Reklame:

Mbeturinat elektronike, Mania pas teknologjise po demton mjedisin!

Mbeturinat elektronike, dmth mbeturinat e pajisjeve dhe instrumenteve elektronike, janë lloji më në rritje i mbeturinave në botë, me pasoja të mëdha në dëmtimin e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Ndërsa markat ndërkombëtare të pajisjeve elektronike dhe celulare vazhdojnë të sjellin në treg produkte dhe modele të reja, numri i mbeturinave elektronike po rritet në të gjithë zonat e shkarkimit të mbeturinave në të gjithë botën. Megjithëse masat e riciklimit janë të pranishme në shumicën e vendeve, shumica e telefonave inteligjentë përfundojnë në ‘koshin e gabuar’, duke shkaktuar rreziqe për shëndetin dhe mjedisin.

E-Waste (mbeturinat elektronike) përfshijnë të gjitha objektet me një prizë, kabllo elektrike ose që funksionojnë me një bateri siç janë makinat larëse, ekranet, play-station ​​dhe telefonat celular. Rritja e shpejtë e sektorit novator dhe ulja e kostove të punës dhe të materialeve kanë rritur ndjeshëm aksesin tek produktet elektronike dhe teknologjitë digjitale: ka ndodhur kryesisht në Veri të botës, por edhe në vendet në zhvillim. Kjo ka çuar në një rritje të përdorimit të aparateve dhe pajisjeve elektronike dhe në rinovimin e vazhdueshëm të këtyre mjeteve, me pasoja të padëshiruara: rritja e mbeturinave elektronike dhe elektrike është një prej tyre.

Shifrat e mbeturinave elektronike dhe shpërndarja e saj në botë

Mbeturinat elektronike janë sot fluksi i mbeturinave me rritjen më të shpejtë në botë, dhe vlerësohet se deri në vitin 2050 mbi 120 milion ton nga këto mbeturina do të prodhohen çdo vit. Deri më tani, prodhohen rreth 50 milion prej tyre: kjo barazohet me pak më shumë se 6 kilogramë për secilin person në planet, por gjithashtu përfshin njerëz që nuk kanë as qasje në mallrat parësore, dhe për rrjedhojë as në produktet elektronike. Në fakt, vetëm Europa dhe Shtetet e Bashkuara kontribuojnë pothuajse në gjysmën e mbeturinave totale elektronike të gjeneruara çdo vit. Norvegjia është vendi që prodhon më shumë mbeturina elektronike për frymë, rreth 28.5 kilogram në vit. Islanda, Danimarka dhe Suedia pasojnë, gjë që tregon se standardet e jetesës dhe të ardhurat e disponueshme në këto vende po bëjnë që njerëzit të azhurnojnë më shpesh teknologjinë e tyre.

Italia prodhon mesatarisht 18.9 kilogramë mbeturina për person dhe është në gjendje të riciklojë vetëm 22% të tyre ndërsa shteti nordik ka një mesatare prej 70%. Statistikat nga Monitori Global i Mbeturinave Elektronike në vitin 2017 zbulojnë se nga rreth 44.7 milion ton mbeturina elektronike të prodhuara, 80% depozitohen në tokë, incenerohen, tregtohen ose trajtohen në mënyrë jo-pajtuese çdo vit.