Reklame:

“Shqiperia punon token” Por shqiptari eshte lodhur duke mbijetuar me te!

Paradat, panairet, ekspozitat e të tjera forma paraqitjeje, janë mënyra për të treguar forcën, fuqinë mbrojtëse apo prodhuese, nivelin e zhvillimit ekonomik, përparimin në fushat teknike e shkencore etj, por brenda tyre ka në të shumtën e rasteve edhe njëfarë propagande, një farë “show”, për të paraqitur ndoshta atë fenomen që është në fillesat e veta, si të konsoliduar. Nga një anë, kjo mendësi nuk na bën keq. Një përvojë e mirë, sado në “miniaturë”, një fenomen pozitiv sado pak i përhapur, na nxitë që të punojmë më tepër, t’i përkushtohemi më me forcë një pune.
Por e dëmshme është nëse ia mbushim mendjen vetes se, ajo që paraqesim në panair është “e vërteta lakuriq” dhe nuk vështrojmë përtej panairit, në këtë rast të atij me temë “Shqipëria punon tokën”.
Shqiptari nuk është dembel dhe Shqipëria vërtet e punon tokën, nëse i krijohen kushtet optimale. Të gjithë e dinë se ushqimet e prodhimet shqiptare që dalin prej atyre një milion parcelëzave, janë më të shëndetshme se sa ato që vijnë prej fushave të intensifikuara, pa anë e pa fund, të “bombarduara” me fitohormone, të ushqyera me tonelata nitrati e të ngarkuara me përqindje të larta pesticidesh.
Por çfarë ndodh fushave tona…?
Shqipëria e punon tokën, por në shumë bashki e fshatra, gjysma mbetet djerr.

Shqipëria e punon tokën, por toka më e mirë e saj, ajo e zonës perëndimore e juglindore, shpesh është nën pushtetin e ujit. Punohet toka, por ka vite që ajo nuk kullohet; nuk funksionon rrjeti i kanaleve kulluese, nga i treti deri te kanali i parë.

Shqipëria e punon tokën, por “tuli” i tokave po kalbet prej ujit të tepërt.
Shqipëria e punon tokën, por në tokat kodrinore po vepron më shumë se kurrë erozioni i pamëshirshëm (miliona tonelata dhè shkojnë në lumenjë e dete).
Shqipëria e punon tokën, por çmimi i karburanteve të mjeteve bujqësore është i njëjtë me atë të makinave të luksit. Akoma në disa zona kodrinore përdoret parmenda e mjete të tjera primitive; kemi numrin më të ulët të mjeteve bujqësore për njësi të sipërfaqes dhe kemi disa herë më të ulët se në vendet përreth, numrin e agregateve për një mjet bujqësor.

Shqipëria e punon tokën, por shumica e farërave vijnë prej jashtë: mbi 70 përqind e farës së misrit, mbi 50 përqind e farës së grurit, 100 përqind e farës së patates e dhjetra lloje të farërave të perimeve e bimëve të tjera.

Shqipëria e punon tokën, por në stinën e verës shumë bujq kthejnë kryet prej qiellit: nëse nuk çon Zoti shi, merren më pak se gjysma e prodhimeve të planifikuara. Në shumë zona sistemi ujitës është shkatërruar në mënyrë të pariparueshme dhe impiante të tilla ujitëse, si ai që kishte Torovica e Lezhës, apo brezaret e ndryshme, zor se rimëkëmben më.

Shqipëria e punon tokën, por të gjitha plehrat kimike vijnë prej jashtë dhe shumë pak tokat tona bujqësore “hanë” plehra organike apo përdoren plehërime të lëngshme organike, si i përdorin të tjerët edhe në plehërimin e lulishteve.

Shqiptarët e punojnë tokën, por asnjëri prej tyre nuk merr asnjë subvencion për asnjë lloj prodhimi, ashtu siç marrin fshatarët e të gjithë Europës, për çdo kg prodhim të nxjerrë nga ara.

Shqipëria punon tokën, por shqiptari më shumë shpenzon se sa fiton…
E si mund të konsumojmë shqip, kur ushqimet i kemi rusisht, italisht, greqisht, frengjisht, serbo-kroatisht, maqedonisht, turqisht, sllovenisht… kilineisht e dreqisht.

(Revista Drini- Fatbardh Mali)