Itali, kompani e cila zotëron edhe kuotat e mazhorancës së “Coca-Cola” bottling albania (CCBA), kompanisë simotër e cila ka ekskluzivitetin e “Coca-Colës” në Shqipëri.

Vendimi vjen pasi në muajin Tetor të këtij viti në Itali do të hyjnë në fuqi dy taksa të reja; ajo mbi plastikën dhe ajo mbi sheqerin. Pritet që këto dy taksa të ulin me 27% të ardhurat e kompanisë, duke e detyruar të transferojë një pjesë të madhe të linjës së prodhimit drejt Tiranës, ku regjimi fiskal është më i favorshëm. Kundër taksës kanë dalë edhe disa parti të rëndësishme politike në Itali, si partia më e re e krijuar nga ish kryeministri Matteo Renzi apo Partia e “Ligës” së Salvinit.