Pandemia e Coronës nuk rrezikon vetëm shëndetin. Një gjendje e vazhdueshme në krizë mund të ndryshojë shoqërinë e hapur. Në gjendjen e jashtëzakonshme vendosen edhe piketat për botën pas virusit Korona.
Martin Voss këto ditë është shumë i zënë me punë. Sociologu drejton – tanimë nga zyra në shtëpi – departamentin për studimin e katastrofave në Universitetin e Berlinit, Freie Universität. Në krizën e Coronës ai këshillon organizatat humanitare, kryen sondazhe dhe ofron informacione online. Ekspertiza e studiuesit të katastrofave është e kërkuar këto kohë. „Megjithatë”, thotë Voss, „këtë nuk nuk do ta kisha dëshiruar asnjëherë”.
Kërcënimi përmes virusit, ndërhyrjet e thella në jetën e njerëzve, vështirësitë ekonomike -e gjitha kjo e bën krizën e Coronës më të madhen që nga Lufta e Dytë Botërore. Martin Voss e tërheq vëmendjen edhe në një aspekt tjetër të katastrofës. Se sa shumë e ndryshojnë ngjarje të jashtëzakonshme një shoqëri. „Në vështrim retrospektiv ne do të bëjmë një dallim të madh mes kohës para dhe pas Coronës”, thotë sociologu.
Presioni do të rritet
Trazira, sulme, mungesa në dyqane – këto janë skenarë të frikshëm të katastrofave. Që këta skenarë nuk janë bërë realitet, kjo e bën optimist, por me masë, studiuesin e katastrofave. “Ne hyjmë me një lidhje të fortë sociale në krizë”, thotë ai. Edhe sepse grindjet politike po lihen mënjanë dhe masat mbështeten nga komuniteti.
Por me kohë do rritet presioni, reagimet do bëhen më emocionale, pret Voss. Për shembull, nëse pajisjet mjekësore duhet të shpërndahen dhe nuk ndodhesh vetë në radhë të parë. “Shumë vetë, që e kanë ndjerë veten të trajtuar jo në mënyrë të drejtë, do ta ndjejnë këtë edhe më fort. Kurse ata që e mbanin veten për të siguruar mirë, mund të kenë ndjesinë se po u hapet toka nën këmbë.” Voss parashikon tronditje të thella, me pasojë për rishqyrtimin e vlerave shoqërore dhe normave.
Me këto ndryshime merren ekspertët në të gjithë botën. „Rastet e emergjencës nxjerrin në pah procese historike”, shkruan historian izraelit. Yuval Noah Harari. Kurse në SHBA, autorja Naomi Klein paralajmëron nga një “kapitalizëm i Coronës”, që mund të shkurtojë edhe më tej shtetin social. Kurse politologu, Ivan Krastev pret një forcim të mëtejshëm të shtetit kombëtar kundrejt Brukselit.
Mësim nga Kina?
Refuzimi i aktiviteteve të mëdha, ndeshjeve të futbollit, panaireve, ndalimet e lëvizjes, ndalimi i kontakteve -deri para disa javësh në Europë këto ishin të papërfytyrueshme. Sidomos në Gjermani, ku kujtimi për tmerret e nacionalsocialistëve ka bërë që të vuloset botëkuptimi liberal pas vitit 1945. Por sa më shumë të zgjasë kriza, aq më shumë orientohen qeveritë perëndimore nga metodat e Kinës. Aty u vendos para dy muajsh një ndalim lëvizjeje për 60 milionë vetë. Suksesi i Kinës rriti presionin në botë për të marrë po ashtu masa radikale, që dukeshin të pamundura në shoqëritë liberale.
Qeveritë marrin frenat në dorë
Rrezikohen parimet demokratike në gjendjen e krizës? „Shumë varet nga ajo, se sa do të zgjasë kriza dhe kufizimi i lirive bazë”, thotë politologu, Wolfgang Merkel, nga Qendra e Studimeve Shkencore në Berlin. Merkel është i shqetësuar për dy skenarë: Tek i pari- nëse qeveritë nuk ia dalin të zbusin krizën. Që do të thotë se numri i viktimave do të rritet, besimi i popullsisë humbet. Tek skenari tjetër elitat qeverisin me rregullore të situatës së jashtëzakonshme, “gati në mënyrë autoritare”. “Mund të ndodhë që pastaj të thuhet, se nuk kemi nevojë për parlamente”, thekson Merkel.
Rrezikun real të pandemisë, qeveritë mund ta përdorin si pretekst për të zgjeruar pushtetin e tyre. Si në Hungari, ku kryeministri, Viktor Orban përpiqet të marrë bekimin e parlamentit për qeverisje me dekret. Ai vetë pastaj mund të shfuqizojë ligjet në fuqi dhe të zgjasë pa kufi gjendjen e jashtëzakonshme.
Mënyra e veprimit me të dhënat e celularëve
Një nga masat më të diskutuara në luftë kundër coronës është edhe përdorimi i të dhënave nga celularët. “Pandemia na gjen në kohën e digjitalizimit”, thotë sociologu, Martin Voss. Për këtë nuk ka përvoja të mëparshme në histori. Në gjithnjë e më sumë vende po jepen të dhënat e celularëve tek qeveritë apo autoritetet e shëndetësisë. Apps të caktuara kontrollojnë respektimin e karantinës. Edhe në Gjermani, ministri i Shëndetësisë kërkoi rishikimin e ligjit të mbrojtjes nga infeksionit. Përmes lokalizimit të celularit do duhej të gjendeshin personat që ka kontaktuar i infektuari. Pas kritikash të ashpra, Spahn e tërhoqi këtë ligj. Sociologu Martin Voss e sheh me shqetësim një zhvillim të tillë. “Duhet ngritur gishti dhe duhet thënë, jo kështu nuk veprohet apo e lejojmë, që situata të justifikojë çdo mjet?”
Politologu Merkel është i shqetësuar edhe për Europën në krizën e pandemisë. Shumë vende të BE i mbyllën kufijtë në mënyrë të pavarur, pa ujdi. Kjo është simpomatike, për të. Ai kërkon më shumë koordinim nga Brukseli. “Një nga pasojat e krizës mund të jetë vazhdimi i procesit të desintegrimit të BE, si e kemi parë në kohën e krizës së migrimit në vitin 2015”, parashikon ai. (DW)