Reklame:

Shteti ne kohen e COVID-19

Brenda pak javësh, një virus me diametër sa një e dhjeta e milimetrit, ka ndryshuar demokracitë perëndimore, shkruan The Economist.

Shtetet kanë mbyllur bizneset dhe njerëzit janë izoluar brenda. Qeveritë kanë premtuar me triliona dollarë për të mbështetur ekonominë. Nëse do të ndiqet shembulli i Koresë së Jugut dhe Singaporit, privatësia mjekësore dhe elektronike nuk do të ekzistojnë më. Kjo është shtrirja më dramatike e pushtetit shtetëror që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tabutë janë thyer njëra pas tjetrës. Jo vetëm duke kërcënuar me gjoba ose me burg njerëzit e thjeshtë që bëjnë gjëra të zakonshme, por edhe në madhësinë dhe qëllimin e rolit të qeverisë në ekonomi. Kongresi Amerikan është i gatshëm të miratojë një paketë me vlerë gati 2 trilionë dollarë, me vlerë sa 10% e PBB-së, dy herë më shumë se ajo që u premtua në vitet 2007-‘09. Garancitë e kredive nga qeveritë e Britanisë, Francës dhe vendeve të tjera vlejnë sa 15% e PBB-së së tyre. Bankat qendrore po shtypin para dhe i përdorin ato për të blerë asete që më parë nuk i pranonin. Qeveritë po kërkojnë të ndalojnë falimentimin, të paktën për njëfarë kohe.

Për ata që besojnë në një qeveri të kufizuar dhe në tregjet e hapura, COVID-19 paraqet një problem. Shteti duhet të veprojë me vendosmëri. Por historia na ka treguar se pas krizave, shteti nuk heq dorë tërësisht nga kontrolli që ka marrë. Sot, kjo ka implikime jo vetëm në ekonomi, por edhe në mbikëqyrjen e individëve.

Nuk është aspak rastësi që shteti rritet gjatë krizave. Qeveritë mund të ngecin në kohë pandemie, por vetëm ato janë në gjendje të detyrojnë dhe mobilizojnë me shpejtësi burime të mëdha. Sot, këto burime janë të nevojshme për të imponuar mbylljen e bizneseve dhe izolimin për të ndaluar virusin. Vetëm ato mund të ndihmojnë në parandalimin e kolapsit ekonomik. Në Amerikë dhe Eurozonë, vlera e PBB-së mund të ulet me 5-10% ose mbase më shumë.

Roli i shtetit po ndryshon shpejt

Një arsye pse roli i shtetit ka ndryshuar kaq shpejt është sepse edhe COVID-19 përhapet jashtëzakonisht shpejt. Në më pak se katër muaj, virusi ka kaluar nga një treg në Wuhan, në pothuajse çdo vend të botës. Javën e kaluar u regjistruan 253,000 raste të reja. Njerëzit kanë frikë nga shembulli i Italisë, ku pothuajse 74,000 raste të regjistruara kanë mbingarkuar edhe një sistem shëndetësor të klasit botëror, duke arritur në më shumë se 7.500 vdekje.

Kjo frikë është arsyeja tjetër e ndryshimit të shpejtë. Kur qeveria britanike u përpoq të tërhiqej në mënyrë që të minimizonte ndërhyrjen e shtetit, ajo u akuzua se po bënte shumë pak, dhe në një kohë të vonë. Në të kundërt, Franca miratoi një ligj duke i dhënë qeverisë fuqinë jo vetëm për të kontrolluar lëvizjet e njerëzve, por edhe për të menaxhuar çmimet dhe furnizimet me mallra. Gjatë krizës, popullariteti i presidentit Emmanuel Macron, është rritur në nivele të larta.

Deri tani, në pjesën më të madhe të botës, shtetet i janë përgjigjur COVID-19 me një përzierje të detyrimit dhe presionit ekonomik. Teksa pandemia vazhdon përhapjen, qeveria ka të ngjarë të shfrytëzojë fuqinë e saj unike për të monitoruar përdorimin e të dhënave nga njerëzit. Hong-Kongu përdor aplikacione celulare që tregojnë vendndodhjen e njerëzve, për të zbatuar karantinat. Kina ka një sistem pasaportash për të regjistruar se kush është i sigurt për të dalë jashtë vendit.

Të dhënat telefonike ndihmojnë modeluesit për të parashikuar përhapjen e sëmundjes. Nëse një qeveri frenon përhapjen e COVID-19, siç ka bërë Kina, asaj mund t’i duhet të parandalojë një valë të dytë që mund të vijë nga persona me probabilitet më të lartë për t’u sëmurë. Koreja e Jugut thotë se gjurmimi automatik i kontakteve të infeksioneve të reja, duke përdorur teknologjinë celulare, jep rezultate në dhjetë minuta në vend të 24 orëve.

Rritja e pushtetit

Kjo rritje e madhe e pushtetit shtetëror ka ndodhur pa pasur pothuajse fare kohë për debat. Disa ngushëllohen me
mendimin se është thjesht e përkohshme dhe se nuk do të lërë asnjë gjurmë, siç ndodhi me Gripin Spanjoll një shekull më parë. Sidoqoftë, shkalla e përgjigjes e ka bërë COVID-19 të ngjajë më tepër me një luftë sesa me një Depresion. Dhe të dhënat na tregojnë që krizat çojnë në një shtet përgjithmonë më të madh, me më tepër fuqi dhe përgjegjësi, si dhe më tepër taksa për t’u paguar. Shteti i mirëqenies sociale, tatimi mbi të ardhurat, shtetëzimi, të gjitha rriten pas konflikteve dhe krizave.

Siç sugjeron lista, disa nga ndryshimet e sotme do të jenë të dëshirueshme. Do të ishte mirë nëse qeveritë do të përgatiteshin më mirë për pandeminë e ardhshme; gjithashtu, nëse ato do të investonin në shëndetin publik, përfshirë në Amerikë, ku kjo reformë është shumë e nevojshme. Disa vende kanë nevojë për leje me pagesë në rast sëmundjesh.

Ndryshime të tjera mund të jenë më pak të qarta, por do të jenë të vështira për t’u hequr sepse ato u mbështetën nga elektorate të fuqishme edhe para pandemisë. Një shembull i tillë është mosprekja e paktit të Eurozonës, që supozohet të imponojë disiplinim në huazimin e vendeve anëtare. Po kështu, Britania ka marrë hekurudhat e saj nën kontrollin shtetëror – një hap që supozohet të jetë i përkohshëm, por që edhe mund të mos tërhiqet kurrë.

Qeveritë mund të tërhiqen në autarki

Më shqetësuese është përhapja e zakoneve të këqija. Qeveritë mund të tërhiqen në autarki. Disa kanë frikë se mos mbarojnë përbërësit për ilaçe, shumë prej të cilëve prodhohen në Kinë. Rusia ka vendosur ndalimin e përkohshëm të eksporteve të grurit. Industrialistët dhe politikanët kanë humbur besimin në zinxhirët e furnizimit. Mjafton vetëm një hap i vogël për të shkuar nga kjo gjendje në mbështetjen afatgjatë të shtetit për kampionët kombëtarë, që do të jenë shpëtuar financiarisht nga taksapaguesit.

Prospektet e tregtisë janë tashmë të zymta; e gjithë kjo gjendje do t’i përkeqësonte ato edhe më tepër. Dhe për një periudhë afatgjatë, një zgjerim i madh dhe i qëndrueshëm i shtetit së bashku me një borxh publik dramatikisht të lartë, ka të ngjarë të çojë në një kapitalizëm të ngurtë, më pak dinamik.

Por nuk është ky problemi më i madh. Shqetësimet më të mëdha qëndrojnë diku tjetër, në shpërdorimin e detyrës dhe kërcënimet për lirinë. Disa politikanë tashmë janë duke forcuar pushtetin e tyre, si në Hungari, ku qeveria po kërkon një gjendje të jashtëzakonshme me afat të pacaktuar. Kryeministri i Izraelit, Binyamin Netanyahu, duket se e sheh krizën si një mundësi për të shmangur një gjyq për korrupsion.

Pjesa më shqetësuese është zgjerimi i mbikëqyrjes ndërhyrëse. Grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave invazive do të përhapet sepse ofron një avantazh të vërtetë në administrimin e sëmundjes. Por kjo kërkon gjithashtu që shteti të ketë një akses rutinë në regjistrat mjekësorë dhe elektronikë të qytetarëve. Do të jetë tundues përdorimi i mbikëqyrjes pas pandemisë, ashtu siç u zgjat legjislacioni antiterror pas 11 shtatorit. Kjo mund të fillojë me gjetjen e rasteve të tuberkulozit ose tregtarëve të drogës. Askush nuk e di se ku do të përfundojë, sidomos kur Kina, një shtet mjaft ndërhyrës dhe vëzhgues në jetën e qytetarëve, shihet si një model për mënyrën si është
përballur me COVID-19.

Mbikëqyrja mund të jetë e nevojshme për të përballuar COVID-19. Rregullat me klauzolat dhe inspektimet mund të ndihmojnë në ndalimin e virusit në kohë. Por mbrojtja kryesore kundër një shteti dominues në teknologji dhe ekonomi, do të jenë vetë qytetarët. Ata duhet të mbajnë mend se një qeveri pandemike nuk është e përshtatshme për jetën e përditshme. (Monitor)