Reklame:

Ligji i ri per pronat/ Lame: Zgjidh perfundimisht problemet e pronesise ne zonat rurale dhe urbane

Pr.ligji për proceset e kalimit të pronësisë/ 1 milionë parcela tokë përfitojnë nga ky proces 

TIRANË, 3 mars/ ATSH/- Kreu i Kadastrës, Artan Lame, u shpreh se projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, i jep zgjidhje përfundimtare problemit mbi pronën, që është zvarritur për më shumë se tre dekada.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në komisionin e Kuvendit për të “Drejtat e Njeriut”, Lame theksoi se “ndryshimet ligjore synojnë të zgjidhin problemin e pronës shtetërore që është marrë nga privatët, rikthimin e pronës tek pronarët dhe përmbylljen e procesit të  pajisjes me certifikatë pronësie, të fermerëve në zonat rurale të vendit.

Gjithashtu tha ai, përfundimisht përmes këtij pr/ligji i jepet zgjidhje çështjes së legalizimeve.

“Objektet që nuk legalizohen prishen. Askush që ka një banese nuk nxirret nga banesa pa marrë dëmshpërblim ose do të përfitojnë banesa sociale. Ndërkohë që vetëm 4% e pronës shtetërore është e regjistruar”,- tha Lame.

Sipas tij, një nga elementet më të rëndësishëm të pr.ligjit është reduktimi i burokracive në proceset e pronësisë, përmes centalizimit të proceseve në një institucion të vetëm që është Kadastra dhe jo shpërndarjes së përgjegjësive në institucione të ndryshme, siç janë tani, duke sjellë shpërndarje të përgjegjësive në këtë proces.

“Ligje të veçanta kanë vepruar për një pronë dhe kjo ka sjellë kaosin që për një pronë te ketë disa pronarë”,- tha Lame.

Ai tha se, “në zonat fushore dhe të thella malore, ku njerëzit e dinë mes njëri tjetrit pronën e gjithë secilit, por e kanë atë tërësisht pa dokumentacion, do të marrin pronën me letra. Në tokat në fshat janë 120 mijë familje që nuk kanë certifikatë pronësie, por kanë vetëm aktin e pronësisë do të pajisen me certifikatë pronësie, si dokumenti bazë që i hap rrugë atyre për të marrë kredi dhe të përfitojnë nga fondet IPARD”.

“Janë 1 milionë parcela toka që përfitojnë nga ky proces. Ndërsa janë 180 mijë legalizime të mbyllura. Pr.ligji synon përmbylljen përfundimtare të këtij procesi” – tha Lame.