Reklame:

Pandemia, subvencione fermereve te rajonit, ne Shqiperi te lene ne harrese

Pandemia “Coronavirus” ka pushuar gjithë botën. Përveç numrit të lartë të të prekurve e vdekjeve, e gjithë ekonomia globale po njeh rënie e siç thotë ekspertët, rrezikohet reçesioni. Si pasojë, e mbarë bota mund të njihet dhe me tkurrje të prodhimit të produkteve ushqimore, që nga drithrat e deri te perimet apo produktet shtazore. Në këto kushte, megjithëse është ende larg një sinjal “sos”, popullsia globale mund të përballet dhe me mungesë ushqimi, gjë që mund të reflektohet dhe një vit pas pandemisë.

Por, çfarë mund të bëjë secili shtet, për të përballuar një krizë të tillë? Prej disa javësh, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, fermerët janë mobilizuar që të mos lënë pa punuar e pa mbjellë as një pëllëmbë tokë me kulturat që ka më shumë kërkesë tregu.

Sipas te burimeve te “Alert” në Kosovë dhe Maqedoni, barnatoret bujqësore, siç i quajnë ata farmacitë bujqësore, kanë njohur rritjet më të madhe të shitjes, të paktën në 20 vitet e fundit. Kjo, pasi çdo fermer, i organizuar në shoqata apo jo, po përpiqet që të mos lërë djerr as edhe një pëllëmbë të vetme toke. Kjo, me qëllimin e rritjes së fitimit, për shkak të rënies së produkteve bujqësore apo blegtorale të importit, por edhe për të rritur prodhimin vendas dhe sigurimin e furnizmit të popullatës. Ndërkohë, fermerët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ndryshe nga Shqipëria, kanë mbështetje shumë të madhe me subvencione nga ministritë respektive të Bujqësisë. Vetëm financim direkt, Kosova njeh mbi 50 milion euro për 2020, Maqedonia e Veriut mbi 150 milion euro, ndërsa Shqipëria afërsisht 6.3 milion euro.

Po çfarë duhet të bëjnë fermerët e Shqipërisë?

Megjithë zhvillimin e sektorit të bujqësisë në 15 vitet e fundit, sërish ka ende probleme. Së pari, fermerët dhe çdo bujk, në të gjithë vendin, duhet të mbjellë çdo metër tokë. Dhe së dyti, orientimi drejt kulturave bujqësore që kanë treg, do të ishte një hap i zgjuar, pasi jovetëm maksimizon fitimet, por dhe plotëson nevojat e popullatës. Megjithëse prodhimi vendas, sado i madh të jetë, nuk plotëson nevojat e popullatës, gjithësesi do të ndikonte në zinxhirin e furnizimit, pavarësisht situatave rajonale apo globale të prodhimit. (ALERT)