Reklame:

Pandemia e koronavirusit po rrit humbjet ne bujqesi

-Gazeta Si-
Ladi nga Karbunara e Lushnjes është në serë teksa po komunikojmë. I veshur me rrobat e punës, ai po vjel domatet për t’i shpënë tek tregtarët për eksport.

Jemi në fillim të sezonit të domates. Këtu fillon dhe ankthi për të dhe për shumë fermerë të tjerë që prej dy vjetësh, ndërsa tani u shtohet edhe pandemia.

“Procesi më i bukur dhe më i dashur është mbjellja dhe teksa i shikon që rriten. Ndërkohë mezi pres të piqen, e kur vjen sezoni për t’i vjelë, nis ankthi dhe frika: ku do t’i shpie dhe sa është çmimi”, tregon  Vladimir Çela që ndryshe të gjithë e thërrasin Ladi. Ai shpjegon se fermerët kanë dy vite që kanë probleme të theksuara, “sebepi i pandemisë është një hall më shumë.”

Ladi e ka nisur këtë punë që 15 vjeç dhe tani që është 45 e punon 12 orë në ditë, thotë se “është bërë si agroonom”.

Problemi më i madh për fermerët është mungesa e informacionit në lidhje me çmimin dhe një analizë e tregut që në vendet e rajonit dhe Europës bëhet nga një agjenci apo zyrë që është në varësinë e Ministrisë së Bujqësisë e cila nxjerr një çmim të rregulluar njëjavor.

Mungesa e një zyre apo agjencie të tillë, bën që tregtarët/grumbulluesit të vënë çmime të ndryshme për kilogram, individuale dhe të ndryshueshme nga dita në ditë.

Kësaj situate i shtohet edhe bllokimin për shkak të pandemisë, ku shoferët e kamionëve u karantinuan për dy javë dhe dy javët e para fermerët nuk u lejuan të lëviznin.

Kurse tani, siç e shpjegon fermer Ladi dhe të tjerë, bllokimi i fundjavës është i tmerrshëm për bujqësinë sepse çmimet bien në mënyrë drastike për arsye se tregu qëndron 3 ditë mbyllur dhe fruta-perimet nuk jetojnë dot aq gjatë. “Kështu që detyrohemi i japim me çmim të ulët, që nuk mbulon as shpenzimet për serën”, shprehet ai.


Ladi ka një serë 10 dynym me domate. Ai ka investuar në vite të ndryshme mbi 4 mln lekë dhe mes shpenzimeve të ndryshme për mbjellje, vaditje, shpërndarje të produktit, pa llogaritur koston e punës dhe plastmasin e serës një kg domate kushton 30 lekë, teksa ai prej dy vitesh nuk ka asnjë fitim.

“Për mua fundprilli deri në fillim qershor është sezoni ku presupozohet të kem fitim, por ka kohë që nuk kam. Dy javë më parë e kam shitur kg e domates për tek grumbulluesit për eksport 100 lekë. Është cilësore, jo me hormone. Unë punoj me ndershmëri dhe nipt të rregullt. Çdo faturë kalon përmes bankës, kam kohë që nuk shoh lekë cash me sy. Tashmë nuk është më vetëm punë, por pasion se përndryshe do ta kisha lënë me gjithë vështirësitë e tmerrshme që hasim. Ky çmim nuk qendroi as 10 ditë. Javën e kaluar e shita me 70 lekë/kg. Unë e çoj produktin në dy pika në Samaticë. Ata më thanë për këtë javë se nuk e kanë vendosur ende çmimin. Por me sa dëgjova ka shkuar në 50 lekë/kg. Unë mezi nxjerr shpenzimet dhe ha thjesht bukë”- thotë fermer Ladi.

Një vit më parë ai ka shitur në sezon 2 mln e 200 mijë lekë (të reja), po aq sa ka bërë edhe shpenzime. Këtë vit sikur të mendojë ta shesë maksimalisht të gjithë produktin, 70 ton duke pretenduar të qarkullojë 2 mln e 800 mijë lekë sërish nuk bën dot asnjë investim sepse siç shpjegon vetë, nuk llogarit as krahun e tij të punës në shpenzime.

“Pra për ne është stress tregu dhe çmimi, ndërsa fermerin në të vërtetë nuk duhet ta shqetësojnë këto gjëra, por duhet ta shqetësojë vetëm cilësia e produktit. Vetëm për shkak të pandemisë ne na ka rënë çmimi mbi 30% dhe nuk dimë si do shkojë. Edhe për ne çdo ditë çmimi është suprizë dhe humbje”- thotë fermer Ladi i cili shton se “nëse do të punoja si fermer në Greqi a Itali apo gjetkë, do të merrja 50 euro në ditë, kurse në fermën time, krahun e punës e kam zero”.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe Ervin Resuli, sipërmarrës në fushën e bujqësië.

“Për shkak të situatës të krijuar nga Pandemia ka patur çregullim të tregut. Kanë rënë çmimet e produkteve për eksport në 20-30 % në dëm të fermerëve. Dhe në këtë situatë ata që mbetën fare pa përkrahje janë fermerët. Ata nuk e gjetën veten as tek paketat e shpëtimit të qeverisë, as tek ndonjë nismë tjetër”, thotë Resuli. Ai bën me dije se Italia e dy-fishoi buxhetin për bujqësinë në këtë kohë krize, Kosova akordoi nga buxheti 5 mln euro për komunat të cilat do ta përdornin për pakot e familjeve në nevojë me kushtin që fruta-perimet dhe bulmetin do ta blinin tek fermerët lokalë.

Resuli thotë se pandemia është një vlerë e shtuar negative në të gjitha problematikat që e përndjekin bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare dhe se qeveria “nuk e ka vënë ujin në zjarr as për të diskutuar me grupet e interesit, jo të marrë mundimin të zgjidhë problematikat. Jo vetëm që nuk i ka plotësuar kërkesat e parashtruara në protestat e vazhdueshme, por as nuk na ka kërkuar në takim. Ndërsa buxhetin për bujqësinë e ul çdo vit; nga 20 mln euro, vitin e kaluar 4 mln euro e këtë vit 5 mln euro. Ajo që është më absurdja është që vendos tavan në prodhim për të subvecionuar, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të rajonit e botës”.

Për Eduart Sharkën, kreu i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar, Pandemia ka thelluar probelmatikën në bujqësi duke shpënë edhe në uljen e eksporteve të këtyre produkteve në 30%.

“Shifrat nuk janë zyrtare, rrjedhin nga raportimet e fermerëve të shoqatës që deri më tani janë 2000 syresh. Por nuk është e vërtetë ajo që thotë qeveria se ekportet janë rritur.

Përkundrazi. 10 % e fermerëve kanë braktisur serat, nuk kanë mbjellë për këtë sezon sepse nuk shlyen dot borxhet e humbjeve të sezonit të kaluar teksa hodhën në kosh gjithë prodhimin.

Tani tregu është çakorduar krejetësisht për shkak të abuzimit me pandeminë. Tregtarët konkurojnë jo ndershëm duke ndryshuar çmimet çdo ditë sepse fermerët janë në terr informativ në lidhje me çmimet e rajonit sepse nuk ka një zyrë. Ministria këtë gjë mund ta zgjidh fare mirë me thjesht një web-site ku të rifreskojë çdo javë çmimet e marra nga tregjet e rajonit”- shprehet Sharka, i cili e konsideron konfuzitetin e çmimeve si “lojë e tregtarëve amatorë për t’i marrë klientët njëri-tjetrit”.

Problemi tjetër që evidenton edhe kreu i sindikatës Sharka është mungesa e subvecioneve edhe si një mbështetje në këtë kohë krize.

“Qeveria flet me urdhrin e peshkut që fermerët po punojnë, ka rritje të kosnumit dhe eksporteve. Nuk zbret në terren të shohë se si punojnë fermerët, çfarë nevojash dhe problematikash kanë. Nëse do të kishte subvecione reale nga qeveria, nuk do ti ndjenin fermerët luhatjen e çmimit në kohë krize, përtej abuzimit.”- thoët Sharka.

Të njëjtën gjë tregon edhe fermer Ladi. “Qeveria di vetëm se “fermerët të punojnë tokën”. Me se ta punoj tokën? Me karburantin 170 lekë, apo me energjinë që e paguaj si biznesi 168 kë/orë? Apo çmimet që ndryshojnë disa herë në ditë dhe nuk kam asnjë informacion se sa është atje ku do të shkojë domatja ime? I bindem tregtarit”- thotë fermer Ladi.

Sipas Resulit dhe Sharkës, problem i thekshëm është kryesisht për domaten, por tregu është stabilizuar për luleshtrydhen dhe produkte të tjera.

Ata thonë se ka konsum dhe malli ka qarkulluar lirshëm këto dy javë.

Sipas INSTAT, situata e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm në tregtinë e jashtme.

Shifrat konfirmojnë që në muajin mars kanë rënë ndjeshëm si eksportet, ashtu edhe importet.

Në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 25,4 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 24 mld lekë, duke u ulur me 14,9 %, krahasuar me Mars 2019 dhe me 10,2 %, në krahasim me Shkurt 2020.

Në tremujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 66 mld lekë, duke u ulur me 9,0 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 135 mld lekë, duke u ulur me 8,5 %. (GazetaSi)