Prodhimi bujqësor pa planifikim dhe me hope për disa artikuj bujqësore që konsumohen shumë në tregjet shqiptare ka shkaktuar ndryshime ekstreme ne çmimet e shitjes së tyre me pakicë.
Në janar të vitit 2020 çmimet e zarzavateve ranë me gati 1 për qind në raport me një vit më parë raportoi INSTAT. Ulja erdhi për shkak të bazës së lartë krahasuese me një vit më parë.
Në janar të vitit 2019 çmimet e patateve, qepëve dhe karotës panë një rritje të pazakonte me mbi 30 për qind për shkak të mbjelljeve të kufizuara nga fermerët. Për shkak të superprodhimit në vitin 2018, vit në të cilin ato raportuan humbje për shkak të çmimeve të ulta, fermerët kufizuan prodhimin në vitin 2019.
Situata e u përsërit për të kundërtën, kur çmimet e larta të vitit 2019 nxitën më shumë mbjellje për sezonin dimëror të vitit 2020, duke sjellë furnizim të bollshëm në tregje e për pasojë edhe çmime me te ulta për zarzavatet kryesisht në ketë periudhë.
E kundërta po ndodh me çmimet e frutave. Në muajt e parë të vitit 2020 çmimet e frutave pësuan rritje sistematike, duke shfaqur një sjellje të kundërt me çmimet e perimeve. Prodhimet e frutave tipike të dimrit molla, mandarina dhe portokalli nga vendi ishin të kufizuara ketë vit duke sjellë çmime të larta në tregje.
Çmimet e frutave janë rritur mesatarisht me 18 % në janar 2020 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për frutat më të konsumuara, portokallet dhe mandarinat dhe mollët çmimet janë dyfishuar. Një kilogram mandarina në pikat e shitjes me pakicë kushton nga 150-250 lekë nga 80-120 lekë që kushtonte në janar të vitit 2019.
Tregtarët e pakicës e shpjegojnë rritjen e çmimeve të specifikisht për frutat me mungesën e prodhimit vendas, teksa pohojnë se molla dhe portokallet po vijnë kryesisht nga Italia dhe Greqia.
Vitin e kaluar eksportet e frutave, perimeve dhe zarzavateve shënuan rritje vitin që shkoi me mbi 10 për qind.
Sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme mësohet se frutat dhe perimet e prodhuara në vend realizuan rreth 10,4 miliardë lekë ose 84 milionë euro vlerë shitjesh në tregjet jashtë vendit në raport me 9.5 miliardë lekë ose 77 milionë euro të realizuara gjatë vitit 2018. Por megjithë këtë, rritje Shqipëria mbetet e fundit në rajon për volumin e prodhimeve bujqësore dhe se ende është një vend që ende importon fruta dhe prime për nevoja të konsumit të brendshëm.
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë importuar 9.4 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro fruta dhe zarzavate nga jashtë vendit. Kjo vlerë përben 90 për qind të vlerës së eksportit të këtyre produkteve.(Monitor)