Reklame:

Bletaria, Pasioni dhe tradita mposhtin veshtiresite e sektorit te embel

Të jesh në mesin e bletëve dhe të dëgjosh zhurmat e dhjetëra mijëra prej tyre dhe aromën e butë të mjaltit, është një përvojë që vetëm një bletarë mund ta përshkruajë më së miri.

Bletaria eshte nje sektor fitimprures por nese nuk ke pasionin dhe nje lidhje te forte me bletet nuk mund te kesh sukses.
Me poshte do ju paraqesim historine e nje bleterritesi nga fshati Zhapokike te Beratit. Zoti Gezim Shehu me profesion mesues por me nje tradite familiare te hershme ne rritjen e bleteve tregon kujdesin e veçante qe ai i kushton bleteve si dhe vetite kurative te mjaltit te kesaj zone.
Në një vend ku natyra ka dhuruar peizazhin, por edhe braktisjen, duket se ka ende njerëz që besojnë dhe punojnë për zhvillim. Fshati Zhapokikë eshte i vendosur rrëzë malit, i pushtuar nga lulet e lofatës, që kanë arritur të fitojnë dominacën për të qenë lulet më te bukura  të kësaj stine. Lulet janë ndërthurur aq ëmbël saqë do t’i kishin zili edhe hojet e mjaltit, karakteristikë dhe traditë e kësaj zone.

Midis shumëllojshmërisë së bimësisë dhe ngjyrave nxirret mjalti i njohur për vetitë e tij kuruese, i cili në familjen Shehu është një traditë që nga vitet 1890 dhe është trashëguar deri në ditët e sotme. Për këtë traditë dhe pasion mbi bletarinë do të na tregojë më tepër zoti Gezim Shehu, i cili prej shumë vitesh e zhvillon këtë aktivitet në një fshat sa të largët dhe të panjohur, aq edhe të pasur për bimësinë që ofron.

-Mund të na tregoni se si ka nisur dëshira juaj për t’u marrë me bletari?

Fillimisht po nis me pak histori. Bletaria në familjen tonë është e trashëguar brez pas brezi. Është nje aktivitet i filluar para vitit 1890. Fillimisht në kushte të vështira, bletët vendoseshin në kërcunj druri në mungesë të koshereve të sotme. Me kalimin e viteve, bletët u vendosën në koshere të prodhuara në Itali. Në periudhën e komunizmit ishte një aktivitet që lejohej të ushtrohej. Në familjen tonë kanë shërbyer si një burim të ardhurash për studimin e femijëve të familjes. Personalisht jam ushtruar në bletari që në moshë të  re, duke ndihmuar babanë. Jam pasionuar shumë shpejt pas bletës, pasion që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetes sime. Kanë qenë vite të bukura po aq dhe të vështira. Më kujtohet një vit i vështirë në te cilin humbëm shumë familje bletësh, për shkak të sëmundjeve, që në të vërtetë ishin të pakta në ato kohë. Për fatin e mirë arritëm t’i rikuperonim në pak kohë. Dëshirat dhe pasionet që lindin në fëmijëri nuk zbehen lehtë me kalimin e kohës. Përkundrazi, forcohen, siç ndodhi me mua me bletarinë. Bletaria për mua është një pasion pa të cilin nuk jetoj dot, mund të them është kthyer në varësinë time më të madhe.

-Për çfarë lloji shërbimesh kanë nevojë bletët?

Trajtimi i bletëve nuk është i lehtë. Kërkon kujdes dhe përgjegjësi maksimale. Duhen ndjekur me rigorozitet të gjitha porositë dhe këshillat e specialistëve dhe të përdoren barna që nuk dëmtojnë shëndetin e bletës. Dezinfektimi është një nga më të rëndësishmit në bletari. Gjithashtu, përgatitja e bletës për dimërim dhe kurimi i disa sëmundjeve që prekin bletët.

-Dihet se përfitimet shëndetësore të mjaltit janë mëdha, por mund të na tregoni diçka që e bënë të veçantë këtë produkt në këtë zonë?

Cilësia dhe shija e mjaltit varet drejtpërdrejt me pastërtinë e zonës në të cilën prodhohet. Nuk mund të kemi një mjalt cilësor nëse prodhohet në një zonë jo të pastër. Zona  është shumë e pastër, në të cilen nuk perdoren pesticide nga banoret e zonës. Gjithashtu, është e pasur me shumëllojshmëri lulesh, duke filluar me sherebelin e malit dhe ate të kultivuar, tërfili i egër, lofatat, kacirami, frashëri, rigoni etj. Janë ato që e kthejnë në një nga zonat me mjaltin më cilësor dhe më të shijshëm në nivel kombëtar.

-Cilat janë vështirësitë e tregtimit të mjaltit?

Nuk kemi probleme me shitjen e mjaltit. Vit pas viti kemi krijuar klientët tanë, por fatkeqsisht nuk arrijmë të plotesojmë kërkesat e tyre çdo vit, për shkak të prodhimit jo të mjaftueshëm. Përgjithësisht është klientelë familjare kryesisht në qytetin e Beratit, Durrësit dhe Tiranës. Deri tani mund të plotesojmë deri në 50% të kërkesave.

-Cilat janë bimët kryesore përbërëse të mjaltit që ju prodhoni?

Siç e përmenda edhe më lart, fshati i Zhapokikës është i pasur me një shumëllojshmëri lulesh.Përgjithësisht mjalti shumë lulesh (mille fiori) përbën prodhimin kryesor, mjalti i prodhuar nga lulet e sherebelit, tërfilit të egër, gugushës së lofates etj.Në vartësi të klimës dhe te reshjeve, kemi prodhuar edhe mjalt monoflor, pra mjalt i prodhuar nga një lule si për shembull vetëm nga gugushja e lofatës, mjalt nga kacirami, mjalti i rigonit, këta të fundit varen nga reshjet në fundin e muajit qershor.

-Sa kohë ju merr nga aktiviteti juaj?

Profesioni im i parë është mësuesia dhe mundohem të shfrytëzoj fundjavën për të qenë në shërbim të bletëve. Periudha mars–gusht është shumë intensive te bletët. Në fund të muajit mars transportojmë bletët për në Zhapokikë, sepse gjatë dimrit i vendosim në kullote mareje me qëllim forcimin e bletëve për në pranverë. Prilli dhe maji janë muaj të veshtirë, sepse janë momente kur vazhdon rritja e bletëve.

-Cili është tregu që synoni për të ardhmen?

Deri tani nuk na është dashur të shikojmë për ndonjë treg  jashtë vendit, sepse, siç e përmenda dhe më lart, kemi një bletari familjare dhe nuk kemi aq sasi sa për eksport. Ndoshta, më vonë, me shtimin e numrit të familjeve të bletëve, mund të shohim idenë e shitjes së mjaltit në disa vende të Europës ku kërkesat nuk kanë munguar.

Edhe midis vështirësive që ofron bletaria, edhe më tepër për shkak të pozicionit të vendit ku zhvillohet aktiviteti, familja Shehu ka zgjedhur ta vazhdoje këtë traditë. Vetitë kuruese që ofron ky mjalt përforcohen më tepër për shkak të mospërdorimit të asnje lloj pesticidi në rritjen e bimëve, luleve dhe pemëve frutore të këtij vendi. Pasioni, dëshira dhe puna e palodhur përpiqen të fitojnë.