Nga Dalip Greca
Metroja e Pagjumë e New York-ut do të pushoje. Ky projekt zbatohet për herë të parë në historinë 116-vjeçare të metros, ku i gjithë sistemi do të ndërpresë shërbimin 24-orësh, çfarë më parë ka ndodhur vetëm në raste të ngjarjeve madhore, grevave të punojësve apo gjatë katastrofave natyrore.
Prej kohësh Metroja, që s’fle kurrë e New York-ut ka qenë problematike si nga të pastrehët ashtu edhe nga brejtësit që gëlonin në çdo stacion të saj.Pandemia e koronavirusit e bëri më alarmante gjendjen e saj. Të pastrehët(homelessët), kanë preferuar “komoditetin” e metros, fjetjen nëpër vagona apo në hapsirat e Metros se sa të pranojnë të strehohen nëpër homeless shelters (strehimoret e të pastrehëve). Sipas statistikave janë rreth 2 mijë të tillë që kanë gjetë si strehëz metron. Situata e tanishme është alarmante. Kulmi arriti me denoncimin e një punonjësje të Metros, e cila denoncoi në rrjetet sociale dhe media defektimin e një homlessi para syve të saj.
Por duket se kësaj situate i ka ardhë fundi. Guvernatori Cuomo ka deklaruar se i gjithë sistemi tranzit në NYC do të ndalet për t’u dezinfektuar çdo 24 orë.
Guvernatori Andreë Cuomo njoftoi projektin e tij për të ndaluar pothuajse të gjithë trafikun e metrosë gjatë natës së vonë, në mënyrë që trenat të pastrohen e dezinfektohen. Metroja është kthyer në një nga vatrat e rerzikshme të inefktimit prej COVID-19 gjatë pandemisë. Shumë prej punonjësve janë prekur nga infeksioni dhe fatkeqsisht një pjesë kanë humbur jetën.
Për punëtorët thelbësorë, të cilët duhet të udhëtojnë ndërmjet orëve 1 dhe 5 të mëngjesit, MTA do të sigurojë automjete falas.
… Më në fund sistemi i Metrosë që nuk fle kurrë do të ndalet në orare të reduktuar për t’iu nënshtruar pastrimit dhe dezinfektimit rrënjësor. Ky njoftim u dha ditën e Enjte me 30 prill, prej Guvernatori Cuomo. Sipas tij sistemi i metrosë do të mbyllet çdo ditë në mes orës 1 dhe 5 të mëngjesit, duke filluar nga 6 maj në mënyrë që trenat të mund të pastrohen me dezinfektues me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Të gjithë pasagjerëve do t’u kërkohet që të boshatisin trenat dhe metron gjatë atyre orëve, dhe policët do të detyrojnë që të largojnë njerëzit që flenë nëpër trena, homlessët.
Guvernatori nuk bëri të ditur se në sa muaj do të shtrihet mbyllja e metrosë, sa do të zgjatet, por ky projekt zbatohet për herë të parë në historinë 116-vjeçare të metrosë, ku i gjithë sistemi do të ndërpresë shërbimin 24-orësh, çfarë më parë ka ndodhur vetëm në raste të ngjarjeve madhore, grevave të punojësve, gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit, apo gjatë katastrofave natyrore.
Cuomo tha se ky plan i mbylljes së metros, do t’i mundësojë Autoritetit të Transportit Metropolitan të kryejë pastrime të përditshme “agresive”.
Në fakt MTA në fillim të marsit nisi përpjekjet e pastrimit duke dezinfektuar trenat dhe autobusët çdo 72 orë dhe duke pastruar stacionet e metros, por guvernatori tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Po ashtu edhe autobusët do të pastrohen çdo 24 orë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me linjat Metro-Northit, tha Cuomo.
MTA gjatë dy muajve të fundit ka testuar materiale pastruese dhe ka siguruar furnizime të reja që shkatërrojnë viruset, përfshirë dhe përdorimin e dritave ultravioletë.
Kryetari i bashkisë Bill de Blasio në fillim të kësaj jave propozoi mbylljen e 10 stacioneve të metrosë nga mesnata në 5 të mëngjesit në mënyrë që të pastrohen ato dhe të largoheshin të pastrehët.Por njoftimi i guvernatorit Cuomo shkon më larg se kaq: Të 472 stacionet e metrosë dhe 21 stacionet hekurudhore të Staten Island do të mbyllen, duke filluar nga ora 1 në 5 të mëngjesit, kohë kur mesatarisht udhëtojnë afërsisht 10,000 udhëtarë dhe e përdorin sistemin rreth 2 mijë të pastrehë.
NYPD do të ketë për detyrë të ndihmojë MTA për të realizuar zbrazjen e trenave dhe të metros. Policia do t’i largojë dhe të pastrehët, të cilët do të dërgohen në strehimore ose spitale, nëse nuk pranojnë, do të largohen që aty.
Konferencës së guvernatorit iu bashkëngjit përmes videos edhe kryetari i bashkisë Bill De Blasio, i cili tha se realiteti i sotshëm i Metros është i paparanushëm, ndërsa ndryshimi është i domosdoshëm.