Reklame:

Oxford: Vaksina e Koronavirusit mund te jete gati kete shtator!

Një vaksinë për COVID-19 mund të jetë e gatshme që në Shtator, sipas ekspertëve nga Universiteti i Oksfordit. Sarah Gilbert është një profesore e vaksinologjisë dhe thotë se ajo është “80% e sigurt” se një vaksinë COVID-19 që po zhvillohet nga ekipi i saj do të funksionojë.

Ekipi i saj në Oksford është pjesë e një përpjekje globale për të gjetur një vaksinë për Koronavirusin i cili ka vrarë më shumë se 100,000 njerëz në të gjithë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins. Gilbert ka thënë që testet njerëzore janë vendosur të realizohen brenda dy javëve të ardhshme, dhe se ajo ka punuar shtatë ditë në javë për të përftuar një vaksinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ajo tha për The Times: “Unë mendoj se ka një shans të lartë që ajo të funksionojë bazuar në gjëra të tjera që kemi bërë me këtë lloj vaksine. “Nuk është thjesht një ide dhe ndërsa çdo javë kalon ne kemi më shumë të dhëna për të parë. Unë jam e sigurt 80%, kjo është pikëpamja ime personale”. Ajo shtoi se të kesh diçka gati deri në vjeshtë është “pothuajse e mundur nëse gjithçka shkon në mënyrë të përsosur”, por paralajmëroi se “askush nuk mund të premtojë se do të funksionojë“.

Izolimi në Mbretërinë e Bashkuar mund ta bëjë më të vështirë testimin e vaksinës, pasi kontakti njerëzor është i ulët, kështu që studiuesit do të duhet të kryejnë prova diku tjetër ku ka një shkallë më të lartë të transmetimit, për të marrë një rezultat më të shpejtë.

Sidoqoftë, përkundër optimizmit nga Oxfordi, zhvilluesit e tjerë të vaksinave kanë thënë se mund të zgjasë deri në një vit para se diçka të jetë gati për shpërndarje masive. Sidoqoftë shkencëtarët thonë se është shumë herët të konsiderohet heqja e kufizimeve dhe e masave izoluese pasi numri i të vdekurve ende po rritet.(SkyNews)