Reklame:

Shpronesimet per projektin TAP/Miratohet vendimi per pronat ne Berat, Skrapar, Fier, Lushnje, Devoll dhe Korçe

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm, për periudhën 6 (gjashtë) deri 12 (dymbëdhjetë) muaj dhe vendosjen e servitutit mbi pasuritë e paluajtshme, pronë private, për interes publik, që preken nga punimet për testimin me ujë të tubacionit, si dhe përfundimi i punimeve dhe mbrojtja e tubacionit, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (projekti TAP), në zonat Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë.

Vendimi përcakton se shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri, bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, të paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 20 milionë e 932 mijë e 700lekë  për sipërfaqet:

a) 3 486 (tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) m² që shpronësohet;

b) 359 058 (treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e pesëdhjetë e tetë) m² që merret në përdorim të përkohshëm.

Vendimi përcakton se marrja në përdorim të përkohshëm, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë për periudhën 6 (gjashtë) deri 12 (dymbëdhjetë) muaj, për zonat e nevojshme për testimin me ujë të tubacionit, si dhe përfundimi i punimeve dhe mbrojtja e tubacionit, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.

Vlera e përgjithshme, prej 20 milionë  e 932 mijë e 700 lekë përballohet nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 16 milionë e  724 mijë lekë përballohen po nga shoqëria TAP AG.

Afati i përfundimit të shpronësimit do të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht, Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin që do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit. (SCAN)