18 marsi shënohet si Dita Botërore e Riciklimit, e cila ka për qëllim njohjen dhe manifestimin e rëndësisë së riciklimit të mbetjeve për ruajtjen e burimeve të çmuara primare dhe sigurimin e së ardhmes së planetit tonë.
Praktikimi i ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim është një çështje shumë e rëndësishme globale, nëpërmjet të cilës reduktohen sasitë e mbeturinave të dërguara në deponitë ose në incineratorët, ruhen burimet natyrore si druri, uji dhe mineralet, rritet përfitimi ekonomik, parandalohet ndotja duke ulur nevojën për mbledhjen e materialeve të reja të papërpunuara, kursehet energjia e mbështetet prodhimi duke ruajtur burime të vlefshme natyrore.
Në Shqipëri vlerësohet se ka rreth 30.000 persona që ushtrojnë veprimtarinë e grumbullimit të mbetjeve në mënyrë individuale dhe ilegale, pa sigurime shoqërore dhe shëndetsore dhe parespektuar as edhe një kusht minimal për të garantuar shëndetin dhe sigurinë në punë. Natyrisht kjo situate e tyre eshte si pasoje e varferise dhe kushteve te renda ekonomike dhe sociale ne te cilen ata ndodhen.
Vendi yne nuk ka aspak përvojë në lidhje me ndarjen në burim të materialeve të riciklueshme, futjes së teknologjive të trajtimit paraprak, depozitimit të mbetjeve, etj. Objektivi i Strategjisë kombëtare për vitin 2030 është që 55 % e mbetjeve të riciklohen, ndërsa në fakt po ecet në drejtim të kundërt, sepse në mënyrë të pakuptimtë për logjikën shkencore dhe interesat kombëtare, më shumë prioritet i është dhënë landfilleve dhe incenerimit, ndërsa paralelisht industria e riciklimit është drejt falimentimit, pasi është duke punuar me vetëm rreth 20% të kapacitetit.
Riciklimi (1) pastron mjedisin, (2) konservon burimet natyrore, (3) redukton konsumin e energjisë, (4) nxit rritjen ekonomike, punësimin, ofron lëndë të para për industritë dhe (5) nuk paraqet probleme shëndetsore për qytetarët, duke treguar kujdes për kushtet e punës së atyre që merren me riciklim.