Reklame:

3 Marsi – Dita Boterore e Jetes se Eger

Më 20 dhjetor 2013, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA), në seancën e 68-të të saj, në të cilën u nënshkrua Konventa për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër (CITES), shpalli datën 3 mars si Ditën Botërore të Jetës së Egër për Kombet e Bashkuara, me qëllim përkujtimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi kafshët dhe bimët e egra të botës. Rezoluta e UNGA përcaktoi gjithashtu Sekretariatin e CITES si facilitues për respektimin global të kësaj dite të veçantë për kafshët e egra në kalendarin e OKB-së. Dita Botërore e Kafshëve të Egra është bërë tashmë ngjarja më e rëndësishme vjetore botërore e dedikuar për kafshëte egra.
Dita Botërore e Kafshëve të egra do të festohet në vitin 2020 nën temën “Ruajtja e jetës në Tokë”, duke përfshirë të gjitha kafshët e egra dhe speciet bimore si komponentët kryesorë të biodiversitetit në botë.

Sipas te dhenave statistikore në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh.

Me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë së paligjshme dhe moratoriumit të prerjes së pyjeve në Shqipëri ka patur nje rritje te specieve. Kjo ditë na kujton nevojën për të vazhduar ndërgjegjësimin dhe angazhimin kundër krimit mjedisor, i cili ka impakte të mëdha në ekonomi, mjedis dhe shoqëri.

Sistemi i Monitorimit të Faunës së Egër
Inventarizimi dhe monitorimi i Faunës së Egër është detyrim i ligjshëm shqiptarë dhe njëherësh proces konform Konventave dhe Protokolleve Ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë. Për këtë qëllim prej dy vitesh Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), nëpërmjet 12 Administratave Rajonale të Zonmave të Mbrojtura (AdZM) të saj ka nisur punën për inventarizimin dhe monitorimin e faunës së egër. Ky proces ka nisur udhën me miratimin e udhëzimit të Ministrisë së Mjedisit dt. 11.2.2016 për miratimin e metodikave të rregjistrimit të faunës së egër. Pas kësaj janë kryer trajnime të herë pas hershme të Rangersave të 12 AdZM-ve për mënyrën e mbledhjes së të dhënve, monitorimit, inventarizmit, përdorimit të GPS, etj. Ndërkohë është krijuar dhe Sistemi i Monitorimit të Faunës së Egër, i cili është elektronik. Në realizimin e gjithë këtij proçesi AKZM u mbështetet nga projekti i financuar nga BE-ja, NaturAL.

Rangersat dalin në terren dhe mbledhin të dhëna për faunën e egër mëpërmjet vrojtimeve direkte, shënimit të gjurmëve dhe kamerave kurth, informacioneve për dëmtime të kafshëve shtëpiake, jashtëqitjeve të kafshëve të egra, etj.
Sistemi i monitorimit përmban 4 formularë që duhen plotësuar nga Ranger-sat
1) Monitorimi i faunës së egër;
2) Kafshët dhe shpendët e egër të vrarë (të vrarë aksidentalisht, të shtypur nga automjetet dhe të asgjesuar nga njëri tjetrit);
3) Konfliktet e faunës së egër (dëmi që ato kryejnë në bujqësi dhe blektori); 4) Aktivitete të paligjshme (gjuetia e paligjshme).
Të gjitha këto të dhëna hidhen nga AdZM-të në një table të strukturuar.
Çdo e dhënë rregjistrohet me koordinatat e sakta të gjeoreferencuara (GPS). Të gjitha këto të dhëna hartëzohen dhe hidhen një database, e kthehen në pika në hartë që kur klikohen jepen të gjithë elementet mbi specien dhe vezhgimin e bërë si emri i species, AdZM-ja që i përket, emri i Ranger-sit që ka hedhur të dhënën, data, ora e regjistrimit, mënyra e identifikimit, numri i individëve, emri i Zonës së Mbrojtur, emri lokal i zonës, kordinatat, etj.

Në Shqipëri janë prezent mbi 80 lloje gjitarësh dhe mbi 320 lloje shpendësh
Objekt i këtij inventarizimi fillimisht u caktuan 30 specie, të cilat janë parë si objekte gjuetie dhe disa të tjera si të kërcenuara apo të rëndësishme të mbrojtura nga Konventat ndërkombëtare, ratifikuar nga ne.

1. Ariu i Murmë
2. Mace e Egër
3. Rrëqebulli
4. Lundërza
5. Dhia e egër
6. Kaprolli
7. Baldosa
8. Ujku
9. Çakalli
10. Derri i egër
11. Lepuri i egër
12. Dhelpra
13. Zardafi/Kunadhja gushëverdhë
14. Shqarthi/Kunadhja gushëbardhë
15.Kryekuqe e madhe
16. Kryekuqe qafëgjëlber
17. Grilla
18. Rosa Bishtëgjelë
19. Rosa e përhime
20. Sqepluga
21. Marsatorja
22. Shapka e Ujit
23. Bajza
24. Thëllënxa e Malit
25. Pëllumb i Egër
26. Shapka
27. Turtulli
28. Shkurta
29. Lauresha
30. Pelikani kaçurel

Gjatë inventarizmit janë vënë re edhe 27 specie të tjera, prej të cilave janë përzgjedhur edhe specie për t’u inventarizuar gjatë këtij viti në habitatet e Prespës, Pogradecit dhe Liqenit të Shkodrës (ky proces realizohet me mbështetjen e GIZ) por edhe në lagunat bregdetare, ku mund të përmendim:

1. Shqiponjën
2. Kryekuqja e Vogël
3. Mjelma
4. Karabullaku i Madh
5. Karabullaku i vogël
6. Pelikani Rozë
7. Çafka e Bardhë/Përhime
8. Flamengo
9. Pulëbardha
10. Dallëndyshja e detit


Toka është shtëpia e specieve të panumërta të faunës dhe florës. Ky diversitet i pasur dhe miliarda vjet gjatë të cilëve kanë bashkëvepruar elementët e tij të shumtë, janë pikërisht ato që e kanë bërë planetin tonë të banueshëm për të gjitha krijesat e gjalla, përfshirë njerëzit.

Historikisht, ne jemi varur nga bashkëveprimi i vazhdueshëm dhe ndërlidhjet midis të gjithë elementëve të biosferës për të gjitha nevojat tona, ajri që thithim, ushqimi që hamë, energjia që përdorim dhe materialet që na duhen për të gjitha qëllimet. Sidoqoftë, aktivitetet e paqëndrueshme njerëzore dhe shfrytëzimi i tepërt i specieve dhe burimeve natyrore që përbëjnë habitatet dhe ekosistemet e të gjithë jetës së egër po mposhtin biodiversitetin e botës. Gati një e katërta e të gjitha llojeve janë në rrezik zhdukjeje në dekadat e ardhshme, dhe shkatërrimi i tyre do të shpejtonte zhdukjen e të tjera specieve të panumërta, duke na vënë edhe ne gjithashtu në rrezik.