Reklame:

Stema, insekti qe demton frutat

Stema (insekti me erë të keqe) – Palomena prasina. Populli e quan edhe insekti me erë të keqe se ka një aromë shumë të pakëndshme. Bëhet fjalë për një insekt i cili mund të bëjë dëme të mëdha, por edhe për një insekt për të cilin dimë shumë pak. Vitet e fundit ky insekt haset shumë te speci, lakra, hardhitë për verë, molla etj. Ai futet në grupin e insekteve dëmtuese.

Insekti i dëmton frutat të cilat janë para vjeljes dhe frutat e prekuira nuk kanë vlerë në treg. Këto insekte kanë aparat gojot për të thumbuar dhe thithur lëngun nga bima. Thumbimet e këtij dëmtuesi kryesisht gjenden në pjesën e jashtme tëfrutit ose nën lëvozhgë.

Këta fruta nuk formohen normalisht, zbardhen dhe kanë shije të hidhur dhe gjatë vegjetacionit bien nga pema. Shfaqja intensive e stemës lidhet më shumë me ngrohjen globale. Shumimi i tyre po zmadhohet gjithnjë edhe më shumë, që do të thotë se gjatë viteve të tjera mund të priten shfaqje edhe më të mëdha të këtij insekti, kurse dëmet do të jenë edhe më të mëdha.

Ky insekt është më aktiv në muajin gusht. Në të kaluar dëmet nga ky insekt kanë qenë të parëndësishme, por dy vitet e fundit madje edhe në vitet e ardhshme, pritet të bëjnë dëme të theksuar në prodhimtarinë e bimëve, sidomos në pjesën e prodhimtarisë organike dhe integrale. Mbrojtja është mjaft e vështirë, sepse për insektin e tillë nuk ofrohen preparate speciale, insekticide, në treg. Në sipërfaqe më të vogla mund të mblidhen në mënyrë manuale, por duhet të ketë me patjetër edhe kontroll biologjik të numrit për bimë.

Me zbatimin e insekticideve nuk ka rezultate të mëdha, sepse stema është mjaft rezistente ndaj insekticideve të tilla, normalisht duke pasur kujdes që gjatë përdorimit të merret parasysh karenca e veprimit të insekticidit. Ky insekt haset më shpesh në afërsi të pyjeve, parqeve buzë lumenjve. Insekti nuk është i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve, megjithatë nuk rekomandohet kontakt i drejtpërdrejtë, sepse për t’u mbrojtur ai lëshon një përbërje me aromë shumë të pakëndshme e cila është në bazë alkooli dhe mund të shkaktojë acarim të lëkurës.

Ekzistojnë disa lloje të stemës, por te ne më tepër haset stema e gjelbër. Për mbrojtjen e amvisërive rekomandohet vendosja e rrjetave në dritare. Armiqtë më të mëdhenj të stemave janë zogjtë, sepse i përdorin ata si ushqim.