Reklame:

Ndryshimet e herepashershme te skemave mbeshtetese ne bujqesi po çorientojne sektorin, blegtoret ne mbijetese, perpunuesit e qumeshtit ne veshtiresi

Blegtorët shqiptarë prej vitesh vuajnë mungesën e politikave të qarta mbështetëse. Në kufijtë e mbijetesës, një pjesë po shkon drejt mbylljes, ndërsa pjesa tjetër ka vendosur të mos e zgjerojë më tej tufën e bagetive.
Ndryshimi i skemës së TVSH-së vitin e kaluar dhe zëvendësimi me rimbursimin 10 lekë për litër qumësht, përkeqësoi më tej situatën e fermerëve të vegjël, të cilët në dy muajt e fundit thonë se nuk e kanë përfituar subvencionimin. Nga ana tjetër, mungesa e prodhimit vendas ka bërë që një pjesë e kompanive vendase, të cilat kanë njohur zgjerim të vazhdueshëm, të drejtohen në vendet e rajonit për lëndë të parë, kryesisht në Serbi.
Veshtiresite e subvencionimit te qumeshtit
Edhe ndryshimet e herëpashershme të skemave mbështetëse nuk i kanë dhënë qëndrueshmëri fermerit në aktivitetin e tij. Në muajin prill të vitit që lamë pas, Ministria e Bujqësisë, pas uljes së TVSH-së së rimbursueshme nga 20 në 6%, ndryshim që u shoqërua me protesta nga fermerët, të cilët lanë me qumësht rrugët, u vendos masë rimbursuese me 10 lekë për litër.

Sikurse shprehen fermerët, por pohojnë edhe kompanitë e mëdha të grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, jo të gjithë fermerët kanë arritur të përfitojnë.

Luis Ndreka, një prej drejtuesve të kompanisë Lufra, shprehet se nëse këtë vit nuk parashikohet një fond më i madh për subvencionimin e fermerëve, edhe viti 2020 do të jetë po kaq i vështirë për të gjithë zinxhirin e prodhimit, grumbullimit dhe përpunimin e qumështit. Ndërkohë, ndryshimi i skemës ka rritur kostot për industrinë e përpunimit. Saimir Begaj, përfaqësues i “Erzenit”, thotë se vetëm për vitin 2019 ka paguar 40 milionë lekë më shumë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, apo sa 80% e fitimit vjetor të kompanisë.

Qeveria e mori këtë masë nxitur nga kompensimet abuzive në disa zona, nisur nga fakti se çmimet e produkteve bujqësore nuk janë të monitoruara apo të kuotuara në një bursë, dhe administrata shtetërore e ka të pamundur të verifikojë nëse përpunuesi i ka dhënë fermerit 20% apo 6% mbi çmimin e tregut.

Nikolin Jaka, nga “Zepa Natyral”, sqaron se menjëherë pas hyrjes në fuqi në 2019-n, skema e re nxori defektet e ligjit për TVSH-në. Për të korrektuar situatën e krijuar në treg nga skema e re e rimbursimit të TVSH-së, qeveria propozoi skemën e rimbursimit të fermerëve me 10 lekë për litër qumështi të dorëzuar pranë pikave të grumbullimit/përpunimit, duke krijuar një nxitje për negocimin potencial të çmimeve midis palëve, si dhe nxitjen e formalizimit të fermerëve.

Megjithatë, sipas Jakës, ajo çfarë u konstatua në praktikë ishte kufizimi i vlerës maksimale të rimbursimit për fermer deri në 700 000 lekë në vit, e barasvlershme me 70 tonë qumësht në vit (prodhimi i qumështit nga 20-25 krerë lope për fermë).

“Për të përfituar kompensimin, fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore, gjë që nxit pozitivisht fermerët e vegjël për të formalizuar shitjet, por pa ndikuar ndjeshëm te fermerët e mesëm, të cilët janë edhe tregu potencial për grumbullimin e qumështit. Kjo skemë u zbatua nga muaji maj deri në mes të nëntorit 2019, ku u përfshinë rreth 3 220 fermerë, duke krijuar një efekt zbutës të skemës së rishikuar për rimbursimin e TVSH-së në masën 6% për fermerët, por pa e sfumuar vrimën e zezë të krijuar te hallkat e tjera të zinxhirit të prodhimit të qumështit”, thotë Jaka. Aktualisht, sipas kompanive grumbulluese, çmimi i blerjes së qumështit nga fermeri është 45 – 60 lekë me TVSh.

Për çdo litër qumështi të grumbulluar nga fermerët e vegjël, kompanitë përpunuese regjistrojnë në bilancet e tyre, TVSH të rimbursueshme nga shteti në vlerë rreth 2.7 lekë/litër (pra 6% të çmimit të blerjes së qumështit nga fermeri). Kur kompania përpunuese e shet litrin e qumështit në treg, do të shtojë në koston e përpunimit edhe normën e TVSH-së prej 20%.

Detyrimi që i lind kompanisë përpunuese për skemën e TVSH-së, do të jetë minimalisht në vlerë 10.7 lekë për një litër qumësht. Pra, detyrimi neto i TVSH-së, për të cilin përpunuesi ekspozohet ndaj shtetit, për çdo litër qumësht të blerë nga fermerët e vegjël, përllogaritet të jetë minimalisht 8 lekë/litër apo rreth 3 herë vlera e TVSH-së së rimbursuar nga shteti.
Po pimë qumështin e rajonit

Importet e produkteve bulmetore njohën një zgjerim të fortë në vitin 2019. Importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme të këtij grupi, u rritën me 22% në peshë  dhe 17% në vlerë. Kështu, të dhënat e INSTAT-it referojnë se për 12 muajt e vitin 2019 u importuan 23.4 milionë kg produkte bulmetore me një vlerë 3.8 miliardë lekë. Që prej viti 2013, importet e produkteve bulmetore në vend janë rritur më shumë se 70% në sasi dhe po aq në vlerë.

Të dhënat më të detajuara për kodin doganor 0410, i cili i referohet qumështit, tregojnë se për vitin 2018 (të dhënat për 2019-n ende nuk janë publikuar), janë importuar 9.2 milionë kg qumësht, apo 7.1 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2014, Shqipëria importoi 50% më shumë qumësht nga jashtë.

Kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit thonë se janë detyruar që të drejtohen për të blerë në rajon për shkak të mungesës së prodhimit vendas, i cili nuk mjafton për të përmbushur kërkesën e tyre dhe të tregut për produkte bulmetore. Për çdo vit për ta po bëhet më e vështirë për të plotësuar nevojat dhe për këtë detyrohen të importojnë nga vendet e rajonit, shpeshherë edhe me çmim më të lirë se mund ta marrin në Shqipëri, kjo për shkak se vendet e rajonit kanë kosto më të ulëta dhe fermat marrin mbështetje dhe subvencione.

Një nga problematikat kryesore të hallkës së parë të zinxhirit të këtij sektori është fragmentarizimi i fermave. Sipas Nikolin Jakës, nga “Zepa Natyral”, vetëm 12% e sasisë së qumështit të prodhuar në vend është e destinuar për t’u përpunuar nga kompanitë e përpunimit. Thuajse 60% e fermave në Shqipëri kanë vetëm një lopë dhe kryesisht qumështi i tyre është për përdorim vetjak familjar.

Shumica e fermave të qumështit të lopës (rreth 59% e tyre) rezultojnë të kenë vetëm 1 lopë, kryesisht për përmbushje të nevojave për konsum vetjak. Rreth 60% e qumështit të prodhuar konsumohet direkt nga ferma pa kaluar në zinxhirin e përpunimit dhe kontrollit të produkteve ushqimore. Rreth 33% e fermave të mbetura vlerësohet të kenë 2-3 lopë dhe mund të konsiderohen si ferma hibride, pra që prodhojnë për konsum vetjak apo dhe për të shitur.

Nga totali i fermave të regjistruara, vetëm 8%, apo rreth 13 mijë ferma përbëjnë ofertën potenciale të sektorit përpunues, pasi kanë më shumë se 4-5 lopë dhe paraqesin interes për grumbulluesit. Për sa u përket fermave të mëdha, të cilat pretendohet të kenë standarde më të larta të zbatuara mbi cilësinë dhe kontrollin e qumështit të prodhuar, raportohen rreth 1 748 të tilla (1% e fermave), me një numër më të madh se 11 krerë lopë, të cilat kanë një orientim më të fortë drejt tregut dhe një potencial më të lartë për investime shtesë në të ardhmen. (Monitor)