Reklame:

Parku fotovoltaik i Karavastase, shtyhet per ne 30 mars dorezimi i ofertave

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave për parkun fotovoltaik të Karavastasë.

E njëjta procedurë u ndoq pak ditë më parë edhe për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, një situatë që vjen e forcuar në kushtet aktuale që ka krijuar koronavirusi. Ministria shtyu për parkun fotovoltaik afatin e dorëzimit të ofertave nga 16 marsi që ishte më parë në 30 mars 2020.

“Në ftesën për ofertë për Procesin Konkurrues, “Për përzgjedhjen e projektit që do të përfitojë masat mbështetëse për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në zonën e Karavastasë”,të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, të datës 20.1.2020 dhe 27.2.2020, bëhet ndryshimi i afatit për dorëzimin e ofertave dhe hapjes së ofertave, si më poshtë: Afati për dorëzimin e ofertave: 30 mars 2020, ora 12:00 (ora e Europës Qendrore). Hapja e ofertave: 30 mars 2020, ora 12:00 (ora e Europës Qendrore). Informacion shtesë mbi dokumentet e procesit konkurrues mund të gjeni në Website-n e Autoritetit Kontraktues” thuhet në vendimin e Ministrisë publikuar në fletoren zyrtare.

Qeveria hapi garën për ndërtimin e parkut fotovltaik të Karavastasë më 20 janar të këtij viti. Sipas dokumenteve parku fotovolatik i Karavastasë është më i madhi i projektuar në vend me 140 MW, ku 70 megavat janë të ndarë për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga OSHEE.

“Ky projekt është hartuar duke pasur në bazë një studim të Bankës Botërore, që ka nxjerrë tre zonat me rrezatimin më të lartë në vend. Çmimi i rregulluar është paracaktuar në 55 euro, duke pasur parasysh teknologjitë e tregut dhe mesataren e kostos së prodhimit. Ky është edhe çmimi më i ulët që ne kemi siguruar” do të shprehej në atë kohë ministrja Belinda Balluku në prezantimin e projektit.

Sipas kalendarit të vjetër, nëse ofertat do të hapeshin në 16 mars, qeveria llogariste që në 3 maj të niste ndërtimi, ndërkohë që ky afat për zbatimin tashmë mbetet i paqartë.

Projekti i Karavastasë është parku i dytë për të cilin hapet një garë ndërkombëtare. I pari ishte Akërnia që në vitin 2018, i cili u fitua nga kompania India Power, për një çmim 59.9 euro/MWh por që vonesat e nënshkrimit të kontratës dhe konfliktet mes ministrisë dhe investitorëve e zvarritën atë për një kohë të gjatë dhe ende mbetet e paqartë se në çfarë faze janë negociatat. (Monitor)