Të gjithë bizneset që janë rihapur normalisht duhet të pajisin me leje dalje të gjithë punonjësit e tyre dhe përdorimin e automjeteve në funksion të aktivitetit. Në e-albania është shtuar opsioni “Leje qarkullimi për nevojat e subjekteve”, nëpërmjet së cilës bizneset mund të zgjedhin midis 3 alternativave sipas nevojave të tyre.
Opsionet dhe si procedohet
Leje qarkullimi për nevojat e subjekteve
“Leje qarkullimi për nevojat e subjekteve” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson bizneseve të aplikojnë online për t’u pajisur me leje dalje për punonjësit e deklaruar si dhe qarkullimin me automjete në funksion të vijimit të aktivitetit.
Shërbimi ofron tre seksione të dedikuara për të marrë “Leje qarkullimi për nevojat e subjekteve” sipas specifikës së bizneseve:
– “Leje për transport për stafin” mundëson marrjen e lejes për qarkullimin e automjeteve të kompanive private që kryejnë transportin e punonjësve për përshkimin e itinerarit: Shtëpi-Punë-Shtëpi.
– “Leje për qarkullim për nevojat e subjekteve” mundëson pajisjen me leje për marrjen e shërbimeve të ndryshme private apo publike në çdo kohë brenda fashës orare zyrtare: 05.00 të mëngjesit deri në 17.30 të pasdites.
– “Leje për qarkullim për shërbimet e subjekteve” mundëson pajisjen me leje pa limit për ato biznese, të cilat ofrojnë shërbim 24 orë në 24.
Kohëzgjatja e lejes së qarkullimit për nevojat e subjekteve është 7 ditë.
Dokumentacioni i nevojshëm
Për këtë shërbim nuk nevojitet dokumentacion shoqërues.
Hapat e procedurës
– Identifikohuni si biznes me NIPT në portalin e-Albania;
– Zgjidhni shërbimin “Leje qarkullimi për nevojat e subjekteve”;
– Klikoni butonin “Përdor”;
– Përzgjidhni 1 nga 3 opsionet qe i përshtatet profilit të biznesit;
-Në rast se ju nevojitet “Leje për transport për stafin” :
– Përzgjidhni opsionin “Transport stafi”;
– Kryeni aplikimin duke përzgjedhur orarin, si dhe plotësoni të dhënat e automjeteve me të cilat do të kryhet transporti i punonjësve;
– Miratimi do të dërgohet në adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania;
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
Në rast se ju nevojitet “Leje për qarkullim për nevojat e subjekteve”:
– Përzgjidhni opsionin “Qarkullim për nevojat e subjekteve”;
– Plotësoni të dhënat mbi listën e automjeteve, stafin që do të lëvizë, dhe arsyet për të cilat do të kryhet lëvizja;
– Përzgjidhni orarin në të cilin do të kryhet lëvizja, brenda fashës orare zyrtare: 05.00 të mëngjesit deri në 17.30 të pasdites;
– Miratimi do të dërgohet në moment adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania, dhe është i vlefshëm gjatë gjithë javës, nga e hëna në të shtunë;
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
Në rast se ju nevojitet “Leje për qarkullim për shërbimet e subjekteve”:
– Përzgjidhni opsionin “Qarkullim për shërbimet e subjekteve”;
– Plotësoni të dhënat mbi listën e automjeteve, punonjësit e stafit, dhe arsyet për të cilat do të kryhet lëvizja;
– Miratimi do të dërgohet në moment adresën e-mail që keni përdorur për regjistrimin në portalin në e-Albania, dhe është i vlefshëm vetëm brenda fashës së lejuar;
– Në rast se dëshironi të përdorni një email tjetër, ju duhet ta ndryshoni në rubrikën “Hapësira Ime” duke klikuar: Ndrysho të dhënat e llogarisë.
*** Kjo procedurë vlen edhe për institucionet shtetërore. Titullari i institucionit duhet të identifikohet në portal si individ. Më pas, duhet të regjistrojë institucionin duke plotësuar NIPT-in dhe të dhënat e tjera që kërkohen. Në fund ndjek të njejtën procedurë si më lart.
KUJDES! Policia do të verifikojë në kohë reale nëse punonjësit e subjekteve kanë një miratim të autorizuar ose jo. Kush nuk respekton orarin dhe email-in nga e-Albania do të sanksionohet nga punonjësit e Policisë sipas neneve të parashikuara në Kodin Penal me të cilët mund të njiheni dhe në fund të aplikimit tuaj.