Dita e sotme shënon ditën e parë të pranverës meteorologjike, por kjo nuk do të përkojë me kushtet atmosferike gjatë kësaj jave. Kështu ka bere te ditur Shërbimi Meteorologjik Ushtarak i cili evidenton se “edhe pse na pret një fillim javë me temperatura pranverore, nxitur nga era e vrullshme jugore, nuk do të jetë kështu deri në ditën e premte”.
Ashtu sikundër shihet në tabelën e mëposhtme, reshjet e shiut do të prekin vendin përkohësisht deri të martën pasdite. Në mbrëmje e në mesnatë vendi pritet të përfshihet nga reshje intensive, në formën e rrebesheve me rrufe.
Më tej, reshjet e shiut do të rikthehen herëpashere deri ditën e premte. Përsëri në mesditën e të premtes, reshjet do të rikthehen me intensitet, kësaj here në jugperëndim të vendit. Me rënien e temperaturave sipas tabelës, në lartësitë mbi 800 m në të gjitha zonat malore, reshjet do të jenë kryesisht dëbore.
Hera herës gjatë kësaj jave, parashikohet përveç erës së vrullshme dhe shtim i dallgëzimit – njofton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.