Sipas një studimi të fundit, ndikimi njerëzor në jetën e egër është arsyeja e përhapjes së viruseve tek njerëzit.
Gjuetia, bujqësia dhe lëvizja globale e njerëzve ka çuar në rënie masive të biodiversitetit dhe rritje të viruseve të rrezikshëm si Covid-19, duke u transmetuar nga kafshët te njerëzit, shkruhet në studim. Studiuesit nga Australia dhe SH.B.A.-të shkruajnë mbi ato kafshë që kanë më shumë gjasa të ndajnë të njëjtat viruse me njerëzit.
Kafshët shtëpiake si bagëtitë, delet, qentë dhe dhitë, ndajnë numrin më të madh të viruseve me njerëzit, me tetë herë më shumë viruse të lindura prej tyre sesa llojet e egra të gjitarëve.
Kafshët e egra që janë përshtatur mirë në mjediset e mbizotëruara nga njeriu gjithashtu ndajnë më shumë viruse me njerëzit. Brejtësit dhe lakuriqët – të cilët shpesh jetojnë në mesin e njerëzve, afër shtëpive dhe fermave – së bashku llogariten si mbartës të 75% të të gjitha viruseve.
Sipas studimit, të botuar në revistën “Proceedings of Royal Society B”, thuhet se rreziku i përhapjes ishte më i lartë në kafshët e egra të kërcënuara dhe të rrezikuara, popullsia e të cilëve është zvogëluar kryesisht për shkak të gjuetisë, tregtisë së kafshëve të egra dhe humbjes së habitatit.
“Përhapja e viruseve nga kafshët është një rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve tona që përfshijnë jetën e egër dhe habitatin e tyre,” thotë autorja kryesore e studimit Kristine Kreuder Xhonson, drejtore e një programi të Shkollës së Veterinarisë Mjekësore në Dejvis, Kaliforni.
“Si pasojë, ata po ndajnë viruset e tyre me ne. Këto veprime kërcënojnë njëkohësisht mbijetesën e llojeve dhe rrisin rrezikun e përhapjes. Në një moment të caktuar dhe për shkak të shumë faktorëve, kjo sjell llojin e rrëmujës në të cilën gjendemi tani,” tha ajo.
“Ne duhet të jemi vërtet të vëmendshëm për mënyrën se si bashkëveprojmë me jetën e egër dhe aktivitetet që i bashkojnë ato me njerëzit. Ne padyshim nuk duam pandemi të këtij niveli dhe duhet të gjejmë mënyra për të bashkëjetuar në mënyrë të sigurt me jetën e egër,” tha Xhonson.
Më tej, më shumë se 200 grupe botërore për kafshët e egra i kanë shkruar Organizatës Botërore të Shëndetit duke i bërë thirrje që t’i rekomandojë shteteve një qasje me masa parandaluese ndaj tregtisë së kafshëve të egra, dhe një ndalim të përhershëm për të gjitha tregjet e jetës së egër dhe përdorimin e tyre në mjekësinë tradicionale.