Reklame:

Kosove: Zyrtarizohet marreveshja VV-LDK, Pritet votimi i qeverise ne Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht kanë konfirmuar se janë pajtuar për bashkëqeverisje në mandatin 4 vjetët e ardhshme.
Krerët e të dyja partive Albin Kurti e Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët për mediat thanë se kjo marrëveshje është në dobi të Kosovës.

“U takuam dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër që ta zgjedhim qeverinë e re. Ne tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen e jemi marrë vesh për të gjitha, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverise së re”, deklaroi Kurti.

Ndërsa Mustafa u shpreh se marrëveshja është në dobi të Kosovës.
“Besojmë se është një marrëveshje e mirë. Në interest ë ndryshimeve që duhet të ndodhin në vendin tonë. Kemi ardhur bashkarisht në një zgjidhje të cilën e vlerësojmë se është zgjidhja e duhur për Republikën e Kosovës”, tha më tej Mustafa.

Sa i përket postit të kryeparlamentarit, Kurti tha se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje por do të vijë në ekzekutiv. Ndërsa, nesër VV do të propozojë një emër të LDK-së për kryetar të Kuvendit.

Kurse, Mustafa tha se janë pajtuar që posti i presidentit mos të jetë pjesë e kësaj marrëveshje. Qeveria Kurti do t’i ketë 15 ministri dhe 33 zëvendësministra.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë të hënën qeverinë e re Kurti, dy ditë pa u bërë 4 muaj nga zgjedhjet e parakoshme në Kosovë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit në korrik të 2019-ës”, deklaroi Kurti. Tashmë deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të votojnë qeverinë e re Kurti të hënën me 3 shkurt.