Reklame:

Ende ka shprese nese perdorim nje inteligjence me te larte se ky virus jo vetem pandemik!!!

Këto ditë tema më e nxehtë në media dhe preokupimi i pjesës më të madhe të njerëzimit mbarëbotëror është kjo “qënie” me karakteristika arkaike, por në të njëjtën kohë me një dinakëri djallëzore. Duke qenë se ruaj ende pasionin e një biologu molekular (që fatkeqësisht nuk munda ta kultivoj në terrenin e ofruar nga realiteti i trishtë i Shqipërisë, ku kërkimi shkencor përmëndet vetëm kur duhet përgatitur ndonjë raport për Bashkimin Evropian, pamvarësisht drejtimit të qeverive, majtas apo djathtas) fokus i disa studimeve të mia (që i vazhdoj me kolegë jashte trevave Shqipëtare) është trajtimi i problematikave që lidhen me sindromat apo infeksionet per nga pikëpamja e evolucionit molekular, që karakterizon gjenomin e tyre.

Për të arritur në zgjidhjen e problemit sipas llogjikes shkencore, duhet të shkojme në origjinën e problemit, që duke qenë se përfaqsohet si problem i shkencave biologjike, i tille problem fillon të formëzohet nëse i përmbahemi Teorisë së Evolucionit (edhepse kohët e fundit ështe paraqitur në disa variante). Gjithësesi, tashmë e pranuar nga nje komunitet i gjerë shkencor, origjina e jetës në tokë patjetër ka ardhur nga Acidi Ribonukleik (ARN-ja), që më pas u konvertua në ADN e sëbashku me këtë dhane proteinat (ku gjithesesi ka ende të panjohura), te cilat me pas duke bashkevepruar me njera tjetren (e molekula të tjera) krijuan një organizëm të ngjashëm me atë që ne e quajmë “të gjalle”.

Ky organizëm gjate evolucionit i dha orgjinën organizmave prokariot (si psh. bakteret) e me pas atyre eukariot (algat), të cilat më pas dhanë origjinë organizmave shumëqelizor, duke arritur tek njeriu, kjo qënie që deri pak muaj kishe kontrroll të plote mbi cdo gjë në rruzullin tokësor (për të cilen do të flasim më poshtë).

Pikërisht ky virus kaq i tmerrshëm, që eshte kryefjala e cdo informacioni mediatik këto ditë, sepse COVID-19 është një virus që materialin e gjenetik e ka prej ARN-je dhe të gjate rreth 30 000 baza te azotuara (apo “germa gjenetike” që kanë një kuptim sipas kodit gjenetik që përdoret). Pra ky virus është një prej viruseve me materialin gjenetik më të gjatë, ku ndodhen të pakten 6 ORF (open reading frames), te cilat japin informacionin e nevojshëm për të krijuar proteinat virale në brendësi të qelizës se infektuar.

Kujdes, ajo që e bën këtë virus vërtetë të rrezikshëm është strategjia që ndjek ky virus i kategorisë Virus ARN me polaritet +, sepse ndryshe nga viruset me polaritet – (si Ebola, i konsideruar virusi me i tmerrshëm në botë, të pakten për simptomat), viruset me polaritet + sillen menjëherë si ARN mesazhere duke dhënë informacionin për të “printuar” proteina virale dhe duke shfrytëzuar dinakerisht “printerin e qelizes se infektuar” të perfaqsuar nga ARN polimeraza – kjo makineri proteinike që përkthen informacionin e ARN-es mesazhere ne sekuenca aminoacidesh, qe i japin origjinë peptideve e me pas proteinave.

Në këtë rast vetë qeliza pa e ditur prodhon proteina virale: nje pjese e tyre shkojnë për të paralizuar sistemin imunitar të pacientit, nje pjese mashtrojnë shaperoninat (proteina që shërbejnë për të dhënë formën funksionale proteinave qelizore) dhe arrijne deri aty sa me dinakeri të mashtrojne qelizën e infektuar, duke e detyruar të prodhoj proteaza (proteina me veprimtari katalitike që shërbejnë si gërshërë per të bërë në copëza të ndryshme proteinat e vete qelizës) duke e nxjerre mbrojtjen brendaqelizore dhe ndërqelizore jashtë funksionit.

Gjithashtu, në të njëjtën kohë prodhohen edhe proteinat spike, që marrin trajtën e glikoproteinave (tepër të rëndësishme për të lejuar hyrjen e viruseve në qeliza të tjera). Një tjetër informacion i rëndësishëm është që në të njëjten kohë ndodh edhe shumefishimi i ARN-ës së dyfishte te sapokrijuar sipas stampës së ARN + (që tenton të fshihet në poret e rrjetit endoplasmatik) për të shpëtuar nga mekanizmat mbrojtes ne stadet fillestare. Pra në një kohë relativisht të shkurtër kemi një numër ekstremisht të madh virusesh, që pasi kanë shfrytëzuar gjithë burimet e qelizës, atëhere e shkatërrojnë ate duke dalë jashtë (si cdo virus) për të infektuar qeliza të tjera.

Mbase kjo ndodh duke marre me vehte edhe një pjesë të lipideve të membranës qelizore (mbi kapsulen virale). Duket si një skenar fantastik ky që paraqitet në këtë proces të ndjekur me përpikmëri për mbijetesë nga kjo inteligjencë, që qëndron midis asaj artificiales dhe natyrores, por është e vërtetë bazuar në publikimet e shumta mbi virologjinë dhe proceset molekulare të nxjerra në drite nga përkushtimi i komunitetit shkencor mbarëbotëror (të përfaqsuar shpesh edhe nga Nobelistë).

Dinakëria e këtij virusi arrin deri aty sa të krijoj një stuhi citokinash (cytokines storms) kundrejt qelizave të mushkërive në stadet e avancuar, duke mos u marrë më me qelizat individualisht. Kjo stuhi citokinash e mbulon një pjesë të mire të mushkërive duke e servirur të tillë organ, si dicka të huaj për sistemin tonë imunitar (që për moshat e reja e jo vetëm është tepër i fortë). Pra arrin të detyroj organizmin e pacientit për të filluar një proces vetëshkatërimi.
Në fakt, prej kohësh e kam vërtitur në mëndje, në ato pak momente meditimi se viruset mund të ishin shkatërrimi i vetëm me këtë kontrroll të krijuar mbi botën per shkak te evolucionit teknologjik, që pasoi evolucionin kulturor tek njerëzimi.

Kjo lidhet me leksionet e Virologjisë që kisha ndjekur dikur në Universitetin e Padovës, ku nga profesori i asaj kohe u vu theksi tek shpërthimi i pakontrrolluar i pandemive për shkak të numrit relativisht të lartë të mutacioneve dhe zhvillimi i shpejte i teknologjisë së transportit. Fatkeqsisht ndodhi dhe pikërisht atëhere kur po përgatiteshim për të shkuar në Mars, apo kur po bëhej gati vaksina e Ebolës. Mendoj se ky është mesazh i një qenie nga e cila ne marrim jetën e ku jemi të destinuar të kthehemi një ditë pasi jetojmë një jetë te mbushur me emocione “negative” e “pozitive”, Toka.

Kjo qënie, e cila ka edhe banorë të tjerë përvec nesh, por që ne megjithëse i keqtrajtojmë, i gjymtojmë e i shfarosim, përsëri me shumë dashuri e vetëmohim, Toka përsëri na fal dashuri duke u sakrifikuar për ne. Kujdes, vetemohimi dhe altruismi janë të vetmet sjellje që Teoria e Evolucionit nuk ka arritur të jap shpjegime, por të tillë sjellje ky planet i gjallë nuk mund ta bënte edhe këtë here, kur akujt e poleve po shkrijne, pyjet e amazonës po digjen, ishuj plastike jane krijuar në oqeane e dete, efekti serrë vazhdon të bëhet i pranishëm përherë e më shume (sëbashku me smogun e metropoleve), lumenjtë janë të mbingarkuar nga mbetjet urbane (përfshirë ato spitalore) dhe janë duke krijuar përbindëshat e kësaj kohe të kobshme.

Si një nënë e mire kjo Tokë, di edhe të na jap dënimet e merituara, për të sjellë në vëmendjen tonë se egocentrizmi ynë duhet të ketë një limit e mos të vazhdoj i shfrenuar nga vaniteti, veset dhe mania e pakontrrollueshme për më shumë pushtet e famë. Shikoni qiellin se sa i kaltër është këto ditë pranvere dhe ku mbi të gjitha mungojnë vijat kimike të aeroplaneve. Shikoni se si shihen ne distance kodrat e malet. Një miku im sapo më dërgoi foto nga kanalet e Venecias, ku dallohen peshqit dhe fundi i kanaleve.

Normalisht dikush mund të thotë se për cfarë do të na duhet kjo ripërtëritje e ekosistemit, kur njerëzimi po bën pak “pushim”. Përgjigja ime është se do të duhet ta shijojmë sëbashku me familjet tona, kur i gjithë ky makth të jetë zhdukur nga zemrat tona. Pra reflektoni e mundohuni të qëndroni të pergjegjshëm kur të mbarroj kjo histori, pamvarësisht tundimeve që sjell makuteria e mendjeve njerëzore të koheve moderne.

Ende ka shpresë për mendimin tim dhe këtë kam vendosur mos ta publikoj në ndonje revistë shkencore apo divulgative, por deshiroj ta ndaj me popullin tim, se e dua vendin tim, popullin tim.
I tille virus si cdo virus (qe shume epidemiolog dhe mjek e anashkalojne si karakteristik, me të drejte pasi tjetër është fokusi i punës së tyre) pëson një numër relativisht të lartë mutacionesh (10-4 per cdo baze, ku vetem viroidet mund ta kalojne/10-3) në cdo gjeneratë. Imagjinoni që në cdo virus që do të prodhohet në rastin e virusit të COVID-19 do të kemi të paktën 3 mutacione, por në rastin e shumëfishimit të viruseve bëjini vetë llogaritë se sa do të ishte numri i mutacioneve kur përgjithësisht gjenerohen 10 000 000 viruse në 24 ore.

Duke u bazuar në Teorin Neutrale të Evolucionit Molekular të propozuar nga Motoo Kimura, mendoj se pjesa më e madhe e mutacioneve nuk e ndryshojnë kuptimin në ARN-në virale, megjithëse një pjese do të jenë mutacione të tipit negativ dhe një pjese do të përfaqsohet nga mutacionet pozitive. Mutacionet pozitive si në cdo gjen (përfshire edhe tonat) janë ato që krijojnë një karakteristikë vantazhuese tek proteinat që i mbartin duke e bërë atë më eficiente në funksionin e saj, ndersa mutacionet negative i bëjne proteinat (në këtë rast proteinat virale) të humbasin funksionin ose të jenë më pak eficiente në funksionin e tyre. Për shkak se deri më tani (nga literature shkencore, por bazuar edhe ne eksperiencën time) në gjithë organizmat që njohim (përfshirë edhe viruset), numri i mutacioneve neutral (që nuk e ndryshojnë funksionin) sëbashku me ato negative është shume herë më i madh se numri i mutacioneve pozitive, ky virus do te arrij pikun e shperthimit viral herët a vone dhe më pas do të filloj të vetëshkatërrohet për shkak të numrit relativisht të lartë të mutacioneve që ai pëson.

Cili duhet të jetë reagimi ynë?
Ne duhet të tregohemi më inteligjent se i tille virus, nuk duhet të japim atij mundësine që ai të shfrytezoj qelizat tona për të shumuar, duke ndjekuar masat prandaluese me rigorozitet të lartë, sepse në të tillë mënyrë kjo kurbe do të realizohet me shumë më pak viktima. Nisur gjithashtu nga fakti se vetë materiali gjenetik i ARN-ës është shumë më i brishte në temperaturat e larta, le të presim qershorin apo korrikun duke u kujdesur per higjienen personale e duke qëndruar larg familjareve dhe miqve. Në të njëjtën kohe mendjet e ndritura janë duke u përballur me sfiden tepër të vështirë për të krijuar vaksinen specifike (kryesisht të bazuar në bllokimin e ARN polimerazës).

Ne patjeter që do të dalim fitimtar nëse përdorim arsyen e inteligjencen duke u bërë më të mirë me ekosistemin për veten dhe brezat e ardhshëm.
Me vjen keq ta pranoj qe mund të përsëritet i tille skenar edhe në të ardhmen (apo dicka më e tmerrshme do të na vij përsëri të na jap “mesazhe”). Kjo do të ndodhë pasi vetë ne jemi duke vepruar si viruset (por në shkallën “makro”), sikunder ata edhe ne dëshirojme më shumë, kur kemi arritur një sukses, qeverite e vendeve të fuqishme dëshirojne më shume ekspansion kur arrijnë të administrojne territore të reja, apo deshirojmë më shume pallate, parkime e vila luksoze, duke shpyllezuar e shkatërruar ekosistemin, ashtu si ky virus shkatërron mushkeritë dhe organizmat njerezor.

Prania e ketij virusi na tregoi se ne dimë të sillemi jo vetem si kjo qënie arkaike me inteligjence gjeniale, duke u treguar arrogant e të pashpirtë me planetin, njëri tjetrin e gjithë qeniet e tij, por dimë të rilindim mbi këtë tmerr botëror për të ndërtuar shpirtin e njeriut të ri, sepse ne dimë të besojme tek mjekët, infermierët, farmacistët, biologët, kimistet e shkenca në përgjithese. Ne patjeter do te jemi më të mire duke u mbuluar nga altruismi në zbatimin e masave jo vetëm për vehten, por për të shpëtuar jetët e njerëzve që na rrethojnë (qofshin këta të njohur apo të panjohur).

Rigers Bakiu
Biolog Molekuar dhe Evolucionist (sp. Molecular Biology and Biology of Evolution)