Reklame:

Parku i Karavastase, MIE: Dorezimi i ofertave ne 30 prill por hapja ne 17 maj

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndryshuar sërish datën sa i takon ofertave për parkun fotovoltaik të Karavastasë. Sipas njoftimit të mëparshëm ofertat do të dorëzoheshin dhe hapeshin në datën 30 prill por tashmë kjo datë ka ndryshuar të paktën sa i takon procedurës së hapjes. MIE sqaron se dorëzimi do të bëhet deri më 30 prill por hapja e ofertave që janë dorëzuar nga ana e investitorëve do të bëhet në datën 17 maj.

“Afati për Dorëzimin e Ofertave: 30 Prill 2020, ora 12.00 (Ora e Evropës Qendrore). Nëse Oferta dorëzohet me postë, do të konsiderohet se është dorëzuar rregullisht brenda afatit të Dorëzimit të Ofertave nëse përmbush kumulativisht kushtet e mëposhtme :

Data e shënuar në vulën postare të Zarfeve, e konfirmuar me anë të njoftimit të shërbimit postar, është jo më vonë se Afati i Dorëzimit të Ofertave (d.m.th. 30 Prill 2020, Ora: 12:00 Ora e Evropës Qendrore);

– MIE e merr Ofertën jo më vonë se Data e Hapjes së Ofertave, (d.m.th. 8 Maj 2020, ora: 17:00 Ora e Evropës Qendrore)

MIE do të lëshojë konfirmimin e marrjes së Ofertës, me datën dhe orën e marrjes. Ofertat e dorëzuara në dorë pas Afatit të Dorëzimit të Ofertave (i ndryshuar) ose Ofertat e dorëzuara me postë që nuk përmbushin kumulativisht kushtet e mësipërme nuk do të shqyrtohen. Ato do t’i kthehen ofertuesve pa u hapur” nënvizon MIE.

Parku fotovolatik i Karavastasë është më i madhi i projektuar në vend me 140 MW, ku 70 megavat janë të ndarë për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga OSHEE. Çmimi i rregulluar është paracaktuar në 55 euro, duke pasur parasysh teknologjitë e tregut dhe mesataren e kostos së prodhimit.

Projekti i Karavastasë është parku i dytë për të cilin hapet një garë ndërkombëtare. I pari ishte Akërnia që në vitin 2018, i cili u fitua nga kompania India Power, për një çmim 59.9 euro/MWh por që vonesat e nënshkrimit të kontratës dhe konfliktet mes ministrisë dhe investitorëve e zvarritën atë për një kohë të gjatë dhe ende mbetet e paqartë se në çfarë faze janë negociatat.