Reklame:

Subvencionet per bujqesine/ 70% e fondeve do te shkojne per blegtorine, aplikimet nisin brenda nje muaji

Fermerët do të nisin aplikimet brenda një muaji për të përfituar nga fondet që jep buxheti i shtetit si mbështetje për sektorin bujqësor përmes Skemës Kombëtare. Teksa ishte në Balldren të Lezhës, ku vizitoi një nga komplekset më të mëdha blegtorale në rajon që mbarështon rreth 400 lopë të racës brun-alpine, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, tha se këtë vit pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për të mbështetur blegtorinë. Subvencionet do të jepen për tufën bazë, për krerët e lopëve dhe të të imtave të matrikulluara.

“Brenda një muaji në do të hapim aplikimet për skemën e mbështetjes nga buxheti i shtetit. Rreth 70% të këtyre parave do t’ia kushtojmë blegtorisë si sektori më delikat dhe me më tepër probleme. Sivjet ne do të paguajmë vetëm për tufën bazë, për çdo krerë të matrikulluar. Paratë do të shkojnë direkt tek fermeri”, tha ministri Çuçi.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë. Aplikimet ishin parashikuar të nisin në fund të muajit mars, por u shtynë për shkak pandemisë së Covid-19. Masat e mbështetjes përmes Skemës Kombëtare janë komplementare me programin IPARD dhe nuk krijojnë mbivendosje me të. Veç mbështetjes për sektorin e blegtorisë, pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, çertifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.