Një supermarket synon t’i bëjë fermerët rumunë që të paguajnë taksat. Por deri më tani ka rezultuar i pasuksesshëm
Supermarketi i ri i Rumanisë në pronësi të shtetit, “Unirea Agro-Food Trade House”, duket si një nyje e të kaluarës komuniste. Dy dyqanet e para, të cilat u hapën në tetor, nuk është se ofrojnë produkte të veçanta. Raftet e tyre janë kryesisht të mbushura me kavanoza me reçel dardhe dhe me mish derri plot me dhjamë, shkruan The Economist.
Por ky nuk është një vend i menduar kryesisht për të varfrit, sepse çmimet këtu janë të ngjashme me ato të konkurrentëve privatë. Përkundrazi, ai është një përpjekje e qeverisë për të bërë që fermerët rumunë të paguajnë taksat dhe të bëhen pjesë kështu e ekonomisë formale. Pas rënies së komunizmit, Rumania e ndau tokën e saj bujqësore midis ish-fermave kolektive (të shndërruara në kompani private) dhe njerëzve që kishin punuar në to.
Shumë prej atyre pronarëve të vegjël janë larguar nga fshati ose janë plakur tashmë. Disa prej tyre ia kanë dhënë me qira pjesën e tyre të tokës kompanive private, përfshirë ato të huaja. Por ka edhe nga ata që ua lënë tokën për t’u kujdesuar fqinjëve të tyre, në këmbim që këta të fundit të marrin një pjesë të prodhimeve. Si rezultat, Rumania ka një numër të madh fermerësh (një në tre ferma në Bashkimin Europian është rumune), por ajo ka një sektor bujqësor joproduktiv.
Ecuria në fermat e mëdha është e mirë dhe prandaj është i vështirë industrializimi i tyre. Pjesa tjetër e tyre është kryesisht më e vogël se dy fusha futbolli të marra së bashku. Fermerët konsumojnë pjesën më të madhe të prodhimeve të tyre, dhe pjesën tjetër e shesin në tregjet informale ose në tezgat e krijuara në cepa të ndryshme të rrugëve.
Qeveria ka provuar të rrisë prodhimin duke i nxitur fermerët të marrin kredi dhe sigurime, dhe t’i regjistrojnë ata për të taksuar më pas shitjet e tyre. Po ajo ka dështuar në këtë drejtim. Fermerët ankohen se shteti u kërkon atyre që të paguajnë taksa, por ndërkohë nuk u ofron atyre asnjë subvencion. Zinxhiri i ri i supermarketeve po mundohet ta ndryshojë një situatë të tillë.
Ai do të blejë vetëm nga fermerët e vegjël, të cilëve do t’u krijohet siguria se prodhimet e tyre do të blihen dhe transportohen në treg falas. Nëse një numër i lartë fermerësh do të pranojnë të bëhen pjesë e një skeme të tillë, Ministria e Bujqësisë shpreson të mbledhë disa nga miliarda dollarë taksa, që thotë se nuk do të mblidheshin kurrë nga fermerët.
Por Ministria e Bujqësisë mund të jetë pak më shumë optimiste seç duhet, sepse deri më tani shumica e prodhuesve bujqësorë që shesin në dyqanin e ri kanë qenë pjesë e kësaj skeme. Ministri i Bujqësisë, i cili ishte edhe ai që e dha një ide të tillë, iku nga posti në nëntor kur u ndërrua edhe qeveria.