Në raportin e publikuar nga ‘Reporterët Pa Kufij’, vendi ynë ka humbur dy vende për lirinë e medias
dhe të drejtave të gazetarëve. Shqipëria është renditur në vendin e 84, ndryshe nga 2019-ta kur pozicionohej në vend të 82. “Në vitin 2019, qeveria rriti përpjekjet për të marrë kontrollin mbi median me arsyetimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica qeverisëse votoi në Parlament një paketë “anti-shpifëse” që forcon rregullimin e mediave në internet. Kufizimi i lirive të shprehjes, informacionit dhe shtypit dhe kundërshtimi i praktikës më të mirë ndërkombëtare, te të dy ligjet rrezikojnë rritjen e censurës dhe i bëjnë gazetarët më të prekshëm përballë presioneve të qeverisë.
Gjatë vitit 2019 gjithashtu u shënuan raste në kontekstin e tërmetit shkatërrues, ku dy gazetarë dhe një aktivist u arrestuan për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe “shkaktimit të panikut”, ndërsa media online kritike për veprimet e qeverisë u mbyllën nga organet qeveritare.
Edhe gjatë shpërthimit të krizës së koronavirusit në Mars të vitit 2020, sulmet fizike dhe rastet e
shpifjeve të ngritura gjithnjë e më shumë nga zyrtarët kundër gazetarëve vazhdojnë të ruajnë klimën
e pasigurisë dhe frikësimit.
Kjo në kombinim me gjuhën denigruese të politikanëve i kthen reporterët në caqe të mundshme
agresioni. Ndërkohë, autoritetet e vendit, që aspiron të hyjnë në Bashkimin Evropian, nuk arrijnë të
zgjidhin dhe sanksionojnë raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimeve serioze kundër
gazetarëve”, thuhet në raport.
Sipas raportit, para vendit tonë renditen shtete si Haiti, Kirgistani, Maldivet, Qipro Veriore (pjesë e
Turqisë), dhe Timor-Leste.
Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova renditet në vend të 70-të, Bosnja-Hercegovina në të 58-in,
Kroacia në të 59-in, ndërsa situata është përkeqësuar në Maqedoninë e Veriut, në vendin e 92.
Në raport, përmendet edhe paketa anti-shpifje e votuar në fund të vitit të shkuar nga Kuvendi që rrit
censurën ndaj medias dhe gazetarëve. (Politiko.al)