Reklame:

Peshku ne det, industria ne hall: Nga mbyllja e fabrikave deri te perpunimi per mbijetese

Përfaqësuesit e industrisë së peshkut pohojnë se për shkak të krizës nga koronavirusi kanë reduktuar kapacitetet përpunuese deri në 10%. Arsyeja është tkurrja e kërkesës, pas mbylljes së restoranteve në Itali, Spanjë dhe Kroaci ku eksportonin produktet e përpunuara. Aktualisht, sipas tyre, po punohet vetëm për furnizimin e supermarketeve me konserva për tregun e huaj dhe në sasi të pakët po furnizohet tregu vendas me peshk të freskët. Përpunuesit më të mëdhenj në vend të açuges shprehen se efektet e krizës do të ndikojnë edhe për 2021, pasi për shkak të mungesës të lëndës të parë nuk kanë mundësi të prodhojnë. Industrialistët i kërkojnë qeverisë të rimbursojë deri në 70% pagat e punonjësve, si dhe të falë kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Industria e peshkut është sektori i radhës në zinxhirin e ekonomisë shqiptare që është goditur fort nga situata e koronavirusit. Nga barkat e peshkimit te kompanitë eksportuese dhe bizneset që merren me kultivimin e peshkut, si në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, kanë fikur motorët dhe po bëjnë llogaritë e dëmeve nga virusi. Që nga pagat e punonjësve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të të punësuarve në këtë sektor, të vetëpunësuarit, të rregullt dhe në të zezë, gjithçka është në pikëpyetje dhe pasiguri totale.

Përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të përpunimit, por edhe ato të kultivimit të peshkut të freskët në vend shprehen se po punojnë për të mbijetuar. Problematika më e mprehtë që ata përmendin është mbyllja e restoranteve jo vetëm te tregu i brendshëm, por edhe në vendet si Italia, Spanja dhe Kroacia, ku tregtonin produktet e kultivuara. Mbyllja e restoranteve ndikoi në uljen e kapaciteteve përpunuese deri në nivele minimale 10 – 30%. Nëse fabrikat e mëdha po punojnë me kapacitete minimaliste vetëm për të mbijetuar, fabrikat e vogla aktualisht nuk po punojnë, janë mbyllur.

Industria e përpunimit të peshkut, sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit 2016-2021, punëson rreth 3 mijë persona në Shqipëri (kryesisht gra) duke zënë një përqindje të rëndësishme të forcës së punës për shkak të veçorisë së punës në marrjen e porosive nga jashtë dhe rieksportimin e tyre në vende të ndryshme.

Periudha e shfaqjes së pandemisë përkon edhe me periudhën e peshkimit, por në këto rrethana, barkat e peshkimit nuk mund të dalin në det. Përfaqësuesit e industrisë përpunuese thonë se kjo vë në rrezik daljen në treg të produkteve të kultivuara për vitin 2021. Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë në vend për vitin 2017 janë zënë 8.289 tonë peshk. Për vitin 2018, zënia e peshkut shënoi rritje. Në total janë zënë 8.629 tonë peshk.

Rënia e industrisë të përpunimit

Mark Babani, përfaqësuesi i kompanisë Mare Adriatik sh.p.k, përpunuesi më i madh i açuges në vend, shprehet për “Monitor” se puna iu është prerë me thikë dhe po punohet me 30% të kapacitetit të veprimtarisë, për shkak të mbylljes së restoranteve. Zoti Babani thotë se po punohet vetëm në fabrikën e Vaut të Dejës, ndërsa fabrika në Tiranë është mbyllur.

“Janë bllokuar tregjet, është bllokuar gjithçka. Edhe restorantet janë mbyllur ku konsumohej më shumë açuge. Unë kam dy ndërmarrje, një në Tiranë dhe një në Vaun e Dejës ku janë të punësuar rreth 400 punonjës. Ndërmarrja e Tiranës është mbyllur prej dy javësh, pasi nga ajo furnizoheshin restorantet në Itali dhe në Spanjë. Puna na është prerë me thikë.

Po punojmë veç me linjat e supermarketeve jashtë vendit, të cilat janë të pakta në numër, pasi puna më e madhe te ne është e orientuar me mall të ambalazhuar për restorantet. Për shembull te ‘Metro’ në Itali kemi pasur 5-6 formate dhe zinte 70% të punës sonë. Sot ‘Metro’ është mbyllur pasi shërbente për furnizimin e restoranteve dhe jo për klientët në terren. Problem është edhe pjesa e rezervatit, pasi ka rritje masive të peshkut, por nuk ka treg”, shprehet Babani.

Sipas zotit Babani, ndërkohë në supermarketet ku furnizohen qytetarët ka pasur tërheqje të madhe të mallit, madje kanë blerë edhe rezerva. “Shitja e konservave është rritur, madje është dyfishuar në supermarkete. Aktualisht ka mbetur 30% e punës. Po punohet me ata pak klientë që kemi në linjën e furnizimit të supermarkateve në Itali dhe Spanjë”, thotë Babani.

Situata paraqitet e vështirë edhe për përfaqësuesin e kompanisë “Coral”, Helidon Rruga, një ndër kultivuesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të peshkut në vend. Zoti Rruga shpjegon për “Monitor” se puna po vijon në të dy fabrikat, si në Kavajë dhe Durrës, ku janë të punësuar 350 punonjës. Po sipas tij, aktualisht po punohet me 10% të kapacitetit përpunues, ndërsa 90% e veprimtarisë është ndalur, për shkak të mbylljes të restoranteve.

“Ndikimi për industrinë tonë është i lartë, pasi edhe tregu i brendshëm është bllokuar, duke përfshirë mbylljen e restoranteve. Edhe tek eksporti, ndikimi është i lartë pasi tregu më i madh i industrisë përpunuese të peshkut është Italia dhe Spanja. Produktet tona shiten më shumë në dyqane peshku ku interesi për të blerë peshk të freskët nga qytetarët është shumë i ulët”, shprehet zoti Rruga.

Përfaqësuesi i kompanisë “Coral” shpjegon se 10% e kapaciteteve janë vënë në punë vetëm për furnizimin me peshk të freskët të dyqaneve. “Me dyqanet e peshkut po punohet shumë pak, pra po punojmë me 10% të kapacitetit tonë, pasi siç e përmenda edhe më lart, peshku hyn te produktet e shportës jo të domosdoshme për t’u konsumuar. Konsumi i peshkut është gati i papërfillshëm në krahasim me produktet bazike ushqimore që po konsumohen në këtë periudhë”, shprehet Helidon Rruga.

Artur Mata, nga “Konservimi Adriatik”, thotë për “Monitor” e në fabrikën e tij janë të punësuar 90 punonjës, por për shkak të frikës dhe pasigurisë së përhapjes të virusit, të gjithë kanë ikur në shtëpi. “Fabrika është mbyllur prej 12 ditësh. Procesi i punës është që duhet të kryhet në grup, mungesa e disa prej punonjësve për shkak të frikës ka sjellë që ne të gjithë të mos punojmë dhe fabrika të mbyllet. Shumica e punonjësve, po ashtu mendojnë se do të paguhen nga qeveria nëse rrinë në shtëpi. Ne nuk e kemi mbyllur vetë punën. Punonjësit që kanë qenë në punë, do të paguhen. Të tjerët që nuk kanë ardhur, nuk do të paguhen”, shprehet Mata.

Për sa u përket masave mbrojtëse në fabrikë, zoti Mark Babani thotë se në fabrikën e “Mare Adriatik” po respektohet distanca, ndërkohë edhe më parë punonjësit në fabrikë kanë që më të familjarizuar me masat e rrepta. “Ne punojnë në bazë të një protokolli europian. Tashmë në protokoll janë certifikuar edhe masat që duhet të merren në këtë periudhë pandemie, me qëllim që prodhimi të vazhdojë. Në këtë fazë nuk kemi pasur probleme për kushtet e sigurisë”.

Pasojat në të ardhmen

Përfaqësuesi i “Mare Adriatik” thotë se pasojat negative për industrinë e përpunimit të peshkut do të jenë të shumta, sidomos në vitin 2021. “Fillimisht, ndikimi është te zënia e peshkut, pasi në këtë periudhë ne blejmë për të prodhuar për vitin 2021. Normalisht ne nuk dimë si të veprojmë, nuk jemi të orientuar mirë për shkak të tkurrjes të tregut. Në Kroaci, peshkimi për muajin prill është ndaluar, për të filluar në muajin maj dhe nuk dihet nëse barkat do të dalin për peshkim. Situata është në kolaps që nga furnitorët tanë deri te ne që jemi klientët të tyre. Pasojat do të ndihen edhe në vitin 2021 dhe do të jetë problem për prodhimin dhe eksportin e açuges”, shpjegon zoti Babani.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë, për vitin 2018 u eksportuan 7.5 milionë kg peshk me vlerë 5.8 miliardë lekë. Eksporti i peshkut shënoi rënie të lehtë për vitin 2019. Në këtë vit u eksportuan në total 7.4 milionë kg peshk me vlerë 6 miliardë lekë.

Helidon Rruga thotë se ndikimi negativ po jepet edhe për peshkun e freskët. Nëse situata e krizës do të zgjasë, sipas tij puna do të vështirësohet. “Nëse këta dy muaj llogaritej që për peshkun e kultivuar të shitej 300 tonë, ai mbeti stok, pasi kërkesa është tkurrur, dyqanet janë mbyllur”, shprehet z. Rruga.

Çfarë kërkojnë industrialistët

Industrialistët e përpunimit të peshkut propozojnë disa kërkesa për qeverinë për zvogëlimin e efekteve të krizës. Ata shprehen se aktualisht po punojnë për mbijetesë, por problem mbeten pagesat e punonjësve, kamatëvonesat për pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të faturave të dritave.

Mark Babani, aktualisht ka të punësuar 300 punonjës, ndërsa për 100 të tjerë puna është mbyllur. “Sot për ne, aseti më i çmueshëm janë punëtorët. Prej 3 vjetësh kemi investuar për trajnimin e tyre dhe janë të specializuar në këtë industri. Në punë aktualisht janë 300 punëtorë, të cilët po i mbaj me pagë minimale, me qëllim që të mos krijohen probleme sociale. Pra po mbijetojmë. Ne nuk mundemi të mbajmë në punë të gjithë punonjësit me pagë minimale. Për punonjësit, pagat janë paguar për muajin mars. Për muajin prill nuk jam në gjendje t’ua paguaj pagat 400 punonjësve që nuk do të punojnë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë.

Z. Babani propozon që për të papunët duhet të ngrihet një grup ekspertësh me përfaqësues të Ministrisë të Financave, Kryeministrisë, Ministrisë së Bujqësisë dhe AIDA-s për të vlerësuar situatën në çdo ndërmarrje dhe për të arritur një konkluzion për ndërhyrje. “Nëse shteti ndërhyn për 60 deri në 70% të pagës të punonjësve nga ne do t’u paguhet 30% e pagës dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sigurisht puna do të ndahet në ditë, me qëllim që të punësohen të gjithë punonjësit. Në të kundërt ne jemi të detyruar t’i heqim punonjësit nga puna, duke mbajtur vetëm një numër të vogël.

Artur Mata shpjegon se, edhe pse puna është mbyllur, shpenzimet janë të shumta, siç janë ato të energjisë për dhomat frigoriferike të cilat nuk mund të mbyllen. Zoti Mata kërkon ndërhyrjen e qeverisë për heqjen e kamatëvonesave tek energjia elektrike dhe të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. “Ne nuk po kërkojmë të mos paguajmë energjinë, por të mos llogariten kamatëvonesat.

Shpenzimet për energjinë janë mbi 5 milionë lekë. Po ashtu të hiqen gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”, thotë zoti Mata. Ai e vlerëson pozitive masën e dhënieve të kredive për biznesin e madh, duke qenë garant buxheti i shtetit. “Është një ndihmë e madhe, sepse zhbllokon shumë gjëra. Krijon likuidet dhe na krijon ne mundësi për t’iu dhënë diçka punonjësve”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Konservimi Adriatik”.

Aktualisht industria e përpunimit përbëhet nga disa kompani të mëdha përpunuese të një sërë specieve të peshkut, të cilat janë të destinuara për eksport. Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë, qendrat kryesore të përpunimit janë në Lezhë, Elbasan, Durrës dhe Sarandë. Në vend, në total janë 24 stabilimente eksporti me akreditim nga BE. Lënda e parë e importuar kryesisht vjen nga Italia, Spanja dhe Kroacia në formën e blloqeve të ngrira ose e kriposur në fuçi.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë për vitin 2018 u importuan 11 mln kg peshk, me vlerë 4.5 miliardë lekë. Për vitin 2019 importet në vlerë ishin në nivelet e një viti më parë, kurse në sasi pati një rënie të lehtë në 10 milionë kg peshk. (Monitor)