Shtrenjtimi i ushqimeve dhe qirave duket se kanë dhënë efektin e pritshëm në rritjen e inflacionit këtë fillimviti. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se në janar ky tregues arriti në 1,5% nga 1,1% që ishte në dhjetor, por mbetet sërish në nivele anemike, çka tregon për një konsum të dobët. Kjo ecuri është shumë më e ulët se objektivi prej 3% i Bankës së Shqipërisë.
Rritjen më të madhe të çmimeve muajin e kaluar e kanë pësuar ushqimet, veçanërisht frutat dhe perimet, pas mbarimit të prodhimit vendas.
Ndërkaq, një shtrenjtim ka parë edhe tregu i qirave për shkak të tërmetit, ku shumë familje mbetën të pastreha, duke bërë që të rritet kërkesa për apartamente dhe banesa, veçanërisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Edhe grupi i duhanit dhe pijeve alkoolike ka shënuar rritje të lehtë gjatë muajit të kaluar, duke bërë që qytetarët të paguajnë më shtrenjtë për këto produkte.
Rreziku i tkurrjes së konsumit dhe pasiguria e qytetarëve e bizneseve për të shpenzuar duket se do të vazhdojë gjatë gjithë vitit, ndikuar ndjeshëm tërmeti i 26 Nëntorit, duke sinjalizuar një goditje të fortë për ekonominë.(A2)