Reklame:

Anketa e KE: Shqiptaret, indiferentë per sigurine ushqimore

Shqiptarët janë dy herë më pak të interesuar për sigurinë ushqimore sesa europianët. Eurobarometri për sigurinë ushqimore për Shqipërinë, i publikuar nga Komisioni Europian tregon se, ndërkohë që 41% e qytetarëve të Bashkimit Europian janë të interesuar për sigurinë ushqimore, për shqiptarët kjo normë zbret në vetëm 18%. Por, paradoksalisht, kur blejnë ushqime, shqiptarët e kanë mjaft të rëndësishme sigurinë ushqimore, duke e cilësuar si prioritetin e tyre numër dy.

Ndërkohë që për europianët prejardhja e produktit dhe kosto janë elementët kryesorë që vlerësojnë kur kryejnë blerje, për shqiptarët në vend të parë është përmbajtja e vitaminave dhe vlerave ushqyese dhe në vend të dytë siguria ushqimore. Në vend të tretë si vlerësim për blerjen e një ushqimi të caktuar shqiptarët vendosin bindjet e tyre, kryesisht ato fetare. Më pak rëndësi kanë: prejardhja e produktit, kostoja dhe në fund fare, më e parëndësishmja duket të jetë shija. Përqindja e shqiptarëve që e vendosin sigurinë ushqimore si shqetësimin e tyre kryesor kur blejnë ushqime është mbi dy herë më e ulet se ajo e europianëve.

Nga anketimi rezulton se 46% e shqiptarëve janë të mendimit se ushqimet që konsumojmë ne sot janë plot me lëndë të dëmshme. Në Europë kjo normë është shumë lehtë më e ulët, në 43%. Sa i përket temave që shqetësojnë më shumë shqiptarët brenda sigurisë ushqimore, janë: në vend të parë modifikimi i gjenomeve dhe në vend të dytë ngjyruesit apo konservantët e ndryshëm, më pas ndjek mbetja e pesticideve dhe ajo e mikroplastikës. (SCAN)