Prejardhja e bajames konsiderohet Azia perëndimore nga ku u përhap në zonën e Mesdheut, Amerikë, Persi, Kili, etj. Katoni në shekullin e 2-të p.k. e ka quajtur “arra greke”. Në vendin tonë njihet qysh nga lashtësia dhe për këtë dëshmojnë pyjet me bajame të egra në Skrapar, Berat, Kurvelesh, Shpirag, etj. Bajamja tek ne kultivohet më shumë në zonat e ullirit si: Elbasan, Kavajë, Lushnje, Fier, Vlorë etj.
Bajamja bën pjesë në familjen trëndafilore (Rosaceae), në gjininë Prunus ose Amygdalus L. me rreth 40 specie, 2n=16 kromozome.
Përshkrimi i pemës dhe veçoritë biologjike
Pema e bajames ka zhvillim mesatar 4-8 m lartësi dhe sistem rrënjor boshtor të thellë e të pasur. Forma e kurorës është kryesisht ajo kupore ose dhe e parregullt në raste të tjera.
Trungu dhe degët në moshë të re kanë ngjyrë të gjelbër në rozë, më vonë gështenjë dhe në mplakje vërehen çarje të lëvores
Sythat dallohen lehtë, në vegjetativë dhe lulorë. Sythat vegjetativë janë më të vegjël dhe vendosen në majë të degëzave në gjatësi të tyre të shoqëruar me 1-2 sytha lulore në ndërnyje. Sythat lulorë vendosen në rozeta dhe në gjatësi të degëzave.
Gjethet janë heshtake, të lëmuara, me ngjyrë të gjelbër të hapur dhe pa push.
Lulet e bajames janë të vetmuara, me ngjyrë të bardhë me nuanca dhe shfaqen para gjetheve në periudhën shkurt-mars. Lulja përbëhet nga 5 sepale, 5 petale, 30 thekë dhe 1 pistil me 2 ovula nga të cilat njëra fekondohet dhe jep farën. Ka edhe raste kur të dy spermoblastet japin farë dhe kjo përbën karakteristikë të kultivarit.
Fruti i bajames është bërthokël, i gjelbër dhe lëkura e të cilit më vonë, në kohën e pjekjes hapet. Endokarpi (bërthama që përmban thelbin) mund të jetë i forte, gjysmë i fortë dhe i butë sipas kultivarit.
Frutifikimi i bajames fillon në vitin e 3-4-t dhe është i plotë në vitin e 6-8-të dhe zgjat 25-30 vjet. Bajamja jeton rreth 60-70 vjet.
Pema frutifikon në lastarë të vitit të kaluar, rozeta, degëza të holla dhe të përziera. Në kushte të ujitshme bajamja prodhon rreth 15 kv/ha kurse në kushte të paujitshme rreth 60 % më pak dhe me cilësi të dobët.
Kultivarët që frutifikojnë kryesisht në rozeta si Truoito kanë tendencë të japin prodhim periodik. Ky fenomen mund të evitohet me krasitje të kujdesshme dhe të rregullt.
Shumica e kultivarëve të bajames janë autosterilë përveç Truoito dhe Texas, prandaj kanë nevojë për pjalmim të kryqëzuar. Frutifikimi është i kënaqshëm kur 40 % e luleve japin frutë.
Kultivari pjalmues duhet të lulëzojë njëherësh me kultivarin bazë dhe të jetë i tregtueshëm. Për pjalmim të efektshëm rekomandohet vendosja e një koshereje blete për dynym. Kushtet e vështira të motit në kohën e lulëzimit si, erërat e forta, shirat dhe temperaturat me të ulëta se 12ºC, pengojnë fluturimin e bletëve dhe për pasojë pjalmimin e kryqëzuar. Në këto zona duhet të evitohen kultivarët autosterilë. Disi më i lehtë është problemi për kultivarë autofertilë.
Klima dhe toka
Bajamja kultivohet në klimë të ngrohtë kryesisht ngaqë lulëzon herët në pranverë.
Kohët e fundit kanë filluar të përhapen kultivarë të vonë në lulëzim që mund të shkojnë në zona disi më të ftohta. Bajamja ka kërkesa të kufizuara për temperatura të ulëta për ndërprerjen e qetësisë relative të sythave, 200-300 orë nën 7ºC. Kjo nevojë mund të plotësohet edhe me temperatura më të larta se 7ºC, p.sh. 10ºC por sasia e orëve është më e madhe.
Ngricat e hershme të pranverës shpesh shkaktojnë dëmtime në pemëtore. Kështu një ngritje e temperaturës në 10-14°C për 1 javë ose më shumë, nxit lulëzim të hershëm dhe më pas rënia e saj (fundi i Shkurtit-15 Mars) dëmton lulet duke ulur lidhjen e frutave dhe rendimentin. Frutat e porsalidhur dëmtohen nën temperaturën -1°C, -1.5°C.
Bajamja është shumë e ndjeshme ndaj sëmundjeve kërpudhore e veçanërisht nga monilia, prandaj kultivohet në zona të thata dhe të nxehta me lagështi të ulët sidomos në periudhën e lulëzimit. Bajamja i duron thatësisë dhe kalciumit në tokë më shumë se bërthamorët e tjerë, por rendimente të larta merren në toka pjellore, të ujitshme dhe të kulluara.
Shtimi i bajames
Shtimi i bajames bëhet me farë dhe me shartim. Nënshartesa të bajames janë:
Nënshartese farore e bajames (sporofite).
Jep pemë të fuqishme me sistem rrënjor të zhvilluar dhe i duron thatësisë e kalciumit në tokë. Është e ndjeshme ndaj fitoftorës, nematodeve M. incognita, P. vulnus dhe ndaj armillaries.
Pjeshka. nënshartesat e ardhura nga fara (sporofite) kane afinitet të mirë me mbishartesat, nuk durojnë lagështi të madhe në tokë, janë të ndjeshme ndaj nematodeve si Meloidogyne dhe Pratylenchus.
S-37, është rezistente ndaj nematodeve Meloidogyne incognita por jo ndaj M. Javanica.
G.F.305. jep pemë të fuqishme dhe uniforme. Farët e saj dallohen për fuqi mbirëse të lartë.
Nemaguard (P. persica x P. davidiana), rezistente në të dy llojet e nematodeve. Jep pemë të fuqishme por që vonojnë pjekjen e frutave.
GF-677 (pjeshkë x bajame). Kjo nënshartesë është rezistente ndaj CaC03 aktiv në tokë (deri 12%). Është e ndjeshme ndaj nematodeve Meloidogyne, kancerit bakterial dhe ndaj Stereum purpureum.
Mariana 2624. Përdoret në raste të veçanta në toka të lagëta.
Sistemi i mbjelljes
Sistemi i mbjelljes së bajames është ai katror ose rombik me distanca 5-8 x 5-8 m. Para vendosjes së pemëtores duhet të studiohen me kujdes disa faktorë.
1.Të evitohen zona që karakterizohen nga ngrica të hershme të forta në pranverë ose të zgjidhen kultivarë që lulëzojnë vonë.
2. Zonat me shira të shumta, temperatura të ulëta dhe lagështi të lartë ajrore në kohën e lulëzimit nuk janë të përshtatshme pasi frutifikimi dhe prodhimi është i niveleve të ulëta.
3.Tokat e lagëta të evitohen për kultivimin e bajames ose në rast të kundërt të përdoren nënshartesa kumbulle.
4.Te sigurohen kushte të ujitjes së pemëtores pasi prodhimi në kushte thatësie arrin vetëm 30-40 % të pemëtores së ujitshme.
5. Të parashikohet mekanizimi i proceseve të ndryshme agroteknike. Vendosja e kultivarit pjalmues bëhet në rreshta, 2 të kultivarit dhe 1 të pjalmuesit ose 2 me 2. Forma e kurorës së pemës tek bajamja është kupore e hapur ose kuporepiramidale.
Krasitja kryhet çdo vit dhe konsiston në rrallimin e lastarëve që të krijohen kushte të mira ajrimi e dritëzimi, për mënjanimin e lagështisë së tepërt dhe për luftimin e sëmundjeve. Gjithashtu largohen degë të dëmtuara ose të infektuara nga shkaqe të ndryshme. Mbas disa vjet prodhimi, kryhen edhe shkurtime të degëve me qëllim krijimin e organeve të reja prodhuese.
Zhvillimi i frutit
Në shumicën e tyre, kultivarët e bajames janë vetështerpë dhe kërkojnë pllenim të kryqëzuar për frutifikim të kënaqshëm.
Kultivar vetëpllenues është Truoito. Vetëpllenimi është karakteristikë e dëshirueshme për bajamen pasi ajo lulëzon herët në pranverë kur kushtet klimatike nuk janë shumë të përshtatshme. Rritja e frutit të bajames ndjek një kurbë sinusoidale të thjeshtë. Në fazat e para të frutit zhvillohet endokarpi dhe ekzokarpi dhe kur ata kanë arritur madhësinë e tyre, thelbi është në fazën e 10% të madhësisë së tyre.
Në vazhdim zhvillohet thelbi i cili merr madhësinë përfundimtare pas 30-40 ditësh. Me pjekjen e frutit (Gusht-Shtator) lëvorja çahet dhe kjo është një karakteristikë e dëshirueshme për bajamen.
Vjelja e frutave bëhet me goditje të degëzave me shufër ose me tundësa mekanike. Frutat e vjelë më tej transportohen dhe futen në makina të ndarjes së lëvores, thahen dhe ambalazhohen.
Ujitja dhe plehërimi
Bajamja i duron thatësisë por megjithatë mos ujitja e pemëve sjell rendimente të ulëta dhe mosmbushjen e farës. Rendimenti i ulët nuk vjen vetëm nga mosdiferencimi i sythave frutore, por nga rrëzimi intensiv i frutave. Kështu, kultivari Texas nuk rekomandohet të kultivohet në kushte të paujitshme. Ujitjet kryhen gjatë verës dhe janë të shpeshta por me sasi të vogël uji pasi
bajamja nuk pëlqen lagështinë e tepërt në tokë.
Kërkesat e bajames për elemente ushqyes nuk janë shumë të mëdha megjithatë ajo ka nevojë të konsiderueshme për azotin pasi duhet të plotësohen nevojat për sintezën e proteinave në farë. Pemët e reja plehërohen me 0.2-0.5 kg sulfat amoni kurse ato në prodhim të plotë me 3kg nitrat amoni ose 5kg sulfat amoni në disa duar, duke filluar me dorën e parë në Shkurt për zona me shira, kurse në zona të thata më herët.
Në mungesë të potasit shfaqet tharje e majave të gjetheve dhe rrëzimi i tyre. Përdorimi i K2SO4, 2 kg/pemë 1 herë në 2 vjet, eviton shfaqjen e simptomave dhe pasojat e tyre. Në toka kalcike ranore mund të vërehen edhe mungesa të zinkut (klorozë e gjetheve dhe gjethe të vogla) që evitohen me spërkatje me ZnS04 3% në dimër ose 0,5% në pranverë.
Mungesa e borit shkakton rënien e gjetheve të majës së lastarëve që mund të shkojë deri në tharjen e majës së lastarit. Frutat zhvillohen normalisht por fara nuk mbushet. Lëvorja çahet dhe ka ngjyre të rrëshirës. Mund të ketë edhe rënie të frutave. Mungesa e borit plotësohet me hedhjen në tokë të 100-300 gr/pemë ose me spërkatje me 0,125% të acidit borik. Mungesa e hekurit plotësohet me përdorimin e 100 gr/bimë Sequestrene 138.
Dëmtuesit kryesorë të bajames janë: Eurytoma amygdali, Capnodis tenebroides, Myzus persica, Anthonomus ornatus, Ruguloscolytus rugulosus, Rynchytes bacchus, Diaspis pentagona, Quadraspidiotus perniciosus, Meloidogyne incognita dhe M. javanica.
Sëmundje kryesore janë: monilia (Monilia laxa ose fruticola); polistigma (Polystigma ochraceum), Phytophthora syringae; Verticillium albo-altrum; Coryneum beijerinkii; Puccinia pruni-spinosae; Stereum purpureum; Sphaerotheca pannosa; Agrobacterium tumefaciens dhe Pseudomonas amygdali.
Kultivarët e bajames
Kultivarët e bajames ndahen sipas fortësisë së guackës, por edhe sipas kohës së lulëzimit.
Kultivarët guackëfortë
Truoito: Kultivar me origjinë italiane, prodhon frutë të madh me farë që zë 30%. Është kultivar që lulëzon vonë dhe piqet vonë. Ndarja e lëvores (perikarpit) është e vështirë prandaj duhet realizuar menjëherë pas vjeljes pasi, mund të mbetet i ngjitur me endokarpin. Është kultivar vetëpllenues.
Duron thatësinë por është i ndjeshëm ndaj monilias, polystigma dhe euritomës.
Ferragnes: Kultivar me origjinë franceze, hyn shpejt në prodhim dhe është prodhues. Prodhon fruta mesatare me 34% farë. Pllenues të mirë për të janë Ferraduel, Ai, Retsu.
AI: kultivar francez me 42% farë. Shkon mirë në bashkëshoqërim me Ferragnes dhe e pllenon atë.
Feraduel: Kultivar me lulëzim të vonë, prodhues, pllenohet nga Ferragnes dhe AI.
Kultivarë me guackë gjysmë të fortë
Texas: Kultivar me origjinë amerikane, prodhon fruta mesatare 46% farë. Pllenohet nga Truoito dhe Retsu. Ka përqindje të frutave me dy fara, gjë që nuk është e dëshirueshme. Shkon mirë në toka të pasura dhe të ujitshme.
Kultivarë me guackë të butë
Retsu: Kultivar grek, me lulëzim të vonë, që mundëson kultivimin e tij dhe në zona më të ftohta. Pema hyn shpejt në prodhim, prodhon përvit, i duron thatësisë dhe kalciumit por është e ndjeshme ndaj monilias dhe ndryshkut.