Reklame:

Energjia e rinovueshme – Eurostat: 34.9% e konsumit final ne Shqiperi eshte energji e paster, ne BE vetem 18%

Në Europë janë vetëm 5 shtete të tjera të cilat kanë përqindje më të lartë se Shqipëria të energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë, dhe këto shtete janë: Norvegjia, Letonia, Suedia, Mali i Zi dhe Danimarka. Të dhënat më të fundit të Eurostat që i referohen vitit 2018 tregojnë se në Shqipëri norma e energjisë së rinovueshme mbi totalin e energjisë së konsumuar fiksohet në 34.9%, në rritje të lehtë krahasuar me vitin paraardhës.

Objektivi i autoriteteve shqiptare ndërkohë fiksohet në një normë në 38% brenda vitit aktual. Duke pasur parasysh se të dhënat e vitit 2019 nuk janë ende përfundimtare ky objektiv duket mëse i realizueshëm. Në Bashkimin Europian norma mesatare e peshës së energjisë së rinovueshme mbi totalin e energjisë së konsumuar fiksohet në 18%.

Ndërkohë, për pjesën dërrmuese të ekonomive dhe industrive më të mëdha të kontinentit të vjetër, si: Gjermania, Franca, Italia apo Mbretëria e Bashkuar, kjo normë është shumë e ulët. Përdorimi i burimeve jo të rinovueshme për të prodhuar energji elektrike është një kërcënim mjaft serioz për mjedisin, duke bërë që Bashkimi Europian të vendosë objektiva të qartë.