Reklame:

Histori e shkurter e nje shiriti magnetofoni te rralle te Vace Zeles – Nga Shpend Sollaku Noé

Shkrimtari dhe intelektuali Shpend Sollaku Noé i lindur ne Lushnje dhe qe jeton ne Itali ka nje kujdes te vecante ndaj çdo elementi qe nxjerr ne dukje Lushnjen. Ne çdo publikim te tij ai mban zgjuar emocione te fjetura tek shume njerez qe i kane jetuar ne kohen e diktatures apo edhe ne fillimin e Demokracise.

Me rastin e dates se lindjese se te madhes Vaçce Zela ai ka shkruar nje histori te shkurter.

Nga Shpend Sollaku Noé
Histori e shkurter e nje shiriti magnetofoni te rralle te Vace Zeles.

Kur miku im, regjizori i teatrit te kukullave Llukan Kola me tha se do te me tregonte dicka te cmuar, nuk besova qe do te me kish bere nje dhurate te tille.

U ngjitem se bashku ne katin e dyte te Shtepise se Kultures se atehershme, ajo qe nuk ekziston me, pas selvise qe nuk ekziston me.

Hyme ne sallen majtas, qe shihte nga rruga qe shpinte tek Shtepia e Pionierit, qe ishte vendi i shfaqjeve por edhe ambienti i pergatitjes se regjise, apo edhe e kukullave: te dyja -pune te mbuluara me talent te rralle prej Llukan Koles.

Kur u gjendem ne studion e tij, ai nxorri prej nje sirtari nje shirit te gjate, mbledhur ne nje bobine te rrumbullaket, nga ata qe viheshin ne magnetofonet e vjeter. “Mbylli syte tani”, me tha, “dhe fluturo me fantazine”.

Prej magnetofonit nisen te emetohen melodira dhe kenge qe nuk i kisha degjuar ndonjehere.

Zeri ishte i Vace Zeles. Nje ze si i rinise se saj; tinguj te prodhuar prej magjise se nje laringu unik, te kordave vokale qe nuk kishin per te pasur konkurrence per me shume e shume kohe. Krahasime per te jane te panumurt, te tjere do te perdoren, por une mund t’ju pershkruaj pak a shume ate cfare ndjeva ne ato minuta pambarimisht te gjata: deshiroja te bertisja, te qaja, te gezoja, te deshperohesha, t’i bija me grusht mureve, te thyeja dyert me shqelma.

Pothuaj te gjitha kenget ishin ne gjuhe te huaj, pasoje edhe e cenzures se forte nen te cilen qysh ne vitet ‘60 kishin filluar te asfiksonin kompozitoret tane ne te mire.

Edhe pse shiriti kish filluat te zbehej sadopak, magjia e zerit mbetej e paprekur por edhe dhimbja qe me injektonte ishte frymembytese.

Ne nje cast, si per te me thyer magjine, Llukani me thote: “ Prit, se do ta marr ne telefon”.

I them me mosbesim: “Ke do marresh”?

“Vacen”, me tha the beri nje numer ne telefonin me numra rrethore.

Kur kuptoi qe nga ana tjeter e linjes u ngrit receptori, Lluka vuri te tijin afer magnetofonit qe vazhdonte te zhvillonte shiritin magjepses.

“Mos, Llukan, te lutem, se me bere cope-cope!” i tha Vacja.

Nuk po zgjatem me teper sesi perfundoi ai dialog me yllin e muzikes tone. Por nuk mora vesh se c’fat pesoi ai shirit, qe permbante edhe kenge te Vaces te patransmetuara as nga Radio Tirana, praktikisht te cenzuaruara, ndoshta te pagjendshme edhe sot.

Ne foto; Anita Take tashme e afirmuar dhe Vacja ne moshe te njome.