Reklame:

Topinamburi, ushqimi me i mire kunder diabetit

Mollë Dheu – ushqimi i lirë që vlen një thesar për shëndetin.

Topinamburi (mollë dheu), është një zhardhok, i cili kultivohet fare lehtë, përshtatet pothuaj në çdo tokë dhe klimë, është tepër rezistent ndaj insekteve dhe myqeve, jep një rendiment të madh dhe më e rëndësishmja, pa nevojën e përdorimit të fertilizuesve kimik dhe pesticideve. Pra, kjo bimë, është pa shumë pretendime dhe shumë gjeneroze për ekonominë dhe shëndetin tonë.

Topinamburi – një ushqim funksional

Cfarë është një ushqim funksional?

Është një ushqim (jo pilulë apo kapsulë), i cili ka një efekt pozitiv në një aspekt fiziologjik të shëndetit, përtej vlerave të tij ushqyese. Ai e zotëron këtë efekt në formën e tij natyrale ose pas një modifikimi si p.sh., heqja e yndyrës, shtimi i një lënde të dobishme si fibrat, modifikimi i biodisponibilitetit, etj. Topinamburi është një burim përbërësish funksional si inulina, oligofruktoza dhe fruktoza, të cilat ofrojnë benefite përtej ushqyerjes, veçanërisht për personat me Diabet tip 2 dhe personat obezë.

Inulina dhe Diabeti

Inulina është një polisakharid (lloj sheqeri) i ngjashëm me amidonin dhe ekziston edhe në formë pudre me shije natyrale. Së fundmi, kjo substancë është përdorur si një shtesë me vlera funksionale në përpunimin e ushqimit, në sajë të karakteristikave të saj unike. Inulina nuk mund të tretet nga aparati tretes i njeriut dhe pikerisht kjo është arsyeja përse ky përbërës ka marrë atribute të mëdha në rregullimin e diabetit dhe obezitetit. Kur dikush konsumon inulinen, ajo arrin në zorrën e trashë e paprekur, ku edhe fermentohet nga bakteret që kompozojnë florën tonë bakteriale. Kështu, zhardhokët e pasur në inulinë, nuk e rrisin sheqerin në gjak dhe nuk japin kalori sikurse sheqernat e tjerë që gjenden te patatja, te drithrat dhe perimet e tjera me amidon.

Nga ana tjetër, inulina lehtëson defekimin dhe përshpejton tranzitin e elementëve toksikë të akumuluar në zorrë duke ulur kështu efektin e tyre dëmtues.

Vlerat prebiotike te inulinës

Duke u fermentuar në zorrën e trashë, inulina nxit shtimin e baktereve pozitive, të cilat rrisin përthithjen e kalciumit, magnezit, dhe prodhojnë disa nga vitaminat B. Në disa studime (jo në njerëz), është vërejtur se dietat e pasuruara me inuline ndikojne ndjeshëm në uljen e yndyrnave në gjak, por kjo ende nuk është konfirmuar në njerëz.

Studime të reja kanë treguar se inulina ka luajtur rol të rëndësishëm në parandalimin ose ndaljen e kancerit të zorrës së trashë dhe të gjirit.

Oligofruktoza

Një tjetër përbërës i topinamburit është oligofruktoza, një derivat nga  hidroliza e inulinës, e cila është shumë e ngjashme në veprimtari me të dhe përdoret për të njëjtat arsye në industrinë ushqimore.

Topinamburi – burimi kryesor i inulinës

Topinamburi dhe rrënjët cikores jane dy ushqimet kryesore që përmbajnë sasi të konsiderueshme të inulinës dhe përdoren shpesh për të ekstraktuar sasi të mëdha të saj dhe për ti përdorur si shtesë ushqimore në ushqimet e përpunuara, në mënyrë që ato të quhen “funksionale”.

Ku e gjeni topinamburin?

Ai rritet në vend gjithandej i eger, por prodhon zhardhokë shumë të vegjël. Me siguri e shihni shpesh pasi ka karakteristikë lulen e verdhë që ndryshe quhet “lule kala”, por tashmë duhet te dini se kjo lule, nën tokë ka një thesar!

Si ta gatuani?

Topinambur me rozmarinë

Përbërësit:

80gr topinambur

1 kokë hudhër të tërë, të prerë me thikë në gjysëm

1 degë rozmarinë

3 lugë të mëdha vaj ulliri

1 lugë të madhe gjalpë

2 lugë të vogla lëng limoni

Përgatitja:

Ndizni furrën në 180grade C.

Lini në ujë të ftohtë topinamburin për rreth 20 minuta që ti largohet dheu. Më pas qërojeni dhe priteni në kubikë si patatet kur i pjekim në furrë.

I marinoni me kripë, piper, vaj ulliri.

Në një tepsi vendosni topinamburin, rozmarinën dhe në mes hudhrën e prerë në gjysëm, në mënyrë që ana e prerë të mbështetet në tepsi.

Piqini rreth 45minuta ose derisa të zbuten brenda dhe të jenë krokante jashtë.

Në fund, shtrydhni hudhrat mbi topinamburin e pjekur, së bashku me gjalpin dhe lëngun e limonit.
(Shendeti)