Reklame:

Importi i mishit ne Shqiperi – SHBA merr kryesimin ne 2019

Përgjatë të gjithë vitit të kaluar, Shqipëria ka importuar plot 41.2 milionë kilogram mish dhe të brendshme të ngrënshme mishi, ndërkohë që vitin paraardhës, shifra fiksohej në 39.7 milionë kilogram, pra në rritje me 3.7%. Një shifër e tillë, pra, rreth 41 mijë ton mish importi përkthehet në rreth 14 kilogram për frymë në vit. Por, nga vjen më së shumti mishi i importuar? Këtu kemi të bëjmë me një risi që ka sjellë 2019-a, pasi nuk është më Brazili vendi kryesor i importit të mishit, në sasi.

Tashmë Shtetet e Bashkuara janë vendi numër një i importit të mishit në Shqipëri, me rreth 10 milionë kilogram, nga rreth 7.2 milionë kilogram të Brazili. Pra, ndërkohë që në 2019-ën, krahasuar me 2018-ën, importi i mishit në sasi nga SHBA është rritur nga 6.4 milionë kilogram, në 10 milionë të tilla, në Brazil ka rënë nga 10.9 milionë kg, në 7.3 milionë. Por, pavarësisht kësaj, në vlerë vijon të jetë Brazili në vend të parë, me 1.6 miliardë lek kundrejt rreth 1 miliard të SHBA-ve.

Të dhënat sinjalizojnë se, çmimi për një kilogram mish nga Brazili fiksohet në 223 lekë, ndërsa ai që vjen nag SHBA është më shumë se dy herë më i lirë, në 105 lek për kilogram. Çmimi i referohet zërit të “mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme të mishit”. Kjo duket të jetë edhe arsyeja kryesore e rritjes së ndjeshme të peshës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në importin e mishit në vendin tonë. Pas SHBA dhe Brazilit si vendet kryesore importuese të mishit në vendin tonë figurojnë edhe Greqia, Italia, Gjermania, Polonia dhe Belgjika.