Studiuesit në Finlandë kanë krijuar një video që tregon një model se si coronavirusi mund të përhapet nga një kollë e vetme në një supermarket.
“Rezultatet paraprake tregojnë se grimcat e aerosolit që mbartin virusin mund të qëndrojnë në ajër më gjatë seç u mendua fillimisht, kështu që është e rëndësishme të shmangni hapësirat e mbyllura publike”, shpjegojnë studiuesit në një deklaratë.
Kjo sipas tyre, “gjithashtu zvogëlon rrezikun e infeksionit nga ‘pikat’, të cilat mbetet rruga kryesore e transmetimit për coronavirusin”.
Siç bëhet e ditur më tej, në studimin e tyre, studiuesit modeluan lëvizjen në ajër të grimcave aerosol më të vogla se 20 mikrometra, duke vënë në dukje se madhësia e grimcave për një kollë të thatë është tipikisht më pak se 15 mikrometra.
“’Grimcat jashtëzakonisht të vogla, në këtē madhësi nuk bien në dysheme, por përkundrazi, lëvizin nëpër rrymat e ajrit ose mbeten duke ‘fluturuar’ në të njëjtin vend”, kanë thënë ata në deklaratë.
Në hulumtim u përdor një superkompjuter në CSC, që është Qendra finlandeze e IT për shkencë dhe teknologji vizualizimi 3D.
Shkrimi në fjalë vë në pah faktin se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kohët e fundit rekomanduan veshjen e “maskave të fytyrës” në ambiente publike ku masat e tjera sociale të distancimit janë të vështira për t’u mbajtur, të tilla si dyqanet ushqimore dhe farmacitë.
Ndryshe, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i personave të infektuar me coronavirus në botë ka tejkaluar shifrën 1.6 milion përkatësisht 1,602,216. Numri i të prekurve mendohet se është shumë më i lartë, pasi shumica e personave janë duke u përballur me simptoma të lehta.