Reklame:

Studimi/Koronavirusi ‘shume i ndjeshem’ ndaj temperaturave te larta, por mos mendoni se Vera do ta zhduke ate

Virusi që shkakton Covid-19, mund të përhapet më shpejt në një temperaturë të caktuar, zbulon një studim. Megjithatë ekspertët thonë se njerëzit duhet të shmangin rënien në ‘grackën’ e të menduarit se koronavirusi  do të reagojë ndaj ndryshimeve sezonale në të njejtën mënyrë si ato patogjene, që shkaktojnë ftohje apo grip.

Studimi, nga një ekip në Universitetin Sun Yat-sen në Guangzhou, kryeqyteti i provincës Guangdong të Kinës, kërkoi të përcaktonte se si përhapja e koronavirusit të ri mund të ndikohet nga ndryshimet sezonale dhe ndryshimet e temperaturave.

Raporti, i cili u publikua muajin e kaluar, thotë se nxehtësia ka një rol të rëndësishëm në mënyrën se si përhapet virusi.

“Temperatura mund të ndryshojë ndjeshëm transmetimin  e Covid-19”, thotë studimi.

“Virusi është shumë i ndjeshëm ndaj temperaturave të larta”, gjë që mund të parandalojë përhapjen në vendet më të ngrohta, ndërkohë e kundërta dukej se ndodhte në vendet me klimë të fohtë”.

Si rezultat studimi sugjeroi që “vendet dhe rajonet me një temperaturë më të ulët të miratojnë masa më të rrepta të kontrollit”.

Shumë qeveri kombëtare dhe autoritete shëndetësore po mbështeten te fakti se koronavirusi është duke humbur fuqinë  e tij ndërsa moti nxehet, siç ndodh në përgjithësi me viruse të ngjashme që shkaktojnë ftohjen dhe gripin e zakonshëm, shkruan South China Morning Post.

Sidoqoftë, një studim i veçantë nga një grup studiuesish përfshirë edhe epidemiologun Marc Lipsitch nga Shkolla e Shëndetit Publik Chan të Harvardit zbuloi se transmetimi i koronavirusit dhe rritja e shpejtë e infeksioneve ishte e mundur në një gamë të kushteve të lagështisë – nga provincat e ftohta dhe të thata në Kinë në vendet tropikale, siç është rajoni  Guangxi Zhuang në jugun e largët të vendit dhe Singaporit.

“Vetëm moti, për shembull rritja e temperaturës dhe lagështisë me ardhjen e muajve të pranverës dhe verës në Hemisferën Veriore, nuk do të çojnë domosdoshmërisht në rënie të rasteve të prekura, pa zbatimin e ndërhyrjeve të gjëra të shëndetit publik”, thotë studimi.

Ekipi i Guangzhou e bazoi studimin e tyre në rastet e koronavirusit të konfirmuar në të gjithë botën mes datës 20 janar dhe 4 shkurt, duke përfshirë më shumë se 400 qytete dhe rajone kineze. Këto më pas u modeluan në kuadër të të dhënave zyrtare meteorologjike për muajin janar nga e gjithë Kina dhe kryeqytetet e secilit vend të prekur.

Analiza tregoi se numri i të prekurve u rrit në përputhje me temperaturat mesatare deri në pikën kulminante 8.72 gradë Celsius dhe më pas u zvogëluan.

“Temperatura … ka një ndikim në mjediset e jetesës së njerëzve … dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në shëndetin publik përsa i përket zhvillimit dhe kontrollit të epidemisë”.

Sipas studimit, klima mund të ketë luajtur një rol në faktin se virusi shpërtheu në Wuhan, qyteti qendror i Kinës, ku u zbulua për herë të parë.

Ekspertë të tjerë, si Hassan Zaraket, një ndihmës drejtor në Qendrën për Kërkime të Sëmundjeve Infektive në Universitetin Amerikan të Beirut, thanë se ishte e mundur që moti më i ngrohtë dhe më i lagësht do ta bënte koronavirusin më pak të qëndrueshëm dhe kështu më pak të transmetueshëm, siç janë viruset e tjera patogjene.

“Ne ende jemi duke mësuar rreth këtij virusi, por bazuar në ato që dimë për koronaviruset e tjerë mund të jemi shpresëdhënës,” tha ai.

“Ndërsa temperaturat po ngrohen, stabiliteti i virusit mund të ulet … nëse moti na ndihmon të zvogëlojmë transmetueshmërinë dhe stabilitetin mjedisor të virusit, atëherë ndoshta mund të shkatërrojmë zinxhirin e transmetimit” shtoi ai.

Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore të Organizatës Botërore të Shëndetit, gjithashtu u kërkoi njerëzve që të mos supozonin se epidemia do të ‘zbehet’ automatikisht gjatë verës.

“Ne duhet të supozojmë se virusi do të vazhdojë të ketë aftësinë për t’u përhapur,” tha Ryan.

“Është një shpresë e rreme nëse themi se do të zhduket si gripi … ne nuk mund ta bëjmë këtë supozim. Dhe nuk ka prova”, përfundoi ai.(Metropol)